Ndërlidhjet

Inaugurohet qendra për gripin A/H1N1


Në Kosovë është inauguruar Qendra për Diagnostikimin e Gripit A/H1N1, i njohur si gripi i derrit, me metodat më të sofistikuara. Autoritetet kosovare thonë se janë të përkushtuara që ta ngrenë nivelin e shëndetësisë kosovare dhe ta përafrojnë atë me standardet e Bashkimit Evropian.


Diagnostikimi i rasteve të rënda klinike të gripit A/H1N1 tash e tutje do të bëhet në Qendrën e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, që ishte i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të Qendrës për Diagnostikimin e Gripit A/H1N1, tha se Kosova, nga ajo gjendje në të cilën ishte pas luftës, po shndërrohet në kualitetin e saj, duke ofruar shërbimet më të mira të mundshme për qytetarët dhe shëndetin e tyre.

“Inauguruam qendrën e re të diagnostikës për gripin dhe për tipat e tillë të sëmundjeve, të infeksioneve dhe pamë një teknologji jashtëzakonisht të përparuar dhe më të re të kohës, e cila do të jetë në shërbim të qytetarëve të vendit dhe është nga qendrat më të mira në rajon”.

“Me ekipet që ka Instituti Kombëtar i Shëndetësisë dhe me mbështetjen që do të japë Qeveria, Ministria e Shëndetësisë dhe Banka Botërore, do të ketë ecje të mëtutjeshme në kualitet”, tha presidenti Sejdiu.

Ai e cilësoi këtë qendër si të rëndësishme për komunikim ndërshtetëror me shtetet tjera, në mënyrë që të arriturat më të reja shkencore të aplikohen jo vetëm në teknologji, por edhe në pjesën e diagnostikës për shërbim sa më të mirë ndaj qytetarëve.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pohoi se investimi në këtë laborator paraqet vetëm një pjesë të përpjekjes për të ndërtuar dhe ngritur sistemin e shëndetësisë në Kosovë dhe për ta përafruar atë me standardet e BE-së.

“Është një projekt shumë modern, i cili përputhet me rastet dhe nevojat e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Përpos rritjes së pagave për të gjithë punëtorët e shëndetësisë, nga 1 janari i vitit të ardhshëm, për rreth 30 për qind, duhet t’u përkushtohemi edhe investimeve e projekteve që të ndërtojmë shëndetësi sipas standardeve të Bashkimit Evropian”.

“Në këtë drejtim do të punojmë dhe shëndetësia do të vazhdojë të jetë projekt nacional i institucioneve të Republikës së Kosovës”,
tha kryeministri Thaçi.

Edhe shefi i Bankës Botërore në Prishtinë, Ranxhit Najak, e cilësoi këtë qendër si tejet të rëndësishme për diagnostikimin e gripit të derrave dhe atë të shpezëve.

“Ky është një laborator i cilësisë së lartë në përputhje me standardet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Pra, është në nivelin e standardeve më të larta ndërkombëtare. Shpresojmë se do t’i trajtojë të gjitha llojet e infektimeve të reja dhe emergjente”, theksoi Najak.

Najak po ashtu tha se, në rast nevoje, Kosova do t’ua ofrojë këtë laborator dhe këto pajisje edhe vendeve fqinje.

Ky laborator është i pari i këtij lloji në Kosovë dhe do të bëjë të mundur trajtimin e viruseve, përfshirë gripin e derrave dhe atë të shpezëve.

Laboratori është pjesë e Rrjetit evropian të mbikëqyrjes së gripit dhe sëmundjeve përcjellëse të tij, ndërsa është projekt i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i cili përkrahet financiarisht edhe nga Banka Botërore.
XS
SM
MD
LG