Ndërlidhjet

Dënohet “Grupi i Llapit”


Gjykata e Qarkut në Prishtinë

Gjykata e Qarkut në Prishtinë

Një trup gjykues i përzier, i përbërë nga një gjykatës kosovar dhe dy gjykatës të EULEX-it, nën akuzat për krime lufte, ka dënuar Rrustem Mustafën me 4 vjet burg, Latif Gashin me 6 vjet burg dhe Nazif Mehmetin me 3 vjet burg.




Sot, në Gjykatën e Qarkut, një trup gjykues i përzier, i përbërë prej një gjykatësi kosovar dhe dy gjykatësve të EULEX-it, ka shpallur fajtorë pjesëtarët e të ashtuquajturit “Grupi i Llapit”, në mesin e të cilëve është edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rrustem Mustafa.

Në një komunikatë për media të EULEX-it njoftohet se Rrustem Mustafa është shpallur fajtor “për krime të luftës për shkak të trajtimit çnjerëzor të civilëve të paraburgosur dhe krime të luftës për shkak të rrahjes dhe torturimit të civilëve të paraburgosur”. Ai u dënua me 4 vjet burg.

Gjithnjë sipas komunikatës së EULEX-it, Latif Gashi u shpall fajtor “për krime të luftës për shkak të trajtimit çnjerëzor të civilëve të paraburgosur dhe krime të luftës për shkak të rrahjes dhe torturimit të civilëve të paraburgosur”. Latif Gashi u dënua me 6 vjet burg.

Edhe Nazif Mehmeti është shpallur fajtor nën akuza të njëjta për “krime të luftës për shkak të trajtimit çnjerëzor të civilëve të paraburgosur dhe krime të luftës për shkak të rrahjes dhe torturimit të civilëve të paraburgosur”. Nazif Mehmeti u dënua me 3 vjet burg.

Krimet për të cilat ngarkohen tashmë të dënuarit, thuhet se kanë ndodhur nga muaji tetor i vitit 1998 deri nga mesi i qershorit të vitit 1999.

Rigjykimi ndaj të akuzuarve ka nisur më 7 korrik të këtij viti në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Sipas EULEX-it, gjatë seancës së provave të këtij rigjykimi janë mbajtur dymbëdhjetë seanca dëgjimore, ndërsa lënda ishte ndjekur nga një prokuror i EULEX-it.

Në komunikatë për media sqarohet se lënda ishte hetuar gjatë vitit 2001 deri në vitin 2002 dhe për herë të parë u paraqit në gjykatë në vitin 2003, kur edhe u morën aktgjykimet dhe u shqiptuan dënimet.

Me vendim të Gjykatës Supreme të Kosovës qe kërkuar të bëhet rigjykimi dhe ridënimi.

Të dënuarit, sipas zyrtarëve të EULEX-it, mund të ushtrojnë ankesë ndaj vendimit.
XS
SM
MD
LG