Ndërlidhjet

logo-print

Qetësohet situata me nxënësit


Qendra Emergjente në Prishtinë

Qendra Emergjente në Prishtinë

Situata e nxënësve të sëmurë në Fushë Kosovë, është stabilizuar. Zyrtarë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës njoftojnë se në trajtim mjekësor janë vetëm 2 nxënës, nga 123 që kanë kërkuar ndihmë mjekësore.



Zyrtarë shëndetësorë njoftojnë se gjendja e nxënësve të sëmurë, të shkollës së mesme “Hivzi Sylejmani” dhe asaj fillore “Sulejman Riza, në Fushë Kosovë, është e mirë.

Zëdhënësi i Qendrës Klinike Universitare, Shpend Fazliu, tha se gjendja është e qetë dhe se nuk ka pasur ndonjë rast të ri të paraqitur në QKUK.

“Sot, në bazë të informatave, të cilat i kam marrë nga të gjitha klinikat dhe Qendra Klinike Universitare, në trajtim janë vetëm 2 persona. 121 raste vetëm janë liruar dhe janë në shtëpi”.

“Edhe këto 2 raste, në bazë të ekspertëve të infektologjisë, janë jashtë rrezikut për jetë, kanë simptomalogji të lehtë dhe pritet të lirohen. Nuk ka arsye për shqetësim në mesin e qytetarëve”,
tha Fazliu.

Islam Shabani, drejtori komunal për arsim në Fushë Kosovë, bëri të ditur se mësimi në shkollën fillore dhe atë të mesme të këtij qyteti nuk është duke u zhvilluar sot.

“Sot, një pjesë e nxënësve ka ardhur për të filluar shkollën, por ne i kemi kthyer, duke iu thënë se do t’i njoftojmë për vijimin e mësimit në ditët e ardhshme përmes medieve. Në shkollat tjera është duke u mbajtur normalisht dhe deri më tani nuk kemi ndonjë incident”, deklaroi Shabani.

Ndërsa, shefi i Zyrës për marrëdhënie me publikun në Policinë e Kosovës, Baki Kelani, theksoi se patrullimet e policisë në hapësirat në afërsi të shkollave janë duke vazhduar.

“Policia, si pasojë e kësaj situate, ka ngritur shkallën e vigjilencës policore në patrullime shtesë në afërsi të të gjitha shkollave të mesme dhe fillore të Republikës së Kosovës. Sipas informacionit që kemi nga QKUK-ja, gjendja është e qetë”, tha Kelani.

Sa u përket mostrave, zëdhënësi i Qendrës Klinike Universitare, Shpend Fazliu, tha se janë marrë analizat biokimike te një numër i konsiderueshëm i rasteve dhe se kanë rezultuar në vlera normale. Ndërkaq, sa u përket analizave toksikologjike, ai tha se ato do të dërgohen jashtë vendit.

“Jemi në kontakt më Ministrinë e Shëndetësisë, me Ambasadën Amerikane dhe të gjitha ambasadat tjera dhe presim shpejt që të vendosim se ku do të shkojnë këto mostra për vërtetim të asaj se çka ka ndodhur”.

“Nuk mund të japim ndonjë datë se kur do të kryhet kjo, mirëpo sa më shpejt që do të jetë e mundur. Deri atëherë nuk dëshirojmë të paragjykojmë”,
u shpreh Fazliu.

Nxënësit e sëmurë kanë shfaqur simpotma të ngjashme, si pengesa në frymëmarrje, dhimbje koke e barku, plogështi si dhe shenja të një reagimi kolektiv psikologjik.

Qeveria e Kosovës u ka bërë thirrje “të gjithëve që të përmbahen nga përfundimet e gabuara që mund të sjellin panik e konfuzion në opinion” lidhur me rastin e nxënësve të sëmurë në Fushë Kosovë.

Qeveria ka siguruar qytetarët se “organet kompetente janë duke hulumtuar të gjitha shkaqet e sëmurjes së nxënësve”.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG