Ndërlidhjet

Mbështetje për luftën kundër korrupsionit


Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, Qeveria e Japonisë dhe Agjencia Kundër Korrupsionit në Kosovë sot kanë nënshkruar projekt-dokumentin “Partneriteti kosovar për anti-korrupsion”. Projekti kap shumën 300 mijë dollarë, që do të financohet nga Qeveria e Japonisë.


Me qëllim të parandalimit dhe sforcimit të luftës kundër korrupsionit në Kosovë, sot në Prishtinë është nënshkruar një projekt ndërmjet Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim -UNDP-së, Qeverisë së Japonisë dhe Agjencisë Kundër Korrupsionit në Kosovë.

Ky projekt do të përfundojë në shtator të vitit të ardhshëm. Ai do të financohet nga Ambasada e Japonisë dhe do të kushtojë 300 mijë dollarë.
Parviz Fratash, drejtor i UNDP-së, pohoi se ka korrupsion në Kosovë. Ai rikujtoi se raportet e publikuara nga kjo organizatë kanë vënë në pah se 55 për qind e të intervistuarve dyshojnë se korrupsioni është i pranishëm në institucionet publike.
...mbështetja e krijimit të një rrjeti anti-korrupsion do të mundësojë shkëmbimin e informacioneve dhe të përvojave specifike në rajonin e Ballkanit perëndimor.

“Projekti synon forcimin e kapaciteteve dhe dijes për të gjitha trupat anti-korrupsion në Kosovë, përderisa mbështetja e krijimit të një rrjeti anti-korrupsion do të mundësojë shkëmbimin e informacioneve dhe të përvojave specifike në rajonin e Ballkanit perëndimor”, tha Fratash.

Me qëllim të parandalimit të korrupsionit, Fratash tha se UNDP-ja do të bashkëpunojë edhe më tutje me institucionet, organizatat joqeveritare vendore, si dhe me Agjencinë e Kosovës Kundër Korrupsionit.

Përderisa UNDP-ja do ta mbështesë në vazhdimësi Kosovën në këtë drejtim, është me rëndësi që edhe Kosova, siç u shpreh Fratash, të ngrihet dhe t’i thotë ‘jo’ korrupsionit.

Ndërkaq, Tatsuhiko Içihara, përfaqësues i Ambasadës së Japonisë në Vjenë, theksoi se Qeveria e Japonisë mbetet e përkushtuar të ndihmojë Kosovën e pavarur në ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe shumetnike.

Në këtë aspekt, shtoi ai, Qeveria e Japonisë mbetet e përkushtuar të ndihmojë Kosovën edhe në vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit.

“Paqja dhe stabiliteti në Kosovë kanë një rëndësi të madhe për paqe, stabilitet dhe prosperitet jo vetëm për Ballkanin perëndimor, por edhe për pjesën e Evropës dhe mbarë botën”, u shpreh Içihara.

Projekti i nënshkruar sot do të mundësojë që Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit edhe më tepër të përkushtohet në parandalimin e këtij fenomeni në vend, vlerësoi vetë drejtori i kësaj agjencie, Hasan Preteni.

Ai shprehu bindjen se parandalimi dhe luftimi i korrupsionit në Kosovë nuk mund të jenë të suksesshëm pa bashkëpunimin e të gjitha autoriteteve kompetente.

Hasan Preteni
“Unë mendoj dhe besoj se projekti i nënshkruar, përveç se do t’i japë mundësi agjencisë të ecë përpara në kryerjen e formave anti-korrupsion në Kosovë, do të mundësojë gjithashtu edhe një qasje më të gjerë të problemit nga ana e shoqërisë civile dhe e mediave. Po ashtu, do të jetë guri themelor i një bashkëpunimi më të fuqishëm në mes nesh”,
tha Preteni.

Ndryshe, sipas raporteve të organizatave të ndryshme ndërkombëtare, të cilat masin nivelin e korrupsionit në vende të ndryshme të botës, Kosova radhitet në grupin e tretë të vendeve të ndikuara nga korrupsioni.

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës vazhdimisht deklarohen për tolerancë zero ndaj të korruptuarve në vend.
XS
SM
MD
LG