Ndërlidhjet

Berisha: Lavrov më ka keqinterpretuar


Kryeministri Sali Berisha
Kryeministri Sali Berisha

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, u është përgjigjur kritikave të ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov, duke thënë se Lavrov nuk e ka interpretuar drejt deklaratën e tij lidhur me idenë e bashkimit kombëtar shqiptar.



Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar ndaj kritikave të ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergej Lavrov, i cili ka kërkuar që bashkësia ndërkombëtare të distancohet nga deklaratat e kryeministrit shqiptar rreth idesë, siç ka interpretuar ai, për bashkimin kombëtar shqiptar.

Reagimi i Berishës u bë gjatë ditës së dytë të vizitës që po i bën Kosovës, pas një takimi që zhvilloi me komandantin e KFOR-it, Markus Bentler.

Kryeministri Berisha tha se ministri rus, Lavrov, ka thënë atë që nuk ka qenë reale. Sipas tij, Lavrov ka mundur të dalë me një deklaratë joreale, që ishte si rezultat i keqinterpretimit të deklaratës së Berishës, se kombi shqiptar është një dhe nuk mund të ketë dy kombe, kurse Shqipëria dhe Kosova si dy shtete do të jenë anëtare të Bashkimit Evropian.

“Ministri Lavrov, parmbrëmë, ka deklaruar, ka thënë ato që unë nuk i kam thënë. Nuk besoj se ai ka dëshiruar t’i thotë ato që unë nuk i kam thënë. Shpresoj të jetë një vështirësi dhe të vijë nga vështirësia e lindur që rusët kanë për të përkthyer nga shqipja në rusisht”, tha Berisha.

Këto komente, Berisha i bëri pas takimit që zhvilloi me komandantin e KFOR-it, gjeneralin gjerman Markus Bentler. Berisha tha se forcat shqiptare mund të marrin pjesë edhe në kuadër të misionit ushtarak të KFOR-it, por aktualisht ai tha se nuk është shfaqur ndonjë interesim për këtë qëllim.

Berisha theksoi se qëllim kryesor tash për tash është që të ndihmohet ngritja e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe premtoi ndihmën e shtetit shqiptar në këtë drejtim, tani kur Shqipëria është anëtare e plotë e Aleancës Veri-atlantike.

“KFOR-i po shkon drejt zvogëlimit. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe mund të jetë pjesëmarrëse në KFOR. Por, ne nuk e kemi ndërmend të marrim pjesë”.

“Ne po ndihmojmë Qeverinë e Kosovës në dy drejtime. Së pari po e ndihmojmë në Forcat e Sigurisë dhe, së dyti, do të ndihmojmë në ndërtimin e shtëpive për rikthimin e të zhvendosurve”,
theksoi Berisha.

Ndërkaq, komandanti i KFOR-it, Markus Bentler, tha se e çmonte lart përkushtimin dhe angazhimin e shtetit shqiptar për paqen e stabilitetin në rajon dhe mbështetjen që i jep misionit të KFOR-it në Kosovë.

“Dua ta theksoj se përkrahja e vazhdueshme nga NATO-ja, por edhe nga Shqipëria në veçanti, janë shumë të rëndësishme për veprimet dhe suksesin tonë në Kosovë”, tha komandanti i KFOR-it, Bentler.

Më pas, Berisha ka takuar edhe shefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith. Në orët e mëngjesit, Berisha ka bërë homazhe te varri i komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari. Aty, Berisha tha se Prekazi është Kruja e dytë e historisë shqiptare.

Para largimit nga Kosova, Berisha është shpallur edhe Qytetar Nderi i Prizrenit. Ndërkaq, dje, përveç pritjeve me ceremonitë më të larta shtetërore dhe realizimit të takimeve më të gjithë udhëheqësit dhe liderët e partive kryesore politike, Berisha ka mbajtur dhe një fjalim para Parlamentit, ku presidenti Fatmir Sejdiu i ka ndarë atij “Medaljen e Artë të Lirisë”, kurse më pas, Universiteti i Prishtinës i ka ndarë titullin “Doctor Honoris Causa”.
XS
SM
MD
LG