Ndërlidhjet

logo-print

Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën është mbledhur sot në Prishtinë. Në theks të veçantë u tha se ishin zgjedhjet lokale, për çka vendet anëtare të grupit inkurajuan Prishtinën që të organizojë zgjedhje të lira e demokratike.


Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën i ka përshëndetur të arriturat në Kosovë gjatë muajve të fundit. Ky grup mbledh përfaqësuesit e vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Në takimin e sotëm në Prishtinë ka marrë pjesë dhe ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Stjuart Xhons, përfaqësuesit e vendeve të BE-së që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, përfaqësuesi i Turqisë, si edhe udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe ata të misionit civil ndërkombëtar.

Vendet anëtare i kanë inkurajuar institucionet e Kosovës që të vazhdojnë me përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme komunale, sipas standardeve dhe parimeve për zgjedhje të lira, fer e demokratike.

Piter Feith
Duke i komentuar konkluzionet e këtij takimi, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Piter Feith, tha se anëtarët e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën e kanë vlerësuar lart angazhimin e Kosovës për zbatimin e Planit të Ahtisarit, procesin e deritashëm të decentralizimit, si dhe e kanë inkurajuar Prishtinën të vazhdojë me organizimin e zgjedhjeve lokale.

“Vendet anëtare të këtij grupi drejtues janë pozitivisht të impresionuara me përparimet që janë arritur në Kosovë”, tha Feith.

Ai tha po ashtu se në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme në Qeverinë e Kosovës, vendet e këtij grupi drejtues do t’i përcjellin edhe zhvillimet për Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Sipas tij, Kosovës sot i është premtuar edhe një mbështetje konkrete në këtë proces gjyqësor në Hagë.

Ndërkohë, presidenti Fatmir Sejdiu tha se janë vlerësuar lart të arriturat në Kosovë, por, sipas tij, është evidente se ende ka nevojë për disa hapa konkretë në veri të Kosovës. Ai sërish ftoi serbët që të pranojnë realitetin e ri dhe të integrohen në shoqërinë dhe institucionet e shtetit të Kosovës.
Janë momentet më kyçe dhe më tepër të nevojshme për veprime më energjike në veri - veprime energjike që kanë të bëjnë edhe me proceset integruese...

“Janë momentet më kyçe dhe më tepër të nevojshme për veprime më energjike në veri - veprime energjike që kanë të bëjnë edhe me proceset integruese, por edhe me sundimin e ligjit”.

“Ajo që është e rëndësishme, është se ka një fokus të veçantë tash të punës së EULEX-it. Ne e përshëndesim. Mendoj se rezultatet e para janë të prekshme dhe janë inkurajim i mirë për veprime të tjera, të cilat janë veprime në sens të veprimeve të dobishme për të gjithë qytetarët e Kosovës e në këtë kuadër edhe qytetarët serbë”,
theksoi Sejdiu.

Me vlerësime pozitive nga ky takim është paraqitur edhe kryeministri Hashim Thaçi. Ai tha se tash Kosova ka para vetes organizimin e zgjedhjeve të lira, si dhe pret që Komisioni Evropian t’ia ofrojë Kosovës udhërrëfyesin për t’i përshkruar detyrat dhe obligimet në procesin e integrimeve evropiane.
Mirëpresim udhërrëfyesin evropian për Republikën e Kosovës dhe kjo ndodh për herë të parë në historinë e Kosovës, kjo është e arritur historike...

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar është i impresionuar me të arriturat në Republikën e Kosovës, me funksionalizimin e institucioneve tona demokratike, me angazhimet për demokracinë, për ndërtimin e Kosovës multi-etnike”.

“Nuk duhet harruar se këto janë zgjedhjet e para të lira në Kosovën e pavarur. Gjithashtu, mirëpresim udhërrëfyesin evropian për Republikën e Kosovës dhe kjo ndodh për herë të parë në historinë e Kosovës, kjo është e arritur historike”,
u shpreh Thaçi.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën sot është mbledhur në nivelin e drejtorëve politikë. Në këto takime, vlerësohen të arriturat, por edhe sfidat në zbatimin e Pakos së Ahtisarit. Një prej sfidave kryesore që u përmend edhe sot, mbetet integrimi i pakicës serbe si dhe pjesa veriore.

Piter Feith tha se bashkë me vendet anëtare të Grupit Drejtues Ndërkombëtar janë pajtuar që atje EULEX-i të vazhdojë me shtrirjen e misionit dhe përgjegjësive e funksioneve që janë në mandat të këtij misioni, në shërbim të normalizimit të gjendjes edhe në atë pjesë të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG