Ndërlidhjet

logo-print

Presidenti Fatmir Sejdiu u bëri thirrje pesë vendeve anëtare të BE-së, që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë. Njëherësh, Sejdiu tha se “është paralelisht borxh i gjithë vendeve tjera të Bashkimit Evropian që e kanë njohur Republikën e Kosovës, të bëjnë një presion konstruktiv mbi këto vende dhe t’i prezantojnë arsyet pse e kanë njohur Republikën e Kosovës”.


Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së që ta përmbyllin procesin e njohjes së Kosovës, shtet të pavarur e sovran.

Këto komente, Sejdiu i dha pas një takimi që zhvilloi sot me ministrin e Jashtëm të Austrisë, Mikael Spindelger, i cili në emër të Qeverisë austriake nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi ekonomik me Qeverinë e Kosovës.

Sejdiu kërkoi që vendet si Austria dhe të tjerat, që e kanë njohur Kosovën, të ndihmojnë në lobimin për rritjen e numrit të njohjeve, sidomos te pesë vendet e mbetura të BE-së, të cilat ende nuk kanë dhënë sinjale pozitive për këtë qëllim.

Sejdiu tha se i çmon lart vendimet edhe të disa vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, që të paktën e pranojnë pasaportën e Kosovës dhe kanë pjesëmarrjen e tyre në EULEX.

Por, siç tha presidenti kosovar, tashmë është koha që të rrumbullakësohet njohja e Kosovës nga të gjitha vendet e BE-së

“Natyrisht, ne thërrasim që të shpejtojnë me njohjen. Mendoj se është paralelisht borxh i gjithë vendeve tjera të Bashkimit Evropian që kanë njohur Republikën e Kosovës që të bëjnë një, do ta quaja, presion konstruktiv mbi këto vende dhe t’i prezantojnë arsyet pse e kanë njohur Republikën e Kosovës”.

“Kosova nuk është precedent për asnjë vend dhe mund të jenë të paarsyeshme shqetësimet e ndonjërit prej tyre se Kosova mund të shërbejë si ndonjë model tjetër, eventualisht për shqetësimet që mund t’i kenë brenda strukturave të veta të brendshme
”, tha presidenti Sejdiu.

Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi, ka kërkuar nga vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, të mos jenë, të paktën, pengesë e përfshirjes së Kosovës në proceset integruese.

Ai tha se pret që Komisioni Evropian në raportin e progresit dhe studimin e fizibilitetit, që do të publikohet zyrtarisht më 15 tetor, të prezantojë gjendjen reale dhe përparimet në Kosovë, si dhe të përcaktojë rrugën e integrimit të saj në BE, duke mos e lënë anash Kosovën as nga procesi i liberalizimit të vizave.

“Si Kosovë, ne presim raportin e progresit dhe studimin e fizibilitetit me vlerësime reale për Kosovën dhe udhërrëfyesin e qartë evropian. Republika e Kosovës ka perspektivë të sigurt evropiane dhe jemi duke ecur me hapa të sigurt drejt liberalizimit të vizave. Jemi duke punuar edhe si Republikë e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë edhe me vendet tjera të rajonit, që të kemi perspektivë euroatlantike”, theksoi kryeministri Thaçi.

Sidoqoftë, jo vetëm zyrtarët kosovarë, por edhe ata evropianë në disa raste e kanë potencuar perspektivën e qartë evropiane për Kosovën.

Megjithatë, deri tash, në shumë procese është vlerësuar si pengesë përfshirja e Kosovës, përderisa mbeten edhe pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG