Ndërlidhjet

Berisha: Prekazi, Kruja e dytë


Kryeministri Sali Berisha

Kryeministri Sali Berisha

Në ditën e dytë të vizitës në Kosovë, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka bërë homazhe te varri i komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari. Ai e ka cilësuar Prekazin si Krujën e dytë në historinë shqiptare. Po sot, Berisha pritet të shpallet Qytetar Nderi i Prizrenit.



Shqiptarët duhet të përkulen para të rënëve për lirinë e Kosovës, tha sot kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë homazheve pranë varrit të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.

Askush më shumë sesa Adem Jashari dhe familja e tij nuk kanë sakrifikuar për lirinë e kombit shqiptar, tha kryeministri Berisha. Prekazi, shtoi ai, është diamanti i historisë shqiptare, duke e cilësuar Prekazin si Krujën e dytë të historisë shqiptare.

“Asgjë nuk kemi më frymëzues se Prekazin, Krujën e dytë të shqiptarëve. Shndërrimi i ëndrrës, i sakrificës në realitet është lehtësimi më i madh për këtë familje, për tribunin legjendar dhe për mbarë shqiptarët”, tha kryeministri Berisha.

Më pas, Berisha i bëri një vizitë familjes Jashari. Ai tha se ishte prekur shumë kur kishte parë të gjithë fëmijët e kësaj familjeje që kishin trashëguar emrat e të rënëve për lirinë e Kosovës.

Kosova sot është e lirë falë sakrificës së të rënëve për çlirimin e saj dhe të gjithë duhet përkulur para varreve të tyre, tha Berisha.

“Ky është një fshat me traditat më të kristalta, më të zhvilluara atdhetare dhe patriotike. Në Prekaz, rezistenca e shqiptarëve ndaj pushtuesit nuk u shua kurrë. Ajo kulmoi me veprën e Adem Jasharit, por ajo është e gjallë në çdo kohë
”, theksoi kryeministri shqiptar.

Gjatë vizitës së tij dyditore në Kosovë, Berisha dje ka bërë homazhe edhe tek varri i presidentit Ibrahim Rugova, të cilin ai e quajti arkitektin e pavarësisë së Kosovës.

Ndërkaq, në agjendën e tij politike, Berisha është pritur nga të gjithë udhëheqësit kosovarë, ka mbajtur fjalim para Parlamentit të Kosovës, si dhe nga presidenti Fatmir Sejdiu atij i është ndarë “Medalja e Artë e Lirisë”, është shpallur “Doktor Honoris Causa” nga Universiteti i Prishtinës, kurse sot, në përmbyllje të vizitës, do të shpallet edhe Qytetar Nderi i Prizrenit.

Po ashtu, sot, Berisha zhvillon takime edhe me përfaqësuesit e lartë ndërkombëtarë, me Piter Feith, Përfaqësues Civil Ndërkombëtar, dhe me komandantin e KFOR-it, Markus Bentler.

Në orët e pasdites, Berisha dhe delegacioni nga Shqipëria mbyllin këtë vizitë dyditore në Kosovë dhe kthehen në Tiranë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG