Ndërlidhjet

Pozicione të ndryshme rreth decentralizimit


Spektri politik i serbëve të Kosovës edhe më tutje vazhdon të mbajë pozicione të ndryshme për përfshirjen në procesin e decentralizimit dhe krijimit të komunave të reja, me gjithë rëndësinë dhe interesin e përbashkët që ka ky proces për komunitetin e tyre .


Ndonëse decentralizimin dhe krijimin e komunave të reja i vlerësojnë si shumë të rëndësishme dhe në interes të bashkësisë së tyre etnike, serbët e Kosovës, megjithatë mbajnë pozicione të ndryshme në lidhje me pjesëmarrjen e tyre në këto procese.

Spektri politik i komunitetit serb që bojkoton institucionet e Kosovës kërkon një konsensus brenda subjekteve serbe për krijimin e parametrave, mbi të cilët do të ndërtohej platforma për decentralizimin.

Ndërkaq, subjektet që marrin pjesë në institucione, kryesisht preferojnë rrugën institucionale e ligjore, që parashihet me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës.

Mirëpo, sipas kryetarit të Këshillit Nacional Serb, Dragan Veliq, serbët duhet të ulen dhe të bisedojnë, në prani edhe të Qeverisë së Serbisë, deri në arritjen e një konsensusi mes tyre në lidhje me proceset që konsiderohen vitale për këtë komunitet, përfshirë aty edhe decentralizimin.

Me një koordinim me Beogradin duhet të caktojmë një minimum, nën të cilin bashkësia serbe nuk do të lëshonte pe. Ky minimum nënkupton një marrëveshje gjithëpërfshirëse të serbëve, pavarësisht përkatësisë partiake”, thotë Veliq.

Sipas tij, decentralizimi mund të zhvillohet nën mbikëqyrjen e bashkësisë ndërkombëtare, duke e definuar atë si neutral karshi statusit të Kosovës.

Kërkojmë që ky proces të vihet nën ombrellën e Këshillit të Evropës, si edhe Kombeve të Bashkuara, në mënyrë që ai të jetë garant i zgjidhjes së problemeve në Kosovë”, pohon Veliq.

Në anën tjetër, këshilltari për komunitete i kryeministrit të Kosovës, Srxhan Sentiq, thotë se institucionet e Kosovës mund të jenë garantuese të zbatimit të decentralizimit dhe krijimit të komunave të reja.

“Institucionet që ne do t’i krijojmë si Qeveri e Kosovës përmes decentralizimit, do të ndihmojnë shumë edhe procesin e kthimit të të zhvendosurve, marrë parasysh se ka rreth 5 mijë serbë që ende jetojnë në qendrat e banimit kolektiv nëpër Serbi. Kështu, ata do të mund të ktheheshin dhe të jetonin në komunat e reja që do të krijohen”,
thotë Sentiq.

Sidoqoftë, pozicioni i serbëve karshi institucioneve dhe realitetit të ri në Kosovë, konsiderohet se dallon dukshëm kur bëhet fjalë për serbët që jetojnë në veri, të cilët kryesisht janë të orientuar kah Beogradi dhe kanë organizuar një sistem paralel me institucionet e Kosovës, dhe atyre që jetojnë në pjesën qendrore, të cilët gjithnjë e më shumë konsiderohet se po orientohen kah Prishtina.

Kjo thuhet se dëshmohet edhe me paraqitjen e një numri të madh subjektesh serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale.

Marrë parasysh gjendjen në veri të Kosovës, është paralajmëruar që atje BE-ja të caktojë dhe një koordinator ndërkombëtar. Për këtë post, është përmendur ambasadori italian në Prishtinë, Majkëll Gjifoni.

Mirëpo, Zyra e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar në Prishtinë ka kumtuar, përmes një komunikate, se BE-ja ka ende një përfaqësues të vetëm në Kosovë dhe ai është Piter Feith.
XS
SM
MD
LG