Ndërlidhjet

logo-print

Shqetësimet për strehimin e të riatdhesuarve


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës shfaqin shqetësim lidhur me pamundësinë e strehimit të të gjithë personave që janë riatdhesuar dhe që pritet të riatdhesohen. Shqetësimet e tyre i shprehin dhe përfaqësuesit e romëve, si dhe zyrtarë nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.


Rasti i fundit, tri ditë më parë, i riatdhesimit të dhjetëra kosovarëve, në mesin e të cilëve ka dhe pjesëtarë të pakicës rome, që deri më tash kanë jetuar në Gjermani, ka nxjerrë në pah shqetësimin e përfaqësuesve të institucioneve kompetente për përkujdesje ndaj këtyre personave, të organizatave për të drejtat e njeriut, si dhe të përfaqësuesve të romëve.

Gjergj Dedaj, zëvendësministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, thekson se institucioni që ai udhëheq ka shprehur gatishmërinë për mbështetjen e të kthyerve nga Gjermania, por ka shfaqur shqetësim lidhur me mundësinë e strehimit të të gjithë atyre kosovarëve që pritet të riatdhesohen.

“Shtatë deri në dhjetë ditë ne kujdesemi që ata të vendosen, të strehohen në banesat tona, të cilat janë enkas për këto raste dhe pastaj ata duhet të gjenden vetë. Ne do të jemi në favor që t’i përkrahim në forma të ndryshme”.

“Mirëpo, sinqerisht, është e pamundur që të gjejmë strehim menjëherë për të gjithë ata që do të kthehen ose që janë kthyer nga Bashkimi Evropian, nga vendet e ndryshme, siç është rasti i fundit nga Gjermania”,
thotë zoti Dedaj.

Ndërkaq, lidhur me personat e riatdhesuar, të cilët, pas afatit të përkujdesjes nga Ministra e Punës dhe Mirëqenies Sociale, nuk gjejnë vendstrehim, zëvendësministri Dedaj thotë se përgjegjësinë për ta do ta kenë qeveritë komunale.

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ndërton banesa sociale nëpër të gjitha komunat e Kosovës dhe përgjegjëse është komuna që të mendojë dhe të vendosë për fatin e tyre. Ne u japim atyre një ndihmë dhe një mbështetje emergjente, derisa ata të mendojnë dhe të shikojnë mundësitë për vendosjen e tyre, sepse këto janë kushtet dhe mundësitë tona”.

“Ne këtë mund ta bëjmë; e më tepër, për momentin, s’kemi mundësi. Nuk mund të kemi banesa rezervë dhe kushdo që vjen ta dërgojmë menjëherë në banesë. Kjo, vërtet, është krejtësisht e pamundur”,
thekson zoti Dedaj.

Ndryshe, në mesin e të riatdhesuarve ekziston edhe një numër i romëve dhe kthimi i tyre në Kosovë është pritur me shqetësim nga përfaqësuesit e romëve dhe organizatat për të drejtat e njeriut.

Zylfi Merxha, drejtues i Partisë së Bashkuar Rome dhe deputet në Kuvendin e Kosovës, reagon ndaj riatdhesimit të romëve, për shkak se, siç thotë ai, ende nuk janë pjekur kushtet për një gjë të tillë.

Mitrovicë
“Ne këtu jemi shumë romë që jetojmë, vetëm se na mungon punësimi. Por, ai nuk mungon vetëm për ne, por për gjithë popullin e Kosovës. Rreth 46 për qind janë në varfëri. Të gjitha shtetet e dinë këtë, sepse ato i kanë ambasadat e veta në Kosovë. Ato e kanë sjellë vendimin që nga e gjithë Evropa t’i kthejnë dhe këtë do ta bëjnë”.

“Pse po i kthejnë? Këta që janë këtu, jetojnë ashtu siç jetojnë. Një njeriu të papunë nuk i jep për të ngrënë shtëpia. Tash, iu japin për të ngrënë rreth një javë, e pastaj askush askënd nuk e pyet. Atëherë, ne po na përplasin”,
shprehet deputeti Merxha.

Lidhur me këtë çështje, ai adreson kritika edhe ndaj Qeverisë së Kosovës.

“Qeveria duhet t’i sigurojë këta njerëz, përderisa thotë se ne jemi shtet demokratik, sovran, me të drejta të barabarta për të gjithë dhe se kushdo mund të jetojë këtu”.

“Kosova është një shtet që ka sjellë ligjin për t’i pranuar azilantët. E tash, po vijnë turqit dhe po hapin dyqane, sepse si azilant po e merr atë të drejtë. Po vijnë edhe kinezët, e kanë mbushur Kosovën. Kurse, romët tanë ose ashkalinjtë dhe egjiptianët nuk kanë se çfarë të hanë kur kthehen
”, përfundon deputeti Merxha.

Për shkak të, siç thuhet, situatës së rëndë ekonomike dhe sociale, ndaj riatdhesimit të romëve ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Bexhet Shala thekson se deri më tash kthimi i romëve nga vendet evropiane është prolonguar për shkaqe humanitare.

“Duket se kanë vendosur që t’i kthejnë dhe besoni që për ata që do të kthehen në Kosovë, këtu nuk do të ketë thuajse asnjë kusht për të mbijetuar, e lëre më për t’u integruar në shoqërinë e Kosovës”, vlerëson zoti Shala.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG