Ndërlidhjet

Riatdhesimi nuk zvogëlon migrimin


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Pavarësisht faktit se në Kosovë tashmë ka filluar procesi i riatdhesimit të kosovarëve nga disa vende të Bashkimit Evropian, interesimi i shtetasve të Kosovës për të migruar në vende të ndryshme të botës vazhdon të jetë shumë i lartë. Këtë e pohon Rifat Blaku, udhëheqës i Institutit për Hulumtime për Migrim.

Mungesa e perspektivës për të ardhmen është arsye kryesore pse qytetarët e Kosovës, edhe pas shpalljes së pavarësisë, në forma të ndryshme mundohen të ikin nga Kosova.

Blaku, madje, thekson se për shkak të gjendjes se rëndë socio-ekonomike, ekziston rreziku që të riatdhesuarit të tentojnë të migrojnë prapë në mënyrë ilegale.

“Qarku i migrimit nuk do të mbyllet; nuk është ky një kthim i vullnetshëm, por është një kthim i imponuar”.

“Prandaj, përkundër asaj strategjie që është hartuar nga Ministria e Brendshme, përkundër këtyre marrëveshjeve, këtë problem duhet përcjellë, duhet analizuar, duhet studiuar, sepse mund të rrëshqasë në ikje të reja”,
shprehet Blaku.

Shkallën e lartë të papunësisë si dhe humbjen e shpresës për punësim, Blaku i numëron si shkaqe kryesore që nxisin shtetasit kosovarë, e sidomos të rinjtë, të migrojnë në vende të ndryshme të Evropës.

“Tregu vendor i punës as për së afërmi nuk po mund t’i absorbojë kontingjentet e dala në moshën e punës. Bile, në sektorin e punëkërkuesve mjerisht kemi të rinj gjithnjë më të shkolluar, më të profesionalizuar”, thotë Blaku.

Edhe pse vendet e Evropës perëndimore tashmë kanë pohuar se janë të gatshme që të japin kontributin e tyre në luftën kundër migracionit ilegal, Blaku thotë se shumica e kosovarëve braktisin Kosovën në mënyrë klandestine.

“Të dhënat që vijnë nga shtetet e Evropës perëndimore tregojnë për tendencën e migrantëve, edhe me dokumente jo të rregullta”, thekson ai.

Organet e rendit pranojnë se në pikat kufitare të Kosovës dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës jo rrallëherë zihen persona me dokumente të falsifikuara apo të keqpërdorura, të cilët mundohen të ikin nga Kosova.

Sabrije Kamberi, zëdhënëse në Policinë e Kosovës, jep statistikat vetëm për gjashtëmujorin e parë të këtij viti:

“Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, janar-qershor 2009, janë iniciuar 104 raste të falsifikimeve të ndryshme të dokumenteve zyrtare në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës dhe në pikëkalimet tjera kufitare, si dhe janë konfiskuar 451 dokumente të dyshuara për falsifikim”.

Sidoqoftë, demografi Rifat Blaku thotë se prej vitit 2000 e deri më tash, vendet e Evropës perëndimore kanë kthyer me detyrim mbi 52 mijë kosovarë, të cilët Kosovën e kanë lëshuar në vitet e 90-ta.

Finalizimi i marrëveshjeve për riatdhesimin e kosovarëve pa leje qëndrimi në shtetet perëndimore, sipas zyrtarëve qeveritarë, pritet të bëhet gjatë këtij viti dhe në fillim të vitit të ardhshëm, ndërkaq riatdhesimi përfundimisht do të bëhet në fund të 2010-ës.

Ky proces, thonë zyrtarët, do të përshpejtohet për shkak të përmbushjes së kritereve të procesit të liberalizimit të vizave dhe integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG