Ndërlidhjet

UNMIK-u synon sforcimin e bashkëpunimit


Ndërtesa ku ishte vendosur UNMIK-u
Ndërtesa ku ishte vendosur UNMIK-u

Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Xanier, pritet të zhvillojë një takim me liderët kosovarë në margjinat e mbledhjes së radhës të Këshillit të Sigurimit për Kosovën.


Edhe pse tashmë vepron si mision me një format dhe një rol tjetër nga ai që kishte pasur para rikonfigurimit të tij, UNMIK-u duket se vazhdon të jetë i interesuar për kontakte të vazhdueshme me udhëheqësit e Kosovës.

Edhe pas kërkesës së Prishtinës zyrtare për përmbylljen e këtij misioni në Kosovë, UNMIK-u mirëpret shkëmbimin e vazhdueshëm të informatave me udhëheqësit e Kosovës.

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Rasël Gik, thotë se nuk mund të flitet për një mungesë të bashkëpunimit me institucionet kosovare, por se kontaktet më të shpeshta me liderët kosovarë do t’u kontribuonin të gjitha palëve.

Nuk është se nuk ka fare bashkëpunim; ka bashkëpunim më të madh në nivelin lokal, ku puna jonë me komunitete të ndryshme dhe marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve të ndryshme mbetet shumë e rëndësishme”.

“Ne do të dëshironim të kishim më shumë takime, më shumë shkëmbim informatash dhe të tjera. Megjithatë, nuk është se nuk i kemi këto. Përfaqësuesi Special i Sekretarit Gjeneral do t’i takojë liderët kosovarë në margjinat e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit. Natyrisht se do të ishte dobishme për të gjitha palët të kenë më shumë kontakte”,
thotë zoti Gik.

Ndërkaq, përfaqësues të institucioneve kosovare thonë se me operacionalizimin e misionit evropian për sundimin e ligjit në dhjetor të vitit të kaluar, është zbehur roli i UNMIK-ut në vend.

Sidoqoftë, zëdhënësi i presidencës së Kosovës, Xhavit Beqiri, thotë se kontaktet me shefin e UNMIK-ut nuk janë refuzuar.

“Institucionet e Kosovës kurrë nuk ia kanë mbyllur derën zotit Xanieri. Mirëpo, ju e dini se tashmë në Kosovë funksionon në tërë plotninë e vet EULEX-i. Vetvetiu, roli i EULEX-it e ka vënë në plan të dytë UNMIK-un”, thekson zoti Beqiri.

Megjithatë, Beqiri përsërit qëndrimin e Republikës së Kosovës karshi mandatit të UNMIK-ut në Kosovë.

Roli i UNMIK-ut është i limituar dhe ne do të dëshironim që të shihnim sa më parë një përmbyllje të suksesshme të këtij misioni”, pohon Beqiri.

Roli aktual i UNMIK-ut dhe sfidat, me të cilat ballafaqohet ky mekanizëm në Kosovë, pritet të diskutohen në mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit për Kosovën, më 15 tetor.

Në këtë takim, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, pritet të paraqesë raportin e ri për zhvillimet në Kosovë.

Roli aktual i administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, e cila vepron me një staf prej rreth 500 vetash, do të vazhdojë të përkufizohet nga rezoluta 12 44 e Këshillit të Sigurimit.

“UNMIK-u do të vazhdojë të operojë në kuadër të mandatit të tij bazuar në Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit. Mirëpo, pas ngjarjeve të vitit të kaluar, misioni po merr më tepër një rol politik dhe do të vazhdojë të monitorojë dhe të theksojë këtë rol politik, që përfshin një përqendrim më të madh në angazhimet me të gjitha komunitetet në Kosovë”, shprehet zëdhënësi i UNMIK-ut, Gik.

Veprimet e administratës së OKB-së, në Kosovë, kanë qenë në qendër të kritikave të organizatave të ndryshme joqeveritare, ndërsa angazhimi i saj, sidomos në pjesën veriore të Kosovës është mirëpritur nga Beogradi zyrtar.
XS
SM
MD
LG