Ndërlidhjet

Etno-nacionalizmi në media


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

“Etno-nacionalizmi, i cili është shndërruar në spektakël masiv, ka krijuar ndarjen në mes të shumicës shqiptare (ne) dhe pakicës joshqiptare (ata)”. Kështu u tha në një debat, pas publikimit të raportit më të fundit të Institutit Kosovar për Media.


“Ekzistimi i demokracisë ndërlidhet ngushtë me respektimin e të drejtave të njeriut dhe rrjedhimisht me respektimin e minoriteteve”.

“Etno-nacionalizmi, i cili është shndërruar në spektakël masiv, ka krijuar ndarjen në mes të shumicës shqiptare (ne) dhe pakicës joshqiptare (ata)”.
Këto janë disa nga konkludimet e një debati, i cili u zhvillua pas paraqitjes së raportit të Institutit Kosovar për Media, që trajton prezantimin e minoriteteve etnike në mediat kosovare.

Profesori në Universitetin e Leeds-it, i cili ligjëron dhe në Institutin Kosovar për Gazetari dhe Komunikim, KIJAC, në Prishtinë, Obrad Saviq, tha se minoriteti serb është i privilegjuar nga mediat kosovare karshi minoriteteve të tjera joshqiptare.
Ky është një paradoks. Minoriteti më i madh etnik mund të mënjanojë minoritetet e tjera etnike më pak të rëndësishme...

“Ky është një paradoks. Minoriteti më i madh etnik mund të mënjanojë minoritetet e tjera etnike më pak të rëndësishme. Kjo sindromë në teori njihet me termin ‘mënjanim i dyanshëm’, pra nga shumica dhe nga minoritetet”, tha ai.

Paraqitja më intensive e minoritetit serb në mediat kosovare, sipas analistit Halil Matoshi, ndodh për shkak të një, siç e cilësoi ai, marrëveshjeje të heshtur në mes të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë dhe ekzekutivit të vendit.

“Interesi i pushtetit është që çdo lajm që mund të ngjyroset edhe si pozitiv për integrimin e pakicave, posaçërisht të serbëve në Kosovë, duhet të shkojë ‘headline’, për arsye se kjo perceptohet se rrit fuqinë e pushtetit ose ia zgjat shekullin pushtetit personal”, tha Matoshi, për të shtuar se Plani i Ahtisarit ka thelluar etnizimin e Kosovës, duke theksuar ndarjet në mes të komuniteteve të ndryshme që jetojnë në vend.

Halil Matoshi
Matoshi tha se suksesi i funksionimit të Kosovës si shtet mund të ndodhë duke shkuar drejt ideve dhe vlerave qytetare, e jo ideve etnike.

“Ne, për të bërë një shtet funksional, duhet të bëjmë deetnizimin e shtetit. Etno-nacionalizmi është një kiç dhe, si i tillë, në epokën e televizionit është shndërruar në spektakël - në spektakël masiv. Pra, i akceptueshëm për turmat ose, siç themi ne, për popullin”, theksoi ai.

Paraqitja sa më e madhe e minoriteteve në jetën publike e mediale, sipas profesorit Saviq, është dukuri që ndodh në të gjitha vendet post-konflikte të Evropës Lindore.

Saviq tha se rritja e rëndësisë për respektimin e të drejtave të minoriteteve etnike në këto shtete ka ndodhur për shkak të, siç shpjegoi ai, sensibilitetit moral të shteteve perëndimore, pastaj për shkak të lëvizjeve të mëdha të refugjatëve dhe për shkak të standardit të përparimit moral.

“Minoritetet etnike - si koncept, lidhet me konceptin e të drejtave të njeriut, të drejtat e minoriteteve. Pra, kur ne pyesim veten, njerëzit e mediave, akademikët, qeverinë, anëtarët e partive politike dhe të tjerët, se a jemi shoqëri demokratike apo jo, përgjigjja do të varet nga një gjë dominante: se si qëndrojmë karshi minoriteteve”, u shpreh Saviq, duke e quajtur të rëndësishëm respektimin e të drejtave religjioze, seksuale dhe të tjera.

Raporti i publikuar nga Instituti Kosovar për Media dhe Politika vë në pah se paraqitja e minoriteteve në Kosovë është më e fuqishme në radhët e televizioneve lokale, sesa në mediat e shtypura.

Drejtori në sektorin e hulumtimeve në këtë institut, Faton Pacolli, shpjegoi perceptimet e minoriteteve etnike për paraqitjen e tyre nëpër media kosovare.

“Gjatë diskutimeve në fokus-grupe ka pasur pjesëmarrës që kanë thënë se në qoftë se intervistohet një serb dhe mendimi i tij paraqitet si mendim i tërë komunitetit, kjo gjë nuk është në rregull. Pra, ata mendojnë se ka diversitet mendimesh brenda komunitetit serb”, theksoi Pacolli.

Hulumtimi i Institutit Kosovar për Media ka përfshirë tri televizionet lokale në Kosovë dhe shtatë gazeta vendore.
XS
SM
MD
LG