Ndërlidhjet

Në Prishtinë, sot ka filluar punimet konferenca e tetë ndërkombëtare “Biznesi dhe punësimi”. Në këtë tryezë, ku po marrin pjesë përfaqësues të vendeve të ndryshme të rajonit, u diskutua për bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar të institucioneve dhe shoqërisë civile në zhvillimin ekonomisë, biznesit, si dhe në rritjen e punësimit në Kosovë dhe në vendet tjera në tranzicion.


Zhvillimi i sektorit privat, investimet e huaja, si dhe këmbimet tregtare me vende të ndryshme të rajonit, konsiderohen si faktorë kryesorë që ndikojnë në uljen e shkallës së papunësisë në Kosovë. Kështu u tha sot në konferencën e tetë ndërkombëtare “Biznesi dhe punësimi”.

Isak Mustafa, kryetar i kësaj konference dhe njëherësh profesor në Universitetin e Prishtinës, shprehu bindjen se vetëm përkrahja e komunitetit të biznesit privat, konkretisht e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, mundëson gjenerim të vendeve të reja të punës.

“Aktualisht, sektori privat i Kosovës përbëhet nga ndë rmarrje të mesme dhe të vogla, jo shumë efektive, ndërkaq firmat e mëdha për zhvillim të eksportit kosovar mungojnë”.

“Sektori i energjisë dhe ai i eksploatimit të resurseve natyrore konsiderohen dy sektorë që kanë përparësi konkurruese për eksportimin e shërbimeve të tyre. Sektori i bujqësisë do të mund të kontribuonte dukshëm në rritje ekonomike”,
u shpreh Mustafa.

Edhe Muhamet Mustafa, udhëheqës i Institutit “Riinvest”, theksoi se nevojitet një angazhim i të gjitha institucioneve dhe i shoqërisë kosovare në përgjithësi, në mënyrë që, siç tha ai, sektorit privat t’i mundësohet që të zhvillojë veprimtarinë e tij në mënyrë legale.

“Me anë të një bashkëpunimi konstruktiv, të ndikojmë që mjedisi biznesor në Kosovë të përmirësohet. Është një problem themelor i mjedisit biznesor në Kosovë, e kjo është konkurrenca fer”.

“Ne kemi probleme të mëdha që të ndërtojmë një konkurrencë fer, me të cilën bizneset do të lulëzojnë dhe do të krijojnë vende të reja të punës
”, tha Mustafa.

Në anën tjetër, sa u përket këmbimeve tregtare me vende të ndryshme të rajonit, e konkretisht me Shqipërinë, Zenel Shalari, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Tiranës, vlerësoi se pas hapjes së autostradës, janë shtuar mundësitë për bashkëpunim.

“Partnerët ekonomikë, firmat, individët janë në kërkim të njëri-tjetrit dhe bëjnë llogaritë fitimtare”, tha ai.

Por, eksperti i ekonomisë, Muhamet Sadiku, tha se bashkëpunimi ekonomik i Kosovës me vendet tjera të rajonit, e veçanërisht me Shqipërinë, vazhdon të mbetet shumë i ulët.

“Aktualisht, niveli i bashkëpunimit të vendeve të rajonit është shumë i ulët dhe ky bashkëpunim nuk i reflekton potencialet dhe mundësitë që i ka rajoni”.

“Këtu, në veçanti, do të theksoj nivelin e bashkëpunimit të Kosovës me Shqipërinë. Mezi, këmbimi tregtar i Kosovës me Shqipërinë arrin deri në 6 për qind të gjithsejtë këmbimit tregtar të Kosovës”,
tha Sadiku.

Ndërkaq, Gjergj Dedaj, zëvendësministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, pohoi se institucionet qeveritare po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për përmirësimin e gjendjes së sektorit privat dhe lehtësimin e procedurave, në mënyrë që mallrat kosovare të kalojnë edhe në tregjet e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Nëse dje ishte patriotizëm që të sakrifikojmë çdo gjë për këtë shtet, sot, nesër dhe në të ardhmen do të jetë dhe do të mbetet gjithmonë patriotizëm që të zhvillojmë biznesin, të hapim vende të reja të punës, t’i zbusim kufijtë që dikur na ndanin për një lëvizje të lirë, së pari brendapërbrenda etnikumit tonë shqiptar, por edhe të gjitha vendeve të rajonit e më gjerë”, deklaroi Dedaj.

Ndryshe, gjatë kësaj konference, e cila punimet do t’i vazhdojë edhe nesër, u tha se shqetësuese në segmentin ekonomik mbetet rënia e investimeve direkt në Kosovë, për 17 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG