Ndërlidhjet

Mungesa e laboratorit të toksikologjisë


Ekspertët e shëndetësisë në Kosovë thonë se mungesa e një laboratori toksikologjik nuk arsyetohet me asgjë dhe se duhet të bëhen më shumë përpjekje në këtë drejtim. Ndërkaq, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë pohojnë se do të shqyrtohen mundësitë për hapjen e një laboratori të tillë.


Mungesa e laboratorit për analiza toksikologjike në Kosovë ka ngritur shqetësime tek ekspertët e shëndetësisë në vend.

Ky shqetësim vjen pas helmimit së 123 nxënësve në dy shkolla, atë fillore dhe të mesme, në Fushë-Kosovë, ku në mungesë të një laboratori të tillë, mostrat u desh të dërgoheshin jashtë vendit.

Eksperti i shëndetësisë, Ilir Tolaj, thotë se Kosova ka nevojë të madhe për një laborator toksikologjik.

“Praktikisht, nuk është hera e parë që kemi hasur në një situatë të tillë, e cila ka qenë jo e qartë në aspektin klinik, po edhe të shkakut për një sjellje të caktuar të një numri të madh të personave”.

“Edhe në vitin 1990 kemi pasur një situatë të tillë me një numër edhe më të madh të personave të prekur dhe se edhe atëherë problemi kryesor që u paraqit rreth diagnostikimit të drejtë të asaj situate dhe asaj gjendjeje, ishte mungesa e një laboratori toksikologjik në Kosovë”,
thotë Tolaj.

Mungesa e një laboratori të tillë në Kosovë, sipas Tolajt, nuk arsyetohet me asgjë. Ai kërkon nga autoritet shëndetësore që të bëjnë përpjekje më të mëdha në këtë drejtim.

“Domosdo që një vend, i cili është i pavarur dhe që ka çdo nivel të funksionimit të sistemit shëndetësor, nëse asgjë tjetër, të paktën në letër, siç është niveli primar, sekondar dhe terciar, domosdo duhet të ketë edhe një laborator të tillë dhe duhet t’i ketë toksikologët e vet. Mungesa e tij edhe 10 vjet pas luftës, e shumë e shumë vjet pas një gjendjeje si ajo e vitit 1990, nuk arsyetohet me asgjë”, thekson Tolaj.

Ndërsa, drejtori i Zyrës për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, thotë se Kosova është një shtet i ri, në zhvillim e sipër dhe në përputhje me kapacitetet ekonomike, bën edhe zhvillimin e programeve dhe institucioneve të ndryshme shëndetësore.

Kosova nuk ka pasur edhe laborator për analizë të mostrave të gripit të derrit, të shpezëve dhe atij sezonal, por dihet se para pak ditëve është përuruar një laborator i tillë dhe kjo mungesë nuk ekziston më”.

“Sigurisht, që në të ardhmen do të vlerësohet situata dhe do të shikohen mundësitë të zhvillohet edhe një laborator për toksikologji, i cili nuk mungon vetëm në Kosovë, por mungon edhe në shtetet tjera që kanë potenciale të krahasueshme ekonomike me Kosovën”,
shpjegon zëdhënësi Hoti.

Ai thotë se është e padrejtë të bëhen akuza për diçka që nuk është vetëm në mundësinë e një institucioni.Zhvillimi i një laboratori apo instituti për toksikologji, sipas tij, është pjesë e programeve kapitale.

“Ministria, aktualisht, po mendon që të zhvillojë diçka në atë drejtim. Ministria e Shëndetësisë në këtë mandat ka bërë investime të ndryshme”.

“Në kuadër të këtij mandati është edhe laboratori i përuruar ditë më parë dhe, sigurisht, që në një të ardhme të afërt edhe Kosova do të bëhet pjesë e atij grupi të shteteve që kanë institute të avancuara për toksikologji”,
thotë ai.
XS
SM
MD
LG