Ndërlidhjet

logo-print

Reagime për tërheqjen e Enciklopedisë


Enciklopedia e Maqedonisë

Enciklopedia e Maqedonisë

Akademikët shqiptarë, por edhe partitë kryesore politike në Maqedoni, kanë përshëndetur vendimin e Akademisë për tërheqjen nga shitja të Enciklopedisë maqedonase, e cila fyente shqiptarët.

Tërheqja e Enciklopedisë maqedonase nga shitja është mirëpritur nga akademikët shqiptarë, të cilët qëndrimin në Akademi e kishin kushtëzuar me tërheqjen e Enciklopedisë dhe korrigjimin e pjesëve kontestuese.

“Ky është një akt me rëndësi, edhe pse 100 ekzemplarë veç kanë dalë përjashta, prej gjithsej 2 mijë ekzemplarëve. Por, akti është me rëndësi sikur që është me rëndësi edhe distancimi i Akademisë prej Enciklopedisë”.

“Pra, unë vetëm mund të përshëndes, pasi që ne, edhe në letrën që i dërguam asaj, e kushtëzuam qëndrimin tonë në Akademi me tërheqjen e Enciklopedisë dhe korrigjimin e saj”,
deklaroi për Radion Evropa e Lirë, akademik Alajdin Abazi, duke përshëndetur edhe vendimin e përfshirjes së akademikëve shqiptarë në korrigjimin e Enciklopedisë.

Mirëpo, zoti Abzai shprehu bindjen se përfshirja duhet të jetë më e gjerë me akademikë edhe nga Kosova, edhe nga Shqipëria, pasi në radhët e Akademisë maqedonase është vetëm një akademik shqiptar i lëmit të historisë.

Ai po ashtu kërkoi edhe përgjegjësinë për të gjithë ata akademikë maqedonas me në krye Bllazhe Ristevskin, që shkaktuan tensione jo vetëm në Maqedoni, por edhe më gjerë, me të pavërtetat dhe trillimet që shkruan në Enciklopedinë e tërhequr.

Natyrisht se është paralajmëruar edhe shqyrtimi i përgjegjësisë së anëtarëve të Këshillit, e të mos flasim për kryetarin e Këshillit, i cili nuk mund t'i ikë përgjegjësisë së paku të opinionit, qoftë shqiptar, apo edhe atij maqedonas”.
Nëse dikush nxjerr botime që nuk kanë bazë shkencore, normalisht se duhet t’i nënshtrohet përgjegjësisë.

“Nëse dikush nxjerr botime që nuk kanë bazë shkencore, normalisht se duhet t’i nënshtrohet përgjegjësisë edhe si njeri akademik, edhe si përgjegjës për zhvillimet tjera, pasi një enciklopedi e tillë krijoi një atmosferë të moskënaqësisë, që dita-ditës acarohej, e që mund të përshkallëzohej edhe më tej nëse Akademia nuk do të dilte me një qëndrim të këtillë”,
deklaroi akademik Alajdin Abazi.

Ndërkohë, vendimi i Akademisë është përshëndetur edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim në qeveri dhe Lidhja Socialdemokrate në opozitë.

“Është një hap që çon drejt asaj që me të vërtetë të kemi një akademi shkencash, e cila do të dalë me një enciklopedi që do të pasqyronte të dhënat shkencore, e jo të jetë e ngarkuar me politikë ditore”, deklaroi nënkryetari i BDI-së, Rafis Haliti.

Ndërsa, nënkryetari i Lidhjes Socialdemokrate, Zoran Zaev, tha se opozita maqedonase do të përshëndesë çdo akt që i kontribuon uljes së tensioneve në vend dhe mbylljes së problemeve ndëretnike.

“Besoj se të gjithë së bashku, Akademia e Shkencave dhe Arteve, partitë politike dhe të gjithë faktorët tjerë në vend, do të ulin retorikën lidhur me Enciklopedinë dhe në interes të shoqërisë multi-entike që po e ndërtojmë, do t’i kapërcejnë dallimet dhe kjo çështje e dhimbshme do të mbyllet”, u shpreh Zoran Zaev.

Por, partitë e vogla politike shqiptare, përmes një proteste, kundërshtuan vendimin e Akademisë, duke thënë se problemi mund të konsiderohet i mbyllur sikur Akademia të sjellë vendimin për shpalljen e pavlefshme të Enciklopedisë.
Enciklopedia tërhiqet nga shpërndarja, por nuk shpallet e pavlefshme.

“Enciklopedia tërhiqet nga shpërndarja, por nuk shpallet e pavlefshme. Kërkojmë që me akt zyrtar, kjo të shpallet e pavlefshme”, deklaroi Sefedin Haruni, kryetar i Partisë së Prosperitetit Demokratik, njëra nga partitë organizatore të protestës, e cila, përkundër paralajmërimeve për incidentet, përfundoi në mënyrë të qetë.

Tërheqja e Enciklopedisë është përshëndetur edhe nga lëvizja qytetare “Zgjohu”, e cila, kohë më parë, arriti t’i tubojë në një vend të gjitha partitë politike që ngritën zërin kundër Enciklopedisë, e cila fyente shqiptarët dhe historinë e tyre.
XS
SM
MD
LG