Ndërlidhjet

logo-print

Autoritetet kosovare po prezantojnë potencialet energjetike të Kosovës në forumin dyditor ndërkombëtar “Kosova - mundësi energjetike”, i cili po mbahet në Prishtinë. Këto potenciale, sipas zyrtarëve qeveritarë, do të mundësojnë një zhvillim të shpejtë në këtë sektor, për të cilin, siç thuhet, është krijuar një mjedis i sigurt dhe i favorshëm për investime.


Zyrtarë qeveritarë thonë se Kosova ka vendosur prioritet të parë zhvillimin ekonomik dhe plotësimin e kërkesave për t’u integruar në Bashkimin Evropian, sa më shpejt që kjo të jetë e mundur.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se qeveria ka krijuar një mjedis shumë të sigurt dhe të favorshëm për investime në sektorë të ndryshëm.

“Ne jemi në prag të investimeve të mëdha në sektorin e energjetikës. Ne jemi të gatshëm të vëmë në funksion rezervat e thëngjillit për ngritjen e kapaciteteve të reja energjetike, por kjo do të bëhet vetëm duke respektuar normat më të larta të ruajtjes së ambientit, po ashtu ndërtimin e kapaciteteve të reja të energjisë alternative”, tha Thaçi.

Legjislacioni dhe ligjet që zbatohen në Kosovë, sipas kryeministrit kosovar, janë në përputhje të plotë me standardet evropiane dhe favorizojnë investimet private.

“Sa i përket sektorit energjetik, ne tashmë kemi një strategji të qartë energjetike për periudhën 2009-2018. Qëllimi ynë është që të tërheqim sa më parë dhe sa më shumë investime private. Ne jemi të gatshëm të paguajmë si ekonomi e Kosovës koston objektive të pranueshme për këto investime”, deklaroi Thaçi.

Ndërkaq, ministrja e Energjisë dhe Minierave të Kosovës, Justina Shiroka Pula, tha se Kosova ka për synimin të rrisë sigurinë e furnizimit me energji dhe të përmirësojë cilësinë e këtij furnizimi.

Ajo theksoi se për këtë, qeveria po kryen reforma që përfshijnë përmirësimin e kuadrit ligjor dhe rregullator, në mënyrë që të mundësohet tërheqja e investimeve private në zhvillimin e kapaciteteve të reja gjeneruese, si dhe përmirësimin e sistemeve të transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë.

“Po punojmë për t’i shfrytëzuar gjithnjë e më shumë edhe burimet e ripërtërishme të energjisë, si dhe për të rritur efiçencën e energjisë së përdoruar kudo në ekonominë tonë. Me këtë synojmë ta arrijmë edhe ne deri në vitin 2020 objektivin 20-20-20, që e ka vendosur së fundmi Bashkimi Evropian për shtetet e tij anëtare
”, tha Shiroka Pula.

Edhe administratori i Përgjithshëm i Alb-Konfindustria-s në Shqipëri, Gjergj Buxhuku, shprehu bindjen se Kosova ka burime të shumta energjetike.

“Republika e Kosovës, si shteti ende më i ri në botë, po tregon se mundësitë e saj të shumta energjetike të tokës dhe nëntokës, së bashku me pozicionin strategjik të vendndodhjes së saj, është e gatshme për të dhënë më tepër efektivitet sa më parë në shërbim të rritjes së mirëqenies së qëndrueshme jo vetëm të qytetarëve të saj, por edhe në shërbim të vendeve të rajonit dhe më gjerë, si shembull i vullnetit për integrim të përbashkët sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian”, u shpreh Buxhuku.

Forumi “Kosova – mundësi energjetike” do të zhvillojë punimet edhe nesër. Në këtë forum po marrin pjesë kompanitë më të rëndësishme publike dhe private të prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike nga rajoni, Evropa dhe bota.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG