Ndërlidhjet

logo-print

Autoritetet kosovare thonë se janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme për kthimin e fondit pensional, i cili që nga viti 1999 gjendet në Serbi. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, pa e njohur Serbia shtetin e Kosovës, vështirë se mund të sigurohet kthimi i këtij fondi në Kosovë.


Kthimi i kontributeve të pensionistëve shqiptarë, që në mënyrë antiligjore janë bartur në Serbi, sipas autoriteteve kosovare, është një çështje që vështirë se do të mund të zgjidhej mes Beogradit dhe Prishtinës.

Këshilltari në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Behxhet Gaxhiqi, thotë se janë duke bërë përpjekje për kthimin e këtij fondi në Kosovë.

Janë formuar grupet punuese. Ne jemi duke bashkëpunuar me shumë vende të ndryshme, sidomos me ato vende ku kanë punuar punëtorët, ku edhe i kanë dhënë kontributet. Është divizioni i pensioneve për botën e jashtme që është duke bërë planifikim në këtë kënd. Por, deri më tani, sa i përket shtetit të Serbisë, nuk kemi ndonjë përgjigje”, thotë Gaxhiqi.

Ai pohon se kjo është një çështje politike, e cila, aktualisht, është shumë e vështirë të zgjidhet.

Ndërkaq, përfaqësues të pensionistëve të Kosovës dhe ekspertë të ekonomisë, theksojnë se Prishtina zyrtare duhet të kërkojë nga Beogradi kthimin e kontributeve të pensionistëve kosovarë.

Besim Beqaj, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, pohon se në këtë proces, përveç Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, duhet të përfshihet edhe faktori ndërkombëtar.

Në parim kjo është çështje e bisedimeve teknike, të cilat duhet të bëhen në të ardhmen; absolutisht, duhet të bëhet kërkesë për kontributin dhe tërheqjen e këtyre mjeteve. Kjo do të jetë çështje e suksesionit. Unë shpresoj se suksesioni është paraparë edhe me dokumentin e Ahtisarit”, pohon ai.

Pensionistët e sistemit të dikurshëm pensional vazhdojnë të kërkojnë që autoritetet vendore të bëjnë presion ndaj Serbisë zyrtare, që t'i kthejë kontributet e tyre.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Pensionistëve dhe Invalidëve të Kosovës, Fatmir Fehmiu, thotë se kjo çështje është e drejtë ligjore e pensionistëve kosovarë, e që është e garantuar edhe me konventën ndërkombëtare, kështu që kjo e drejtë, thotë ai, nuk mund të shkelet nga askush.

“Sindikata e Pavarur e Pensionistëve dhe Invalidëve të Kosovës, kohë më parë ka elaboruar dhe ua ka dorëzuar autoriteteve të pushtetit të Kosovës analizën juridike dhe konstruksionin financiar të borxhit të Serbisë ndaj pensionistëve të Kosovës”.

“Si rezultat i kësaj, ka pasuar kërkesa që fondi i Serbisë ta paguajë atë. Sindikata, gjithashtu, ka bërë padi kundër Serbisë për të shpaguar dëmshpërblimin”,
shpjegon ai.

Fehmiu thotë se deri më tani Prishtina zyrtare nuk ka bërë asgjë për kthimin e kontributeve të tyre, të cilat iu takojnë me ligj.

Ndryshe, me rrënimin e autonomisë së Kosovës nga ish-Jugosllavia, në mënyrë antiligjore kontributet e pensionistëve shqiptarë janë bartur
në Serbi.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG