Ndërlidhjet

Viti i ardhshëm do t’ia qartësojë Kosovës rrugën për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, duke theksuar se një udhërrëfyes i Komisionit Evropian për këtë çështje do të përshpejtonte procesin për Kosovën.


Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, përgjegjës për procesin e integrimeve evropiane të vendit, shprehen optimistë se në vitin e ardhshëm Kosovës do t’i qartësohet rruga për liberalizim vizash me BE-në.

Ata mirëpresin propozimin e zyrtarëve të Parlamentit Evropian, sipas të cilit, Komisioni Evropian do të duhej të fillonte një dialog me Kosovën për liberalizimin e vizave dhe të formojë një udhërrëfyes, të ngjashëm me atë të shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor, duke mos predispozuar statusin e Kosovës.

Kryeshefi i Agjencisë për Koordinime të Donacioneve, Zhvillim dhe Integrime Evropiane, Edon Cana, thotë se një udhërrëfyes zyrtar do të ndihmonte procesin e përmbushjes së kritereve të Prishtinës zyrtare për liberalizim vizash.

“Me udhërrëfyes të qartë për Kosovën, mendoj se do të përshpejtohet edhe vetë rruga e liberalizimit të vizave, do të përshpejtohet dhe do të dimë saktësisht se çka, edhe në detaje më të vogla, duhet të përmbushim. Jam i bindur që Kosova në vitin e ardhshëm do ta ketë rrugën e qartë sa i përket liberalizimit të vizave”, thotë Cana.

Më 14 tetor, Komisioni Evropian pritet që në kuadër të Raportit të Progresit, të bëjë dhe një analizë të implementimit të Planit për Partneritet Evropian dhe paralelisht të paraqesë një studim për Kosovën.

Eksperti për integrime evropiane në Prishtinë, Fatmir Curri, mendon se këtë vjeshtë do të jetë e vështirë të merret vendimi për t’ia ofruar Kosovës një udhërrëfyes zyrtar për liberalizim vizash.

“Kryesisht do të kemi çështje që lidhen me marrëveshjet tregtare CEFTA dhe ato të liberalizimit të vizave, pra, siç e sheh Komisioni Evropian. Të them të drejtën, nuk jam dhe aq optimist, sepse do të jetë e vështirë nga ana e vendeve të BE-së që të bien kaq shpejt në konsensus për ofrimin e një udhëzuesi për Kosovën”, shprehet Curri.

Një zgjidhje alternative, me të cilën Kosovës do t’i mundësohej një qasje zyrtare në procesin e liberalizimit të vizave, sipas Currit, do të ishte miratimi i një udhërrëfyesi neutral ndaj statusit të vendit.

Me një dokument të tillë, siç pohon Curri, do të tejkalohej pengesa që paraqitet për shkak të mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës nga pesë vende anëtare të BE-së.

“Nëse ka pasur kompromis atë kohë që të instalohen mekanizmat e BE-së në Kosovë, duke qenë neutralë ndaj statusit, ndoshta është mundësi e mirë edhe për Kosovën që të kemi një udhërrëfyes, i cili është neutral ndaj statusit, duke ditur që disa vende, si Spanja, kategorikisht janë kundër çfarëdo marrëdhënieje kontraktuale me Kosovën”, thotë Curri.

Komisioni Evropian më 15 korrik kishte rekomanduar që Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë nga 1 janari i vitit 2010 t’u hiqen vizat - rekomandim ky i cili duhet të votohet nga Këshilli i Ministrave të BE-së në bazë të raportimit të Parlamentit Evropian.

Raportues të këtij mekanizmi, javën që shkoi, propozuan që edhe Bosnjës dhe Shqipërisë t’u hiqen vizat, mirëpo duke përcaktuar kriteret e papërmbushura.

Cana mendon se dallimi në mes të avancimit që do të bëjë Kosova në drejtim të liberalizimit të vizave, nuk do të jetë i madh në raport me këto dy vende të rajonit.

“Në tërësi jemi duke i përmbushur kapacitetet. Është një rrugë plot me sfida edhe për shtetet që janë goxha të avancuara në këtë drejtim, por jemi të bindur që në fund të rrugës ne nuk do të jemi shumë prapa. Pra, Kosova mund të jetë për disa muaj prapa shteteve të tjera të rajonit, por nuk do të jetë prapa Bosnjës dhe Shqipërisë”, thekson Cana.

Disa nga kriteret e vëna nga BE-ja për liberalizmin e vizave për Kosovën janë: zhvillimi i procesit të riatdhesimit, krijimi i pasaportave biometrike, pastaj dhe çështjet që lidhen me sundimin e ligjit, siç është menaxhimi i integruar i kufijve dhe të tjera.
XS
SM
MD
LG