Ndërlidhjet

logo-print

Komisioni Evropian i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Qeverisë së Kosovës për dërgimin e një ekipi, i cili do të koordinojë edhe vëzhguesit tjerë ndërkombëtarë për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit.


Komisioni Evropian ka konfirmuar se do të dërgojë një trup vëzhguesish për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit.

Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë, Renzo Davidi, tha se bëhet fjalë për një ekip profesional analitik, që do të qëndrojë gjatë procesit zgjedhor, ditën e votimeve, si dhe në raundin e dytë nëse do të ketë balotazh nëpër komuna.

Davidi tha po ashtu se ky ekip prej 3 vetash do të punojë nga afër edhe me një delegacion vëzhguesish nga Parlamenti Evropian, institucion ky që pritet të vendosë së shpejti për numrin e stafit që do të dërgojë në Kosovë.
Ata do t’i shikojnë mënyrat në të cilat po punojnë institucionet dhe në të cilat do të mbahen zgjedhjet dhe çështje të tjera...

“Është një numër i ekspertëve, të cilët do të qëndrojnë në Kosovë deri në fund të procesit. Puna është më shumë e karakterit analitik. Ata do t’i shikojnë mënyrat në të cilat po punojnë institucionet dhe në të cilat do të mbahen zgjedhjet dhe çështje të tjera”, sqaroi Davidi.

Ai tha po ashtu se puna e këtij ekipi do të mbështetet eventualisht edhe nga disa anëtarë të Parlamentit Evropian, të cilët do të vijnë këtu pak ditë para zgjedhjeve.

“Ne presim një grup të anëtarëve të Parlamentit Evropian, si dhe anëtarë të Komitetit Rajonal. Pasi që janë zgjedhje lokale, ata do të vijnë në vikendin e zgjedhjeve dhe do të qëndrojnë këtu gjatë asaj periudhe”, theksoi Davidi.

Ky hap i Komisionit Evropian është përshëndetur nga Qeveria e Kosovës. Kryeministri Hashim Thaçi tha se Qeveria i kishte adresuar Komisionit Evropian një letër, ku kërkohej që Komisioni ta ketë rolin e vëzhguesit, në funksion të rritjes së standardeve dhe mbajtjes së zgjedhjeve të lira e demokratike.

Kryeministri Hashim Thaçi
“Ne jemi të përkushtuar fuqishëm që të kemi zgjedhje të lira, fer, demokratike, me një pjesëmarrje edhe më të madhe, me një pranueshmëri dhe vlerësim edhe prej qytetarëve të Kosovës, edhe prej gjithë komunitetit ndërkombëtar, si një standard shumë i lartë demokratik për ndërtimin e demokracisë së re, institucioneve të reja lokale legjitime dhe funksionale”,
tha Thaçi.

Në anën tjetër, Renzo Davidi sqaroi po ashtu se grupi prej tre vëzhguesish apo analistësh politikë nga Brukseli do të mbështetet edhe nga vëzhgues e monitorues tjerë ndërkombëtarë.

“Ky mision nuk ka kompetencë certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve. Ky është një mision vlerësues dhe raportues që do të bëjë një punë teknike, në vija të përvojave të njëjta që kemi pasur në shtete tjera, si në rastin e Irakut, ku situata e sigurisë nuk na ka lejuar të kemi vendosje të një misioni të plotë, dhe në raste të shteteve tjera, ku nuk kemi qenë të ftuar dhe ku kemi dërguar një mision të vogël”, theksoi Davidi.

“Këta janë profesionistë që dinë se ku duhet të shikojnë, në mënyrë që të kemi një vlerësim të përgjithshëm rreth asaj se si janë zhvilluar zgjedhjet”, tha zyrtari evropian.

Sipas tij, ende nuk do të mund të dihet saktë numri i vëzhguesve, por në një rrumbullakim të përgjithshëm të anëtarëve që do të dërgojë Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian dhe vendet e ndryshme të BE-së, mund të ketë diku rreth 20 veta në këtë ekip vëzhguesish.

Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit janë të parat në Kosovën e pavarur dhe konsiderohen si testi i parë i demokracisë së këtij shteti të ri. Krahas organizimit të zgjedhjeve të lira e demokratike, si sfidë përmendet edhe përfshirja në këto zgjedhje e të gjitha komuniteteve, sidomos atij serb.

Për këtë qëllim, autoritetet qeveritare në Prishtinë dhe ato ndërkombëtare u kanë ofruar serbëve më shumë komuna me shumicën e këtij komuniteti, si dhe decentralizim të pushtetit, që u garanton atyre kompetenca shtesë në vetëqeverisjen lokale.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG