Ndërlidhjet

Ligji për apo kundër duhanit?


Pak vite më parë, në Kosovë është miratuar Ligji për duhanin, mirëpo për shkak të, siç është thënë, disa defekteve, ky ligj është kthyer për rishqyrtim dhe së shpejti pritet të kthehet në legjislativin kosovar për miratim. Deri atëherë, duket se do të vazhdojë të lejohet pirja e duhanit nëpër vende publike dhe institucione të ndryshme.


Kohët e fundit, në repartin e onkologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës, është shtuar numri i pacientëve të sëmurë me kancer në mushkëri. Mjekët thonë se kjo vjen kryesisht si pasojë e pirjes së duhanit. Këtë e pohon edhe doktor Bexhet Osmani.

“Preventiva më e mirë e sëmundjeve, e sidomos kancerit në mushkëri, është ndërprerja e pirjes së duhanit. Në shtetet e botës është sjellë ligji që të ndalohet pirja e duhanit në vendet e punës dhe vendet publike, por te ne fatkeqësisht kjo nuk respektohet. Duhani pihet në spitale, në ordinanca private, dhoma të mjekëve”, thotë Osmani.

Sipas Osmanit, ekzistojnë dy kategori të duhanpirësve.

“Me pirjen e cigares, njeriu e helmon vetveten, organizmin e vet, e nëse është në ambiente të mbyllura, ka për të pësuar edhe personi prezent, i cili gjendet në atë ambient. Pra, kemi dy kategori duhanpirësish: ata që e thithin duhanin, duhanxhinjtë aktivë, dhe ata që nuk e pinë duhanin, duhanxhinjtë pasivë”.

Me gjithë ekzistimin e Ligjit dhe rregulloreve që kufizojnë pirjen e duhanit në vende të caktuara publike, ky fenomen vazhdon të jetë mjaft i përhapur, meqë ligji i mëhershëm është ende i pazbatueshëm, për shkak të rishqyrtimit të defekteve që përmban.

Faik Hoti, nga Ministria e Shëndetësisë, shpjegon më shumë:

“Në Kosovë ekziston Ligji kundër duhanit, mirëpo ndërkohë është parë si nevojë të bëhet plotësimi, ndryshimi i këtij ligji dhe Ministria e Shëndetësisë e ka proceduar këtë ligj në Kuvendin e Kosovës. Pritet që gjatë sezonit vjeshtor ky ligj të kalojë në Kuvend, ndërkohë që derisa ligji i ri të fillojë së implementuari, mbetet në fuqi implementimi i ligjit të mëhershëm”.

Vjollca Dana, qytetare nga Prishtina, nuk e konsumon duhanin dhe atë e pengon fakti se ligji që ndalon pirjen e duhanit në vendet publike, nuk është duke u zbatuar.

“Unë nuk e pi duhanin. Mendoj se mediat duhet të bëjnë më shumë për ndalimin e pirjes së duhanit. Në Kosovë ka ekzistuar një ligj, që nuk është implementuar fare nga publiku. Mendoj se Ministria e Shëndetësisë duhet sa më shpejt ta dërgojë në Kuvend Ligjin për ndalimin e pirjes së duhanit në vende publike”, thotë Vjollca Dana.

Ky ligj thuhet se nuk zbatohet as në institucionet shëndetësore, ku pirja e duhanit do të duhej të ishte rreptësisht e ndaluar, ashtu siç edhe parasheh ligji.

Mjeku Bexhet Osmani thotë se duhani, për fat të keq, pihet edhe aty ku janë mjekët.

“Shumë shtete kanë sjellë ligjin që në vendet e punës dhe vendet publike të mos pihet duhani, por kjo nuk respektohet te ne në Kosovë dhe pihet duhani në ordinanca, dhoma të mjekëve etj.”, shpreh shqetësimin e tij doktor Osmani.

Ndryshe, Organizata Botërore e Shëndetësisë jep të dhëna se 4.5 deri në 5 milionë njerëz në botë, brenda vitit, vdesin nga pirja e duhanit.
XS
SM
MD
LG