Ndërlidhjet

Kosova gjatë këtij viti do të ketë rritje ekonomike 4.4 për qind, parashikojnë zyrtarë qeveritarë. Por, për realizimin e kësaj ngritjeje gjatë kësaj periudhe, ekspertë të ekonomisë japin vlerësime të ndryshme.


Sipas parashikimeve të Qeverisë së Kosovës, deri në vitin 2009, Kosova do të ketë rritje ekonomike 4.4 për qind. Por, ekspertë për çështje ekonomike japin vlerësime të ndryshme lidhur me realizimin e kësaj ngritjeje deri në fund të këtij viti.

Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se nuk është e qartë se në cilët indikatorë janë bazuar autoritetet kompetente, që Kosova të ketë një rritje prej 4.4 për qind.

Ai shpreh bindjen se deklarimet e qeverisë i tejkalojnë edhe parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, sipas të cilave, rritja ekonomike në Kosovë për këtë vit nuk mund të jetë më e lartë se 3.4 për qind.

“Kur Kosova eksporton para të gatshme, kur investimet e huaja direkt, jo vetëm që janë minimizuar apo kanë rënë deri në 10 për qind, por kanë trend të rënies edhe më tutje, shkalla e papunësisë është në rritje, kur varfëria ekstreme është në rritje”.

“Të dilet të thuhet se rritja ekonomike do të jetë 4.4 për qind, ndërsa eksportohen 1 miliard e 800 mijë deri në 2 miliardë euro për importet e produkteve të ndryshme, vërtet është trimëri dhe guxim i qarqeve të caktuara qeveritare që të dalin me deklarata të tilla”,
thotë Gërxhaliu.

Gjatë publikimit të raportit për periudhën janar-qershor, zyrtarë nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave kanë deklaruar se ngritja ekonomike bazohet në katër sektorë: në sektorin real, fiskal, financiar dhe atë të jashtëm.

Element tjetër pozitiv, sipas zyrtarëve, është edhe ecuria e të hyrave në buxhetin e Kosovës, që, siç thonë ata, ka shënuar një ngritje prej 3 për qind.

Por, Safet Gërxhaliu thotë se i vetmi parametër në të cilin, siç duket, është bazuar qeveria, është rritja e konsumit.

“Absolutisht, i vetmi indikator që ka mundur të përjetojë një rritje në bazë të konsumit qoftë ditor, qoftë familjar, qoftë institucional. Por, për parametrat tjerë zhvillimorë është pak e vështirë dhe e rrezikshme të thuhet se kanë rritje”, shprehet Gërxhaliu.

Ndryshe mendon eksperti tjetër i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi. Ai thotë se ngritja ekonomike prej 4. 4 për qind mund të realizohet, duke pasur parasysh, siç shprehet ai, trendet pozitive në ekonominë globale.

“Ky 4.4 përqindësh, i cili tashmë është opsion aktual i Qeverisë së Kosovës, duke marrë parasysh zbutjen e krizës, qoftë krizën botërore, qoftë edhe brenda në Kosovë, si dhe aktivizimin e disa kapaciteteve prodhuese, të cilat patën ndërprerë prodhimin, për shkak të rënies së madhe të çmimeve në treg, siç është Trepça dhe Ferronikeli“, thotë Rexhepi.

Ndryshe, vitin e kaluar, sipas vlerësimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, 5.4 për qind ka qenë rritja ekonomike në Kosovë, e që është mbështetur në donacione të qëndrueshme, në remitencat e dërguara nga emigrantët, si dhe në një rritje të konsiderueshme të investimeve publike.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG