Ndërlidhjet

logo-print

Në Beograd, Fondi për të Drejtën Humanitare ka prezantuar të dhënat mbi të vrarët dhe viktimat në Kosovë. Sipas drejtoreshës së Fondit, Natasha Kandiq, regjistri përfshin viktimat në periudhën 1998-2000.





Sot, në Beograd, janë bërë publike rezultatet e një pune trevjeçare të Fondit për të Drejtën Humanitare, lidhur me grumbullimin e të dhënave për të vrarët, të vuajturit dhe të zhdukurit në Kosovë.

Drejtoresha e Fondit, Natasha Kandiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se me këtë dokument janë përfshirë prej 95 për qind deri 98 për qind nga numri i përgjithshëm i viktimave: i atyre që kanë vuajtur, janë vrarë apo janë zhdukur.

“Tani jemi në fazën përfundimtare, kur po përpiqemi që me organizimin e paraqitjeve publike, t’i verifikojmë të dhënat përpara se të themi: Më në fund jemi të sigurt se numri i viktimave është i dokumentuar me emër dhe mbiemër”, thotë Kandiq.

Sipas saj, regjistri përfshin viktimat në Kosovë në periudhën 1998-2000.

“Fjala është për një regjistrim të emrave të të vuajturve, të vrarëve dhe të zhdukurve në Kosovë prej janarit të vitit 1998 deri në fund të dhjetorit, 2000”, thotë Natasha Kandiq.

Sipas regjistrit, prej vitit 1998 deri në 2000, në Kosovë kanë pësuar apo konsiderohen të zhdukur 13.421 persona. Sipas Fondit, viktima më e re nga konflikti në Kosovë është njëvjeçari Nexhmedin Krasniqi, me përkatësi rome, i cili ka vdekur në shtëpinë e familjes së tij në Obiliq në vitin 1999, ndërsa viktima më e moshuar është Nada Vasiq (81), e cila në gusht të 1999-ës u zhduk nga banesa e saj në Prishtinë.

Për fatin e 1.886 personave ende nuk dihet asgjë, kurse në mesin e të zhdukurve janë 500 serbë, romë dhe joshqiptarë tjerë, thotë regjistri i cili u bë publik në Kuvendin e Beogradit.

Nga numri i përgjithshëm i viktimave, 10.533 janë shqiptarë, 2.238 serbë, 126 romë, 100 boshnjakë, 40 malazezë, 25 ashkalinj, 18 egjiptianë, 13 turq dhe 10 hungarezë.

"Ky është dokument, nga i cili do të mund të shihet se çka ka ndodhur, kujt i ka ndodhur dhe nën çfarë rrethanash kanë pësuar njerëzit në Kosovë", thotë Kandiq.

Ajo thotë se të dhënat janë mbledhur nga deklaratat e familjarëve apo dëshmitarëve, të cilët për herë të fundit i kanë parë personat e vrarë apo të zhdukur.

Juristja Marijana Toma, e cila tashmë vite me radhë po punon në projektet për ballafaqimin me të kaluarën, thotë për Radion Evropa e Lirë se hartimi i një liste gjithëpërfshirëse të viktimave është i rëndësishëm për disa arsye.

“Fillimisht, është me rëndësi që të gjithë anëtarët e familjeve të tyre, të cilët janë vrarë apo janë zhdukur, të mund të gjenden në një listë të tillë, jo vetëm për të çuar një drejtësi në vend, por edhe për shkakun se kjo ua kthen dinjitetin viktimave”, thotë Toma.

Sipas saj, ky proces është i rëndësishëm edhe për të dënuar pandëshkueshmërinë.

“Siç e dimë, pandëshkueshmëria është një nga problemet kryesore të shoqërive pas konflikteve, sepse shumica e atyre që kanë kryer krime, i shmangen drejtësisë. Nëse nuk provohet e vërteta, atëherë pandëshkueshmëria vazhdon të sundojë”, thotë Marijana Toma.

Ajo gjithashtu pohon se një regjistrim i këtillë ndoshta është edhe hapi më i rëndësishëm në drejtim të asaj që shoqëria ta pranojë vetë atë që ka ndodhur në të kaluarën.
XS
SM
MD
LG