Ndërlidhjet

Kryeministri Hashim Thaçi vlerësoi pozitivisht emërimin e një koordinatori të veprimeve ndërkombëtare në veri të Kosovës. Opozita tha se trajtimi i veçantë mund të kuptohet si një lloj statusi i veçantë i kësaj pjese.



Prania gjithnjë e më e madhe ndërkombëtare në veri të Kosovës është në dobi të proceseve dhe zhvillimeve që çojnë kah integrimi i kësaj pjese, tha kryeministri Hashim Thaçi.

Deklarimi i Thaçit pasoi paralajmërimin nga Brukseli për emërimin e ambasadorit italian në Kosovë, Majkëll Gjifoni, në rolin e lehtësuesit dhe koordinatorit në kërkimin e zgjidhjeve për problemet e vazhdueshme në veriun e Kosovës.

Thaçi nuk u ndal drejtpërdrejt te emërimi eventual i Gjifonit, por tha se e shihte si shumë të rëndësishëm për normalizimin e gjendjes në veri, praninë gjithnjë e më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare atje.

“Me rëndësi është që do të ketë prezencë gjithnjë e më të madhe edhe të autoriteteve ndërkombëtare, do të thotë edhe evropiane, edhe amerikane; prezencë të EULEX-it dhe ICO-së, por edhe të institucioneve të Republikës së Kosovës”.

Hashim Thaçi
“Ne jemi duke vazhduar të investojmë edhe në veri, që hap pas hapi të lëvizin gjërat në kuptimin më pozitiv të mundshëm. Të kthehen njerëzit në shtëpitë, banesat dhe pronat e tyre”.

“Ky angazhim i suksesshëm po jep rezultatet e duhura. Do të thotë, është një rritje e interesimit dhe përgjegjësive edhe ndërkombëtare për normalizimin e gjendjes edhe në atë pjesë të Kosovës”,
tha Thaçi.

Ndërkohë, deputeti opozitar, Adem Salihaj, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, tha se duhet pritur me rezerva një emërim të tillë eventual, pasi që ende nuk janë sqaruar të gjitha detajet dhe detyrat që ambasadori italian do t’i kishte në kompetencë në veri të Kosovës.
Mendoj se nuk duhet të krijojmë një precedent të trajtimit të veçantë të një rajoni të Kosovës, sepse gradualisht një formë e tillë do të mund të krijonte një lloj statusi të atij rajoni...

Gjithashtu, nënvizoi Salihaj, trajtimi i veriut të Kosovës si problem i veçantë, sipas tij, jep sinjale politike se kjo pjesë mund të lëvizë drejt një statusi special.

“Mendoj se nuk duhet të krijojmë një precedent të trajtimit të veçantë të një rajoni të Kosovës, sepse gradualisht një formë e tillë do të mund të krijonte një lloj statusi të atij rajoni, që të trajtohet në mënyrë të veçantë, ndoshta jo formalisht, në aspektin joformal, edhe një status të veçantë”, u shpreh Salihaj.

Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi përshëndeti deklaratat në Komisionin Evropian për dërgimin e një komisioni të veçantë nga Brukseli, i cili do të hetonte nëse Serbia e menaxhon dhe e trajton kufirin me Kosovën si kufi shtetëror.

Një vendim i tillë do të nënkuptonte njohjen dhe respektimin e kufirit të Kosovës nga Serbia, tha Thaçi.

“Definitivisht, ky është sinjal i qartë nga Komisioni Evropian, nga Brukseli, që Serbia të veprojë në përputhshmëri me angazhimet që i kemi ne në Kosovë, me angazhimet që kemi ne me autoritetet e Brukselit dhe njohjen e respektimin e plotë të tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës. Serbia e ka kufirin e vet, Kosova si shtet e ka kufirin e vet”, theksoi kryeministri Hashim Thaçi.

Dërgimi i një komisioni nga Brukseli për të hetuar menaxhimin e vijës kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës pason nënshkrimin e protokollit për bashkëpunim policor ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë.

Kurse, paralajmërimet për emërimin e italianit Majkëll Gjifoni në postin e lehtësuesit të veprimeve ndërkombëtare në veri, thuhet se kanë të bëjnë edhe me koordinimin e aktiviteteve të misioneve ndërkombëtare atje, marrë parasysh funksionimin e UNMIK-ut dhe EULEX-it, si dhe përpjekjet e Prishtinës dhe Brukselit që atje të formohet komuna e re e Mitrovicës veriore dhe përfshirja e serbëve në jetën institucionale të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG