Ndërlidhjet

El Baradei: Irani i lejon inspektorët


 Mohamed el Baradei
Mohamed el Baradei

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA), Mohamed el Baradei, tha se inspektorëve të agjencisë u është mundësuar qasja në uzinën e re për pasurimin e uraniumit në Iran.


Në një konferencë për shtyp në Teheran, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, El Baradei, pohoi se zyrtarët iranianë janë dakorduar që inspektorët e agjencisë ta vizitojnë uzinën më 25 tetor.

Fuqitë botërore, të cilat dyshojnë se Irani po përpiqet të ndërtojë bombë bërthamore, kanë kërkuar që Irani të lejojë inspektimin e plotë të uzinës së re, që është ndërtuar afër qytetit Kom.

“Na duhet transparencë nga ana e Iranit dhe na duhet bashkëpunimi nga ana e komunitetit ndërkombëtar. Shoh se tani jemi një pikë kritike. Shoh se po shmangemi nga konfrontimi në transparencë dhe bashkëpunim”,
theksoi El Baradei.

Ai tha se ky është një çast kritik kur të gjitha palët duhet të ulen bashkë dhe të fillojnë ta ndërtojnë besimin e ndërsjellë.

“Kjo është rruga që na duhet lidhur me çështjen bërthamore dhe për një varg çështjesh, për të cilat Irani dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të punojnë, me shpresë që të arrijnë në pikën ku Irani do të jetë plotësisht i integruar brenda bashkësisë ndërkombëtare”, vlerësoi El Baradei.

El Baradei, po ashtu, tha se zyrtarë amerikanë, francezë, rusë dhe iranianë do të takohen në Vjenë, më 19 tetor.

Ndërkohë, e përditshmja amerikane “Nju Jork Tajms”, sot raportoi se një analizë konfidenciale e personelit të agjencisë ka konkluduar se Irani ka siguruar “informata të mjaftueshme që të jetë në gjendje ta dizajnojë dhe prodhojë” bombën bërthamore bazuar në uraniumin e pasuruar.
XS
SM
MD
LG