Ndërlidhjet

Mekanizmat për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve


Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me Fondin e Kombeve të Bashkuara për Fëmijë, sot ka publikuar Strategjinë dhe Planin Nacional të Veprimit për të Drejtat e Fëmijëve në Republikën e Kosovës, për periudhën 2009-2013. Me këtë mekanizëm, Qeveria synon t’i arrijë standardet ndërkombëtare të të drejtave të fëmijëve, të përcaktuara me Konventën për të Drejtat e Fëmijës.


Strategjia dhe Plani Nacional i Veprimit identifikojnë çështjet më prioritare që kanë nevojë për ndërhyrje të menjëhershme dhe në bazë të tyre do të bëhen përpjekje maksimale për t’i siguruar fëmijës mbrojtje dhe kujdes të nevojshëm, me qëllim që ai të jetë i mbrojtur nga të gjitha format e diskriminimit.

Kështu tha zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj, për të shtuar se Republika e Kosovës i jep theks të veçantë mbrojtjes së interesit të fëmijës, respektimit të lirisë dhe shprehjes së tij.

“Ky dokument hap rrugë për zbatimin e shumë projekteve që përmirësojnë jetën e fëmijëve në Kosovë. Po ashtu, krijon parakushtet për raportimin e Kosovës në instrumentet ndërkombëtare, gjë të cilën jemi të përkushtuar ta bëjmë, duke i respektuar plotësisht normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve”, tha Manaj.

Shefi i zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Johanes Uedening, duke lavdëruar Qeverinë e Kosovës për miratimin e kësaj strategjie, tha se përfitimet afatgjate, të cilat janë të qëndrueshme për zhvillim, kërkojnë investime në shëndetësi, në mbrojtjen dhe edukimin e fëmijëve, e këto, tha ai, bëjnë pjesë në Strategjinë dhe Planin e Veprimit.

“Ky dokument mund të bëjë ndryshime të vërteta në jetën e fëmijëve dhe përbën një platformë për avancimin e të drejtave të tyre në Kosovë”, tha Uedening, duke shtuar se pjesët specifike të caktuara të dokumentit, lidhin objektivat për rritjen e shëndetësisë, arsimit, shërbimeve sociale dhe zhvillimit të një sistemi të drejtësisë për të miturit.

Në anën tjetër, Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, tha se mbrojtja e të drejtave të fëmijëve ende paraqitet si sfidë e madhe në Kosovë.

Përveç faktit se ekziston një kornizë e mirë ligjore për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, Kurteshi tha se ka mungesë në mbrojtjen efektive institucionale dhe se nuk ka zbatim të mjaftueshëm të dispozitave ligjore përkatëse.

“Kushtetuta e Kosovës, në Nenin 22, parasheh zbatimin e drejtpërdrejtë të Konventës për të Drejtat e Fëmijës”.

“Konventa për të Drejtat e Fëmijës kërkon nga autoritetet publike që t’i marrin të gjitha masat për të garantuar mbrojtjen, respektimin dhe promovimin e të gjitha të drejtave të fëmijëve, përmes nxjerrjes së ligjeve relevante, si dhe krijimin e mekanizmave kontrollues dhe zbatues të këtyre ligjeve”,
deklaroi Kurteshi.

Ndërkaq, nxënësja Lorina Haziri, kërkoi nga autoritetet kompetente që Strategjia dhe Plani Nacional i Veprimit të fillojnë të zbatohen dhe mos të mbeten vetëm në letër.

“Shpresojmë që edhe vendi ynë, si shtet i ri që është, do t’i ndjekë hapat e shteteve të zhvilluara, të cilat në mënyrë permanente kujdesen për të drejtat e fëmijëve. Ne po ashtu shpresojmë se strategjia, në hartimin e së cilës morëm pjesë edhe ne fëmijët, të jetë e zbatueshme nga të gjitha institucionet përkatëse, në mënyrë që edhe ne fëmijët të jemi të lumtur dhe t’i gëzojmë të drejtat tona”, u shpreh Lorina.

Sidoqoftë, gjatë publikimit të Strategjisë, u tha se Qeveria e Kosovës me këtë mekanizëm synon të arrijë standardet ndërkombëtare të të drejtave të fëmijëve, të përcaktuara në Konventën për të Drejtat e Fëmijës.
XS
SM
MD
LG