Ndërlidhjet

I (pa)qartë roli i emisarit të BE-së në veri


Pjesëtarë të EULEX-it
Pjesëtarë të EULEX-it

Nuk janë qartësuar ende përgjegjësitë e të dërguarit të ardhshëm të BE-së në veri. Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Piter Feth, hedh poshtë mundësinë e zvogëlimit të rolit të tij si i dërguar i BE-së.



Emërimi i mundshëm i një të dërguari të veçantë të BE-së për veriun e Kosovës ka ngritur pikëpyetje nëse me këtë hap do të forcohet prania evropiane, apo do të dobësohet roli i Zyrës Civile Ndërkombëtare; nëse do të ndihmojë në integrimin e qytetit, apo do të ruajë status-quon në pjesën e pakontrolluar nga autoritetet qendrore të Kosovës.

Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Piter Feth, ka pranuar javën e kaluar, se Majkëll Gjifoni, ambasador italian në vend, do të jetë i dërguar i BE-së në veri.

Ai ka thënë se Gjifoni do ta ndihmojë në forcimin e pranisë së BE-së.

Por, analisti nga Instituti “Kipred”, Ilir Deda, mendon se në të vërtetë me këtë emërim po zbehet roli i institucionit të vetëm ndërkombëtar që s’është neutral, por e njeh pavarësinë e Kosovës, ICO-së.
Me këtë vendim është dobësuar ICO-ja, si trup i vetëm legjitim që e mbështet pavarësinë e Kosovës.

“Me këtë vendim është dobësuar ICO-ja, si trup i vetëm legjitim që e mbështet pavarësinë e Kosovës. Me emërimin e ambasadorit italian qëndron joqartësia e kompetencave të Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian (EUSR) - çfarë do të thotë lehtësim i komunikimit të EULEX-it me strukturat paralele, cili është mandati, a është integrimi, apo ndarja e butë”, shprehet Deda.

Mirëpo, kështu nuk mendon kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi.

Ai konsideron se serbët lokalë nuk do të jenë aq rezistentë ndaj të dërguarit të BE-së, sa ishin ndaj strukturave tjera ndërkombëtare.

“Përfaqësuesi Special i BE-së, union ky që edhe Serbia pretendon të jetë pjesë e tij, e ka një fuqi më të madhe speciale, kështu që mendoj se ata do të krijojnë një ambient më të volitshëm për integrimin e qytetarëve serbë në proceset dhe institucionet demokratike”, thotë Rexhepi.

Ndërkohë, nga Zyra e Përfaqësuesit të BE-së në Kosovë nuk janë saktësuar ende përgjegjësitë e Gjifonit, ashtu siç nuk është bërë e ditur se kur do të bëhet emërimi zyrtar dhe nga kush.

Zyrtarë të Qeverisë e kanë përshëndetur këtë hap të Bashkimit Evropian. Por, Ilir Deda mendon se është Qeveria e Kosovës, e jo BE-ja, ajo që duhet ta bëjë prioritet të saj integrimin e qytetit të ndarë.

“Asnjëherë nuk do të ketë rezultat nga prania e strukturave ndërkombëtare në veri, deri në atë moment kur Qeveria e Kosovës e bën veriun e Kosovës një nga prioritetet e politikës së saj”, thekson Deda.

Në përpjekje për t’i integruar serbët lokalë në shoqërinë kosovare, Zyra Civile Ndërkombëtare ka hapur një zyrë të saj në Mitrovicë, ashtu siç kanë zyrat e tyre edhe misioni evropian për sundimin e ligjit, apo misioni i UNMIK-ut.

Por, krahas këtyre pranive, vazhdon edhe jeta e strukturave paralele, të financuara nga Qeveria e Serbisë.

Ilir Deda shfaq druajtjen se emërimi i të dërguarit special, i hap rrugën përcaktimit të veriut si një entitet i veçantë, gjë që, sipas tij, do të hapte negociatat për këtë pjesë të Kosovës.

Bisedimet për veriun e Kosovës do të fillojnë disa muaj pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kjo është agjenda e Serbisë, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare e përkrah këtë opsion dhe si gjithmonë, Kosova është ajo që mbetet e fundit në krijimin e politikave për vendin e vet”, thekson Deda.

Bajram Rexhepi
Por, ish-kryeministri Rexhepi e hedh poshtë këtë mundësi.

Është shumë e qartë, edhe nga shtetet që e kanë njohur Kosovën nga BE-ja, edhe qëndrimet e fundit, që në mënyrë indirekte, Serbia do t’i pranojë kufijtë, pavarësisht a e pranon pavarësinë e Kosovës, janë sinjale shumë të qarta”.

“Nuk jam ndonjë pesimist, që mendoj në atë drejtim. Mendoj se qëllimi kryesor është që të lehtësohet puna e EULEX-it, ICO-së dhe integrimi edhe i komunitetit serb”,
shpjegon Rexhepi.

Ditë më parë, Piter Feith pati thënë se emërimi i Gjifonit do t’ia lehtësonte vetë atij “punët e shumta që ka në Kosovë”.
XS
SM
MD
LG