Ndërlidhjet

Tërheqja e vërejtjes ndaj Serbisë, e cila rrjedh nga dokumenti i Komisionit Evropian, dhe vënia e përgjegjësisë mbi këtë shtet për mosfunksionim të bashkëpunimit rajonal dhe për mosfunksionim normal të Marrëveshjes për tregti të lirë, CEFTA, konsiderohen veprime të drejta, sepse destruktiviteti të cilin e ka treguar ky vend në raport me Kosovën, rrezikon që ta paralizojë këtë marrëveshje.

Kështu thonë ekspertët për ekonomi, sipas të cilëve, Kosova deri më tash ka respektuar të gjitha obligimet që rrjedhin nga CEFTA, ndërkohë që Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina kanë bllokuar mallrat që eksportohen nga Kosova.

Muhamet Sadiku, nga Instituti për Hulumtime Zhvillimore “Riinvest”, thotë se marrëveshjet e tilla si CEFTA nuk mund të mbahen me raporte asimetrike nga vendet, të cilat janë pjesë e marrëveshjes.

“CEFTA është një instrument për të lehtësuar integrimin e të gjitha vendeve të Ballkanit perëndimor në Bashkimin Evropian. Para se të vijë ai moment, të gjitha këto vende duhet të tregojnë afinitet për këmbime tregtare në mes vete, sepse vështirë mund të funksionojnë këto vende që nesër të hyjnë në Bashkimin Evropian me të gjitha këto pengesa që ia bëjnë njëra-tjetrës”.

“Prandaj, është edhe racionale ftesa e Bashkimit Evropian që këto vende së pari duhet t’i hapin kufijtë për këmbime tregtare”,
shprehet Sadiku.

Ndryshe, në dokumentin e tij, Komisioni Evropian ka ftuar të gjitha palët e interesuara që të gjejnë zgjidhje praktike, e cila do të mundësonte funksionimin e bashkëpunimit rajonal, pa prejudikimin e pozicioneve të ndryshme rreth statusit të Kosovës.

Shpend Ahmeti, nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, thotë se Kosova deri më tash është treguar mjaft konstruktive në drejtim të realizimit të marrëveshjes CEFTA.

“Unë mendoj se vetë fakti që ne kemi lejuar që mallrat e Serbisë dhe Bosnjës të vazhdojnë të shiten në Kosovë pa asnjë pengesë, është, mund ta quaj, sjellje tepër konstruktive, sepse në atë aspekt ne jemi ata që, si Kosovë, po humbim tash e 10 muaj me radhë. Ndërkaq, Serbia pothuajse asgjë ekonomikisht nuk ka humbur nga kjo sjellje”.

“Tani, është shumë e natyrshme që kjo të mos mund të vazhdojë më tutje, sepse është vetëm çështje kohe kur Kosova do të fillojë t’i bllokojë apo siç është rasti i tanishëm që nuk po mund të nënshkruhen pjesë apo anekse të tjera, që kanë qenë pjesë e CEFTA-s dhe të cilat duhet vazhdimisht të implementohen”.

“Kjo do të jetë ndalesë jo vetëm për CEFTA-n, por në përgjithësi edhe për integrimet evropiane për secilin shtet”,
vlerëson Ahmeti.

Në anën tjetër, zoti Sadiku konsideron se qeverive të vendeve të rajonit u mbetet obligim që të diskutojnë lidhur me këtë çështje dhe t’i eliminojnë të gjitha barrierat teknike, në mënyrë që të marrë hov bashkëpunimi tregtar.

E nëse Serbia vazhdon të bllokojë eksportin e Kosovës, atëherë, sipas tij, Kosova duhet të vërë masa kundërvepruese.

“Nëse Serbia vazhdon të mbajë pengesa të tilla, atëherë edhe Kosova do të jetë e provokuar që të vërë masa kundër-mbrojtëse në drejtim të Serbisë, sepse, në fund të fundit, duhet pranuar se Serbia në Kosovë çdo vit mesatarisht eksporton rreth 300 milionë euro”.

“Ndërsa, importi nga Serbia, nëpërmes kanaleve joformale, në mes të të çarave të kufirit të Kosovës, mund të arrijë deri në 150 milionë. Do të thotë, humbësja më e madhe do të jetë ekonomia e Serbisë”,
thotë Sadiku.

Ndërkaq, zoti Ahmeti shpreh mendimin se Brukseli duhet të ushtrojë presion më të madh mbi Beogradin, në mënyrë që Qeveria e Kosovës të mos jetë e detyruar që të ndërmarrë masa reciproke ndaj vendeve që e bllokojnë eksportin e saj.

“Unë mendoj se nuk ka rrugëdalje tjetër. Kjo duhet t’i thuhet haptas edhe Brukselit, edhe Uashingtonit, se nëse kjo çështje nuk zgjidhet shpejt, atëherë ne jemi të detyruar që t’i bllokojmë dhe të ushtrojmë presion mbi këto qendra të vendimmarrjes, në mënyrë që ato pastaj të bëjnë presion mbi Beogradin që të tregohet më konstruktiv”.

“Edhe vetë presidenti Tadiq disa herë ka thënë se është shumë keq që politika të përzihet në ekonomi dhe CEFTA, mirëpo është vetë Serbia ajo, e cila me hapat e saj që i ka ndërmarrë, po e pengon implementimin e CEFTA-s
”, thotë Ahmeti.

Sidoqoftë, Komisioni Evropian, në dokumentin e tij, ka tërhequr vërejtjen se ekziston rreziku që CEFTA të paralizohet, për shkak të, siç thuhet, mospajtimeve rreth statusit të Kosovës, gjë e cila ka reflektuar tek pamundësia e miratimit të protokollit për liberalizimin e tregtisë së prodhimeve bujqësore.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG