Ndërlidhjet

Obama: Al Kaida është goditur, por mbetet aktive


Presidenti Barak Obama
Presidenti Barak Obama

Shtetet e Bashkuara duhet të mbeten të fokusuara në luftën kundër Al Kaidës dhe grupeve të tjera terroriste, tha presidenti amerikan. Bashkëpunimi me vendet aleate është element kyç në luftën kundër terrorizmit, theksoi Barak Obama.


Al Kaida i ka humbur në shkallë të konsiderueshme aftësitë operacionale, por ende është në gjendje të hartojë sulme kundër Amerikës dhe vendeve aleate.

Deklarata e presidentit amerikan është bërë gjatë vizitës së tij në Qendrën Kombëtare kundër terrorizmit.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë vlerësoi punën e ekipit të kësaj qendre si shumë të rëndësishme për misionin e Shteteve të Bashkuara në shkatërrimin e grupeve terroriste në botë.

“Ne po shënojmë përparim real në misionin tonë për të shpërbërë dhe mundur Al Kaidën dhe rrjetet e tjera ekstremiste në botë, duke iu falënderuar punës suaj dhe të organizatave që përfaqësoni. Asnjëherë nuk duhet ta largojmë vëmendjen nga qëllimi ynë”, tha Barak Obama.

Nga korriku i vitit të kaluar, 11 nga 20 personat më të kërkuar të Al Kaidës dhe aleatët e tyre në Pakistan janë vrarë apo kapur , bëjnë publike zyrtarë të administratës.

Duke iu referuar burimeve nga shërbimet e zbulimit, presidenti amerikan theksoi se Al Kaida është reduktuar në numër, derisa ndikimi i rrjetit terrorist ka rënë ndjeshëm.

“Ashtu siç e ka vënë në pah së fundi një ekspert i kundërterrorizmit, për shkak të përpjekjeve tona, Al Kaida dhe aleatët e saj kanë humbur kapacitetet operacionale, kanë humbur legjitimitetin dhe besueshmërinë. Natyrisht, askush nuk mund ta diskreditojë Al Kaidën sa ajo vetë, pasi ka vrarë gra, burra e fëmijë të besimeve e kombeve të ndryshme”.

“Padyshim, ata nuk kanë asgjë pozitive për t’iu ofruar për të ardhmen popujve të botës”,
tha presidenti amerikan.

Obama ndaloi në Qendrën kundër terrorizmit për të shprehur mbështetjen ndaj njerëzve që punojnë në hije, por që janë pjesë jetike e kësaj lufte.

Qendra, e cila është një institucion i krijuar nga bashkëpunimi i disa agjencive, nisi aktivitetin pas sulmeve të 11 Shtatorit. Ajo ka qëllim të dyfishtë, të analizojë informacionet e shërbimeve të zbulimit dhe të hartojë plane veprimi.

Në saje të punës së kësaj qendre janë parandaluar një numër sulmesh terroriste.

“Arritjet e punës suaj janë të dukshme te sulmet terroriste që nuk u materializuan kurrë, sepse ju mundësuat dështimin e tyre, duke shpëtuar jetën e mijëra amerikanëve. Amerika është në borxh ndaj jush”, tha Obama përpara ekspertëve të shërbimeve të zbulimit.

Por, presidenti amerikan shtoi se armiqtë e Shteteve të Bashkuara nuk janë të qetë dhe vazhdojnë të hartojnë plane për sulme.

“Duhet të jetë e qartë, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë kanë dërguar mesazhin e pagabueshëm, se do ta sulmojmë Al Kaidën kudo që zë fill. Po ngremë kapacitetet dhe po rrisim bashkëpunimin që të mos lejojmë terroristët të krijojnë zona të sigurta, nga ku mund të sulmojnë Amerikën dhe vendet aleate”, tha Obama.
XS
SM
MD
LG