Ndërlidhjet

“OKB merr përgjegjësinë për vrasjen e shkurtit 2007”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
ZËRI
Misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX, pret që protokolli për policinë, i nënshkruar javë më parë me Serbinë, të implementohet edhe pa ndonjë marrëveshje eventuale me Policinë e Kosovës, pavarësisht se ky mision, kohë më parë, ka kërkuar që të lidhet një marrëveshje me këta të fundit, me qëllim të shkëmbimit të informatave të ndryshme. Zyrtarë të këtij misioni thonë se planifikimet janë që Policia e EULEX-it të zhvillojë një takim, në ditët e para të tetorit, me Policinë e Serbisë, për t’u marrë vesh për rrugët se si do të implementohet kjo marrëveshje teknike...

BOTA SOT
Legjislativi i vendit ka ngritur shqetësimet duke reaguar kundër procesit gjyqësor që po zhvillohet në Beograd ndaj nëntë shqiptarëve të Kosovës Lindore, nën akuzën se kanë bërë krime pas luftës në Kosovë, duke e quajtur këtë si proces të montuar politik. Reagimi ndaj procesit gjyqësor me motive politike dhe akuza të paargumentuara ndaj shqiptarëve është bërë nga deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, i cili akuzoi edhe institucionet e Kosovës që nuk kanë reaguar ndaj këtij procesi antishqiptar dhe anti-UÇK...

EPOKA E RE
Dymbëdhjetë vjet më parë, Lëvizja Studentore, e udhëhequr nga Bujar Dugolli, Driton Lajçi, Albin Kurti e Muhamet Mavraj, e përkrahur edhe nga rektori, tashmë i ndjerë, i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, si dhe nga disa profesorë të tjerë, i dhanë fund politikës pacifiste të popullit shqiptar ndaj regjimit të Beogradit. Me ngritjen e Lëvizjes Studentore filloi ridefinimi i politikës në vend, për faktin se studentët më nuk ishin të rreshtuar nëpër partitë politike të asaj kohe që ishin shumë pasive, e të cilat kishin zgjedhur rrugën e durimit dhe jo të veprimit e ballafaqimit...

KOHA DITORE
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka pranuar pjesën e përgjegjësisë për ngjarjet e 10 shkurtit 2007, kur në protestat e lëvizjes “Vetëvendosje”, si pasojë e intervenimit të policisë së UNMIK-ut, humbën jetën dy persona dhe disa të tjerë u lënduan, kanë bërë të ditur burime brenda misionit të OKB-së në Kosovë. Zyra Qendrore e kësaj organizate, sipas burimeve të “Kohës Ditore”, pas konsultimeve të shumta me zyrtarët e UNMIK-ut është pajtuar të ofrojë dëmshpërblim për familjarët e të dëmtuarve në këtë rast, ndërsa pritet harmonizimi i qëndrimeve për lartësinë e shumës monetare. “Në këtë rast është përfshirë edhe vetë kreu i UNMIK-ut, Lamberto Zanier, i cili po bën përpjekje për rritjen e shumës së kompensimit material për familjarët e të dëmtuarve”, ka thënë burimi i gazetës...

LAJM
Qeveria aktuale, e udhëhequr nga kryeministri Hashim Thaçi, deri më tani ka shpenzuar mbi 200 mijë euro vetëm për blerjen e telefonave mobilë për zyrtarët e saj. Mirëpo, këtë vit, nuk po diskutohet për modelin e tyre, ashtu siç flitej vitin e kaluar. Tani të gjithë qeveritarët duan mobil të tipit “Nokia E71”, i cili nëpër shitoret e Prishtinës kushton pak më shumë se 300 euro. Vetëm Zyra e Kryeministrit, për blerjen e telefonave të tillë, ka shpenzuar mbi 10 mijë euro. Por, edhe të gjitha ministritë (17) e kanë bërë të njëjtin veprim. Kështu që këshilltarët politikë tani trajtohen njëjtë, të paktën sa i përket pajisjes me telefona mobilë...

INFOPRESS
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, më 6 dhe 7 tetor, pritet të sjellë platformën për integrim të kombit shqiptar. Marrëveshjet që pritet të nënshkruhen në mes të dy kryeministrave shqiptarë, Berishës e Thaçit, janë marrëveshje që afrojnë shqiptarët edhe më shumë, pas lidhjes fizike me autostradën e kombit. Mësohet se disa më kryesoret nga këto marrëveshje kanë të bëjnë me fushën e ekonomisë, arsimit, doganave, etj., gjithsejtë gjashtë sosh. Kryeministri Berisha, javë më parë, kishte proklamuar idenë e projektit për bashkim kombëtar, e cila, sipas tij, do të duhej të ishte ideja prijëse e projektit të së ardhmes për të gjithë politikanët në Shqipëri dhe në Kosovë...

KOSOVA SOT
Qeveria e ka mirëpritur vendimin e Komisionit Evropian për të vizituar dhe parë nga afër nëse Serbia kontrollon kufirin e saj me Kosovën sikurse çdo kufi tjetër. Çështja e mbikëqyrjes së kufijve mbetet një nga kriteret kryesore për të gjitha vendet për përfshirjen e tyre në procesin e liberalizimit të vizave. Duke mirëpritur vendimin e ditëve më parë të KE-së, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se ky do të jetë një kontroll i gjendjes faktike, duke qenë se nuk i besohet Serbisë që ka një kontroll të plotë të kufirit me Kosovën...

EXPRESS
Lidershipi në Prishtinë e ka dënuar djegien e flamurit të Maqedonisë nga ana e tifozëve të Prishtinës, ditë më parë, në stadiumin e kryeqytetit. Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi e kanë quajtur veprimin e së shtunës si jashtë logjikës normale, ndërsa kanë bërë thirrje për qetësi. Komentet e dy drejtuesve të institucioneve të Kosovës kanë ardhur pas reagimit të ashpër nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë, e cila kërkonte sqarime nga ana e Prishtinës zyrtare rreth këtij akti...
XS
SM
MD
LG