Ndërlidhjet

Zbatimi i protokollit policor


Qeveria e Kosovës bën të ditur se është njoftuar nga EULEX-i për takimet që ky mision do të zhvillojë me zyrtarë të shtetit serb për të jetësuar marrëveshjen e 11 shtatorit, për bashkëpunim policor. Opozita vlerëson se edhe ekzekutivi kosovar do të bëhet pjesë e zbatimit të kësaj marrëveshje.


Qeveria e Kosovës thotë se është informuar nga misioni i Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë për takimet që ky mekanizëm do të zhvillojë në fund të javës së parë të tetorit me përfaqësuesit e shtetit serb, në lidhje me zbatimin e marrëveshjes për bashkëpunim policor EULEX-Serbi.

Mirëpo, sipas zyrtarëve të ekzekutivit kosovar, Kosova nuk do të jetë palë e këtyre takimeve, andaj dhe, siç thuhet, nuk ka obligime për këtë çështje.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë për Radion Evropa e Lirë se bashkëpunimi me EULEX-in në fushën e sundimit të ligjit do të ndodhë vetëm në kuadër të ligjeve, të Kushtetutës së Kosovës dhe bazuar në ftesën, të cilën Kosova ia ka bërë misionit evropian.

Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër i Kosovës
Unë mendoj se raportet me EULEX-in janë korrekte dhe bashkëpunimi është i plotë. Ne do të bashkëpunojmë për fushat e rendit e të ligjit-ato që parashihen me ligjet tona dhe me Kushtetutë, si dhe me ftesën që i kemi bërë EULEX-it. Për ato që nuk janë marrëveshje të Qeverisë së Kosovës, mendoj që as nuk kemi qenë palë dhe as nuk kemi obligime”, thekson zëvendëskryeministri Kuçi.

Takimi që zyrtarët e EULEX-it pritet të zhvillojnë me përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë, është i pari i këtij lloji që kur është nënshkruar marrëveshja për bashkëpunim policor.

Ky takim është konfirmuar për datën 7 tetor në Beograd, në të cilin do të diskutohen anët praktike të marrëveshjes teknike. Kjo marrëveshje teknike do ta përmirësojë bashkëpunimin rajonal për luftimin e krimit, si dhe për përmirësimin e komunikimit”.

“Qeveria e Kosovës është e informuar lidhur me këtë takim. EULEX-i konsultohet nga afër me Qeverinë e Kosovës për të gjitha çështjet që janë të lidhura me mandatin e tij, e që kanë për qëllim të sigurojnë përfitime konkrete për gjendjen e sundimit të ligjit në Kosovë.”,
thuhet, ndër të tjera, në komunikatën e EULEX-it të lëshuar ditë më parë.


Përfaqësues të këtij misioni, kohë më parë, kishin bërë të ditur se shkëmbimi i informatave në mes të Policisë serbe, asaj të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës mund të ndodhë vetëm me miratimin e të gjitha palëve.

Në lidhje me qasjen e EULEX-it në të dhënat e policisë së Kosovës, zoti Kuçi shprehet:

Kemi përgatitur ligjin për mbrojtjen e të dhënave që dërgohen në Kuvendin e Kosovës. Mendoj se bashkëpunimi me EULEX-in është i plotë në këtë drejtim, edhe sa u përket të dhënave dhe informatave të tjera, të cilat kërkojnë një transparencë, edhe nga institucionet e Kosovës përballë EULEX-it, por edhe të EULEX-it përballë institucioneve të Kosovës”.


Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-së
Ndërsa, opozita kosovare mendon se kundërshtimi i Prishtinës zyrtare për të qenë palë e zbatimit të marrëveshjes për bashkëpunim policor EULEX-Serbi është vetëm, siç thuhet, një farsë e institucioneve kosovare.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, beson se procesi i udhëhequr nga EULEX-i për zbatimin e marrëveshjes për policinë me Serbinë dobëson fuqinë e institucioneve shtetërore të Kosovës.

“Ata me fjalë e thonë se janë kundër, por megjithatë, me veprimet që i kanë bërë deri tani, po tregojnë se janë në vijë të njëjtë”,
thotë Isufi.

Përveç marrëveshjes në fushën e policisë, tashmë është paralajmëruar dhe nënshkrimi i marrëveshjeve të ngjashme ndërmjet EULEX-it dhe Beogradit zyrtar për drejtësinë dhe doganat.
XS
SM
MD
LG