Ndërlidhjet

Në shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë vazhdon të përdoret dhunë ndaj nxënësve nga mësimdhënësit. Sipas organizatave për të drejtat e fëmijëve, dhe vetë nxënësve, dhuna fizike dhe psikike në shkollat kosovare edhe më tej vazhdon të përdoret si mjet edukativ.


Përdorimi i dhunës ndaj nxënësve nga ana e mësimdhënësve në shkollat e Kosovës është i pranishëm në format fizike dhe psikike.

Kështu thonë përfaqësues të organizatave që merren me të drejtat e fëmijëve si dhe vetë nxënësit.

Flamuri, nxënës në klasën e dhjetë në gjimnazin “Sami Frashëri”, pohon se edhe pse vetë nuk ka qenë viktimë e dhunës fizike, ka përjetuar dhunë psikike nga ana e mësimdhënësve.

Megjithatë, ai shprehet se ka dëgjuar edhe për raste të dhunës fizike.

“Unë nuk kam qenë viktimë e dhunës, mirëpo kam qenë viktimë e kërcënimeve të ndryshme të arsimtarëve dhe profesorëve në shkollën fillore, të cilët janë kërcënuar si me kërcënime për dhunë, po ashtu edhe me kërcënime psikike, duke i ofenduar nxënësit. Raste konkrete për përdorim të dhunës, kam dëgjuar që ka, por vetë nuk kam qenë”, thotë Flamuri.

Edhe gjimnazisti tjetër, Armend Ibrahimi, pohon se ekziston përdorimi i dhunës nëpër shkolla.

“Vetë fakti se jetojmë në një botë me dhunë, domethënë se ka dhunë edhe nëpër shkolla. Ndoshta nuk ka dhunë fizike, por dhunë psikike po. Nuk ka dhunë vetëm te nxënësit, por dhunë ka edhe prej nxënësve ndaj profesorëve. Dhuna është e pranishme, edhe asnjëherë nuk do të zhduket në atë se nuk do të ketë dhunë, sepse çdo herë dëshirat, qëllimet na shtyjnë të bëjmë gjëra të tilla”, shprehet nxënësi Armend Ibrahimi.

Edhe përfaqësues të Fondit Ndërkombëtar për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara, pohojnë praninë e dhunës fizike dhe psikike nëpër shkollat fillore dhe të mesme në gjithë territorin e Kosovës.

Arbena Kuriu nga ky Fond, thotë se në Kosovë edhe më tutje dhuna vazhdon të përdoret si mjet edukativ.

Ajo, madje, thotë se format e dhunës përdoren në bazë të moshës dhe gjinisë.

Më shumë se 20 për qind të fëmijëve, që janë anketuar nga studimi i UNICEF-it, raportojnë se ka lloje të ndryshme dhunës nga ana e arsimtarëve. Dhunës fizike më së shumti i nënshtrohen djemtë, kurse dhunës psikike vajzat. Fëmijët e moshave më të ulëta i nënshtrohen dhunës fizike, kurse fëmijët e shkollës së mesme i nënshtrohen dhunës psikike, fyerjeve të ndryshme, poshtërimeve dhe kështu me radhë” shprehet Kuriu.

Se dhuna psikike përdoret më tepër te vajzat, tregon edhe Vlera Jusufi, nxënëse në Gjimnazin” Sami Frashëri”. Vlera shpjegon edhe arsyen e përdorimit të kësaj dhune:

“Kjo ndodh ndoshta për arsye se ekziston një numër shumë i madh i nxënësve nëpër klasa; një diskutim i përhershëm, do të thotë një zhurmë, e cila nuk largohet, që në një mënyrë, i acaron arsimtarët ose mësuesit. Ata nuk dëshirojnë që fëmijët t’i ndëshkojnë fizikisht, kështu që u thonë ndonjë fjalë që për ta është një dënim psikik”.

Përdorimi i dhunës, e çfarëdo lloji qoftë ajo, nga ana e mësimdhënësve ndaj nxënësve është shkelja më e rëndë e të drejtave të fëmijëve, thotë Ali Bajgora, udhëheqës i Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve në Prishtinë.

Ai thotë se arsimtarët, duhet të gjejnë mënyra të tjera për zgjidhjen e problemeve eventuale dhe jo përmes përdorimit të dhunës.

“Është një çështje që ka indikacione se ka prezencë, po të paktën vlerësimi ynë si Qendër për të Drejtat e fëmijëve, nga aktivitetet e përditshme që kemi nëpër shkolla, rezulton me atë se shtrohet një nevojë shumë emergjente dhe shumë serioze në kuptim të parandalimit të kësaj dukurie”, thekson Bajgora.

Ndryshe, në bazë të Ligjit mbi Arsimin fillor dhe të mesëm, përdoruesit e dhunës sanksionohen me ligj dhe ndaj këtyre rasteve, sipas ligjit, duhet të ndërmerren masa përkatëse.

Ndërkaq, në Strategjinë dhe Planin Nacional të Veprimit për të Drejtat e Fëmijëve, thuhet se asnjë formë e dhunës kundër fëmijëve nuk është e justifikueshme.

Është qëndrim qartë i institucioneve qeveritare, thuhet në Strategji, se dhuna në shkolla nuk duhet të tolerohet.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG