Ndërlidhjet

"Nuk ndihemi fajtorë dhe nuk jemi pjesë e asaj që shkruan në aktgjykim". Kështu e komentoi deputeti Rrustem Mustafa, vendimin e trupit gjykues të Gjykatës së Qarkut, që shpalli fajtorë dhe dënoi me disa vite burg të akuzuarin Mustafa, si dhe Latif Gashin e Nazif Mehmetin, të njohur si “Grupi i Llapit”.


Pjesëtarët e të ashtuquajturit “Grupi i Llapit”, në mesin e të cilëve është edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rrustem Mustafa, e cilësuan si të padrejtë, të papritur dhe të influencuar vendimin e Gjykatës së Qarkut, e cila, nën akuzat për krime lufte, dënoi Rrustem Mustafën me 4 vjet burg, Latif Gashin me 6 vjet burg dhe Nazif Mehmetin me 3 vjet burg.

Në një konferencë për media, në të cilën, përveç Gashit, ishin të pranishëm dy të dënuarit e tjerë dhe avokati mbrojtës i tyre, deputeti Mustafa tha se ndihet i pafajshëm dhe shprehu bindjen se në vendimin e trupit gjykues ka pasur ndërhyrje nga jashtë - ndërhyrje këto të cilat ai nuk deshi t’i precizojë.
Sot, mendoj se ka qenë një ndërhyrje e gabueshme në drejtësi. Është një ndërhyrje nga jashtë... Nuk jemi pjesë e asaj që shkruan sot në aktgjykim.

“Sot, mendoj se ka qenë një ndërhyrje e gabueshme në drejtësi. Është një ndërhyrje nga jashtë. Ka qenë një ndërhyrje që s’e kemi pritur. Është një ndërhyrje e padrejtë. As unë, as zoti Latif Gashi, i cili sot veç shkon në vuajtje të dënimit, dhe as Nazif Mehmeti nuk e ndjejmë veten fajtorë”.

“Nuk jemi pjesë e asaj që shkruan sot në aktgjykim“,
tha Mustafa, duke shprehur bindjen se vendimi final i Gjykatës Supreme për këtë çështje do të shkojë në favor të tij dhe dy të dënuarve të tjerë, Latif Gashi e Nazif Mehmeti.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Rrustem Mustafa, beri të ditur se do të vazhdojë punën e tij si deputet në legjislativin kosovar.

“Lidhja ime me Parlamentin e Kosovës është ajo që ka qenë. Unë jam deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ju e dini se në cilën fazë jemi - jemi në fazën e një vendimi, i cili nuk është i plotfuqishëm”.

“Është dhe një shkallë tjetër. Ne sot kemi filluar t’i bëjmë ankesat e nevojshme dhe do të shfrytëzojmë rrugët ligjore, për të cilat kemi luftuar dhe i kemi sjellë deri këtu”,
tha ai.

Trupi gjykues, i përbërë nga një gjykatës kosovar dhe dy të EULEX-it, shpalli fajtor Latif Gashin “për krime të luftës për shkak të trajtimit çnjerëzor të civilëve të paraburgosur dhe krime të luftës për shkak të rrahjes dhe torturimit të civilëve të paraburgosur”.

Gjykata e Qarkut në Prishtinë
Gashi, sipas vendimit, pritet që gjatë ditës të dërgohet në paraburgim. Mirëpo, sipas avokatit mbrojtës, Mexhit Syla, ekzistojnë mospërputhje dhe mospërfillje të dispozitave ligjore dhe rekomandimeve në mes të aktvendimit të Gjykatës Supreme, i cili e kishte kthyer lëndën në shqyrtim pas marrjes së aktvendimeve dhe shqiptimit të dënimit në vitin 2003 dhe vendimit të Gjykatës së Qarkut.

“Në aktgjykimin e shkruar nuk ka gjetje, sipas të cilave Latif Gashi ka kryer ose ka urdhëruar rrahjen e Millan Stankoviqit në Bajgorë. Është gjetje e Gjykatës Supreme, si organ më i lartë i drejtësisë në Kosovë”.

“Trupi gjykues i gjykatës së shkallës së parë, përkundër këtij konstatimi, Latif Gashin e shpall fajtor edhe për këtë vepër, edhe ia shqipton dënimin që keni dëgjuar e që është bërë i ditur
”, tha Syla, për të shtuar se do t’i paraqesë ankesat e nevojshme për vendimin e Gjykatës së Qarkut.

Krimet, për të cilat ngarkohen tashmë të dënuarit, thuhet se kanë ndodhur nga muaji tetor i vitit 1998 deri nga mesi i qershorit të vitit 1999.

Rigjykimi ndaj të akuzuarve ka nisur më 7 korrik të këtij viti në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG