Ndërlidhjet

logo-print

“Almhofer: KQZ certifikon rezultatin e zgjedhjeve”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

EPOKA E RE
Në një dokument intern të Komisionit Evropian, i cili i paraprin raportit të progresit, thuhet se situata në Kosovë është stabile, por fragjile, ndërsa potencohet fakti se EULEX-i ka pasur bashkëpunim me Prishtinën zyrtare dhe kërkohet që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen. Komisioni Evropian pritet që për Kosovën ta propozojë nisjen e një procesi që do të kishte për qëllim liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, por që do të jetë me kushtëzime...

KOHA DITORE
Ballkani Perëndimor në përgjithësi ka shënuar një ecje drejt afrimit me BE-në në vitin e fundit, por ka zhvillime shqetësuese në këtë rajon. Në Kosovë është ruajtur stabiliteti, por ai është mjaft fragjil. Në shumicën e vendeve të rajonit korrupsioni mbetet dukuri e përfshirë dhe lufta kundër kësaj dukurie është e mundur vetëm me përkushtimin e sinqertë të autoriteteve. Shqetësim serioz që kërkon hapa urgjentë është çështja e ushtrimit të presionit politik ndaj medieve si dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve. Këto janë ndër shqetësimet, të cilat pritet t’i shprehë Komisioni Evropian në paketën e raporteve të progresit për vendet e përfshira në procesin e zgjerimit të BE-së...

LAJM
Shumica e partive politike akuzojnë partinë kryesore në pushtet, PDK-në, dhe atë në opozitë, AAK-në, se janë duke i shkelur rregullat ligjore për fillimin e fushatës elektorale. Vendosja e pllakateve dhe transmetimi i spoteve televizive nga këto dy subjekte e kanë acaruar klimën politike dhe i kanë ngritur shqetësimet e partive tjera për mbarëvajtjen e mëtutjeshme të procesit elektoral. Ky akt ka dëshmuar pafuqinë e organeve kompetente për mbajtjen nën kontroll të rrjedhës së procesit, në këtë rast Komisionit zgjedhor për ankesa dhe parashtresa për t’i ndalur parregullsitë...

INFOPRESS
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të diskutojë raportin tremujor për gjendjen në Kosovë. Ky diskutim do të bëhet më 15 tetor të këtij muaji. Ndër të tjera, gjatë kësaj mbledhjeje do të diskutohet edhe për misionin EULEX që po vepron në Kosovë. Bëhet e ditur se raporti i rregullt tremujor për zhvillimet në Kosovë është prezantuar nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, përfaqësuesi i tij special në Kosovë, Lamberto Zanier, dhe shefi i misionit të BE-së në Kosovë, Iv de Kermabo. Ky raport, brenda disa ditësh, do t’iu dorëzohet ambasadorëve të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit...

KOSOVA SOT
Përfaqësues të institucioneve dhe të partive politike e kanë vlerësuar me tone pozitive miratimin e Marrëveshjes së Lisbonës nga ana e Irlandës. Por, përveç refleksioneve që mund të ketë në zgjerimin e BE-së, ata nuk janë optimistë që mund të ketë ndonjë efekt më të madh në çështjen e rrumbullakimit të njohjeve për Kosovën edhe nga pesë vendet e mbetura. Traktati i Lisbonës synon të bëjë më efikas procesin e vendimmarrjes së BE-së dhe shihet si dokument me rëndësi kyçe për zhvillimet në të ardhmen e bllokut. Me reformat e Marrëveshjes së Lisbonës parashihet të forcohet roli i Parlamentit Evropian...

EXPRESS
Nënkryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu, ndryshe nga dy vjet më parë, sivjet shfaqet më realist, kur flet për rezultatet që do të arrijë partia e tij në zgjedhjet e 15 nëntorit. Ai pret që në këto zgjedhje LDK dukshëm të avancojë në përqindje dhe parashikon fitore në disa komuna. Por, nuk flet nëse LDK do të arrijë të shndërrohet kësaj vjeshte në partinë e parë, ashtu sikurse ishte dikur. Nënkryetari i parë i LDK-së lutet që më 15 nëntor të mos ketë manipulime me rezultatet e zgjedhjeve...

ZËRI
Komisioni Qendror Zgjedhor për herë të parë do të jetë organizatori kryesor i zgjedhjeve në Kosovë, pasi që para shpalljes së pavarësisë këtë barrë e ka bartur OSBE-ja. KQZ këtë herë do ta bëjë dhe certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit. Ndonëse sipas Pakos së Ahtisarit rezultatet e zgjedhjeve duhet të certifikohen nga ndonjë organizatë relevante ndërkombëtare, shefi i OSBE-së, Verner Almhofer, në një intervistë për “Zërin”, ka theksuar se certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve duhet të bëhet nga Komisioni Qendror Zgjedhor...

BOTA SOT
Ende nuk dihet se kush nga institucionet ndërkombëtare do të vëzhgojë procesin zgjedhor në Kosovë. Zyrtarët e KQZ-së bëjnë të ditur se deri më tani asnjë institucion ndërkombëtar nuk ka kërkuar akreditim në KQZ, në mënyrë që t’i jepet e drejta për të vëzhguar zgjedhjet e 15 nëntorit. Jo zyrtarisht, KQZ-ja ka nisur bisedimet me drejtues të Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Evropës, por gjithçka është në fazën e bisedimeve. Nga ana tjetër, janë organizatat joqeveritare ato që kanë nisur punën e vëzhgimit të procesit zgjedhor...
XS
SM
MD
LG