Ndërlidhjet

WP: Plani B për Afganistanin


Afganistan, 8 tetor 2009.
Afganistan, 8 tetor 2009.

"Washington Post"

Presidenti Barak Obama nisi takimet për rishikimin e strategjisë në Afganistan, duke parashtruar pyetjen në televizionin kombëtar nëse Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin qeverinë dhe armatën afgane.

Por, alternativat që po i shqyrton presidenti, duket se nuk dallojnë shumë nga plani i gjeneralit Stenli Mekristall.

Zoti Obama u tha të martën udhëheqësve në Kongres se ai nuk ka ndërmend ta reduktojë nivelin e trupave amerikane ose t’i kufizojë sulmet me aeroplanë pa pilot ndaj Al Kaidës.

Madje, sipas këshilltarit të tij për siguri kombëtare, nuk do të heqë dorë as nga ndërtimi i qeverisë dhe armatës afgane.

Plani B i Shtëpisë së Bardhë ndoshta edhe mund të refuzojë kërkesën e gjeneralit Mekristall për trupa shtesë.

Në vend të kësaj, mund të dalë ideja për ndërtimin e armatës afgane, në mënyrë që ajo t’i marrë përsipër luftimet, ndërsa veprimet e Shteteve të Bashkuara të fokusohen në mundjen e Al Kaidës në Pakistan.

Por, një vendim i tillë mund t’i përsëriste gabimet e administratës Bush, gabime të cilat e lanë administratën e re me ngatërresat që po përballet në Afganistan, kurse tre vjet më parë Irakun e sollën buzë katastrofës.

Në Irak, zoti Bush dhe sekretari i Mbrojtjes, Donald Ramsfeld, gjithashtu vendosën ta minimizojnë nivelin e trupave amerikane.

Ata ndërmorën një përpjekje ambicioze për të stërvitur trupat e reja irakiane, duke vënë theksin në sulmet kundër Al Kaidës dhe liderëve të kryengritjes.

Por, forcat e freskëta të Irakut nuk mundën ta bëjnë punën vet. Kryengritja u fuqizua edhe më shumë, ndërsa konfliktet sektare shpërthyen në Bagdad dhe zona të tjera.

Vetëm kur zoti Bush i shtoi trupat, spiralja e dhunës mori tatëpjetën. Komandantët amerikanë e nxorën mësimin, prandaj kjo është arsyeja që gjenerali Mekristall dhe pothuaj çdo komandant tjetër amerikan në rajon e favorizon modelin e shtimit të trupave edhe në Afganistan.

Në rishikimin e fundit për situatën në Afganistan, gjenerali Mekristall konkludoi se “dështimi në marrjen e iniciativës dhe rikthimin e trajektores së kryengritjes, rrezikon të ketë një epilog ku më nuk do të ishte e mundur disfata e kryengritjes”.

Duket se zoti Obama fillimisht kishte dilema nëse duhet të mundën talibanët. Por, duke vendosur që ta mbajë nivelin e trupave siç është, ai e zgjodhi vazhdimin e luftës.

Pyetja që kërkon përgjigje është se a thua zoti Obama do të parapëlqejë rrezikun e disfatës, të cilin e nënvizoi gjenerali, në kurriz të shpenzimeve për dërgimin e mijëra forcave tjera amerikane.

Kursi i ri nuk garanton sukses në asnjë mënyrë, por ai i mëparshmi u tregua si humbës.
XS
SM
MD
LG