Ndërlidhjet

Interpoli dhe Europoli – synime të arritshme


Anëtarësimi i plotë i Sindikatës së Policisë së Kosovës në Konfederatën Evropiane të Policisë – Eurocop, do të bëhet së shpejti, ndërkohë që për anëtarësimin në Interpol dhe Europol, Kosova duhet të plotësojë dhe disa kritere. Këtë bindje shprehu presidenti i Eurocop-it, Hajnc Kifer.


Anëtarësimi i plotë i Sindikatës së Policisë së Kosovës në Konfederatën Evropiane të Policisë – Eurocop, do të bëhet së shpejti.

Kjo u bë e ditur gjatë një konference për media në Prishtinë nga presidenti i këtij institucioni policor, Hajnc Kifer, i cili theksoi se do t’i mbështesë përfaqësuesit e Sindikatës në arritjen e synimeve të tyre.

“Anëtarësimi i Policisë së Kosovës, përkatësisht i Sindikatës në Eurocop, nuk është ndonjë problematikë, kjo mund të bëhet menjëherë. Ndërsa, anëtarësimi në organizatat e tjera policore, si Interpoli apo Europoli, mund të ketë kritere, të cilat duhet të plotësohen nga Policia e Kosovës. Por, kjo lidhet shumë ngushtë me anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat evropianë”.

“Duke u nisur nga kjo që unë po e shoh dhe sa funksionale është Policia e Kosovës, Kosova nuk është shumë larg anëtarësimit në këto organizata policore”,
tha Kifer.

Për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, presidenti i Eurocop-it, Kifer, kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të krijojë kushte më të mira për Policinë e Kosovës.

Ai theksoi se Qeveria kosovare duhet t’i respektojë marrëveshjet e bëra me Sindikatën e Policisë, për një mirëqenie më të mirë për policët.

“Unë e kuptova se gjatë kohës sime këtu, Ligji mbi Policinë në Kosovë ka hyrë në fuqi në vitin 2008, ligj ky i cili e përcakton përmirësimin e mirëqenies sociale të Policisë së Kosovës, përfshirë: pagat shtesë, rrezikun në punë, punën jashtë orarit. Por, që të gjitha këto nuk implementohen”.

“Po ashtu, një marrëveshje, e cila është arritur mes Qeverisë së Kosovës dhe Sindikatës, nuk është duke u respektuar”,
tha Kifer.

Duke e quajtur Policinë e Kosovës si polici mjaft efikase, ai pohoi se Qeveria e Kosovës duhet t’i kushtojë një vëmendje më të madhe avancimit të saj, pasi që, siç tha ai, nëse nuk do të bëhet kjo, do të ketë pasoja të mëdha të ofrimit të sigurisë në vend.

Në anën tjetër, kryetarja e Sindikatës së Policisë së Kosovës, Valbona Kamberi, ritheksoi edhe një herë kërkesat e Policisë së Kosovës.

“Krejt çka është dhe çka ne po përpiqemi të bëjmë, është sigurimi shëndetësor. Ky është një prioritet i veçantë, për arsye të rasteve që ne i kemi çdo ditë. Ne po përpiqemi që atë sigurim shëndetësor ta bëjmë përmes buxhetit të Kosovës dhe jo përmes buxhetit të Policisë së Kosovës”, tha Kamberi.

Aktualisht, është UNMIK-u ai që shkëmben informacione me Interpolin në emër të Kosovës.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës është duke përgatitur infrastrukturën e brendshme dhe po lobon për të siguruar votat e nevojshme për anëtarësim në Interpol dhe Europol.
XS
SM
MD
LG