Ndërlidhjet

logo-print

Dell: Zgjedhjet shënojnë kahen historike


Kristofer Dell, ambasador amerikan në Kosovë

Kristofer Dell, ambasador amerikan në Kosovë

Ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell, ka thënë se zgjedhjet e 15 nëntorit shënojnë kthesë në historinë kosovare, por, njëkohësisht, mund edhe ta ndryshojnë kahun e historisë për Kosovën.


Zgjedhjet e 15 nëntorit, të parat në Kosovën e pavarur, sipas ambasadorit amerikan, janë të një rëndësie të veçantë.

Meqë ato organizohen për herë të parë nga institucionet e Kosovës, përgjegjësia për mbarëvajtjen e tyre, sipas Kristofer Dellit, është aq e madhe, saqë nga rezultati i tyre do të përcaktohet në një masë edhe e ardhmja e Kosovës.

Këto zgjedhje përfaqësojnë herën e parë, që Kosova organizon zgjedhjet vetë. Jo më UNMIK-u, jo më OSBE-ja, është Kosova, ajo që organizon”.

“Kjo është hera e parë që kur nga liderët politikë të Kosovës dhe institucionet e saj, kërkohet që t’i organizojnë zgjedhjet dhe mënyra se si do të performojnë, do të thotë shumë për gjendjen e shtetit tuaj dhe për të ardhmen”, tha Dell në një ligjëratë para studentëve të Universitetit Amerikan të Kosovës.

Dell pohoi se zgjedhjet e 15 nëntorit shënojnë një kthesë në historinë kosovare. Ai i sheh tre skenarë për zgjedhjet. Realizimi i secilit, sipas tij, ndryshon kahun e historisë për shtetin e ri.

“I pari dhe më i favorshmi, është që zgjedhjet të jenë të lira dhe korrekte, dhe që çdonjëri t’i njohë ato. Kështu, një Kosovë e fuqishme, do të ecë përpara me detyrat për ndërtimin e institucioneve dhe ekonomisë së saj”, tha Dell, duke nënvizuar se skenari i dytë është më i pafavorshëm.

Rezultati i dytë është që zgjedhjet të manipulohen-politikanët të dështojnë t’i respektojnë rregullat dhe të angazhohen në sjellje tjera destruktive, procesi të udhëhiqet keq, rezultatet të jenë të paqarta dhe të mos shihen si legjitime. Kjo do ta dëmtonte jashtëzakonisht Kosovën. Do ta vinte në pikëpyetje realizimin e shtetit të pavarur të Kosovës dhe aftësinë e Kosovës për t’i menaxhuar çështjet e saj”.

“Nuk është e tepërt të thuhet se një situatë të tillë, kur, të paktën, një shtet dëshiron të sfidojë të drejtën tuaj për ekzistencë, kjo do të ishte një goditje serioze”,
theksoi Dell, për të vënë në pah edhe skenarin e tretë, që sipas tij është edhe më i keqi.

“Do të kishim zgjedhje të lira dhe korrekte, por legjitimiteti i tyre do të vihej në pikëpyetje nga njerëzit me agjendë të njëanshme politike. Nëse individët, ose partitë hedhin dyshime mbi rezultatet e zgjedhjeve të lira dhe korrekte për interesat e ngushta të tyre, për agjendën afatshkurtër politike ata do të shkatërronin, jo vetëm qeverinë, por edhe shtetin”, pohoi Dell duke theksuar se nuk po i ekzagjeronte gjërat.

Ai kërkoi nga institucionet, që të jetësojnë skenarin e parë. Ambasadori amerikan, Kristofer Dell, vuri në pah se zgjedhjet mundësojnë jetësimin e një procesi, që e ka quajtur vital për Kosovën-decentralizimin.

Decentralizimi do të ofrojë makinën për integrimin e plotë të të gjitha komuniteteve të Kosovës. Kjo nuk është në të mirë vetëm të Kosovës, por edhe në të mirë të vetë komuniteteve pakicë. Mendoj se zgjedhjet e nëntorit janë një mundësi thelbësore për serbët që të marrin kontroll më të madh për jetën e tyre të përditshme”, vlerësoi Dell.

Serbët e Kosovës janë të ndarë për pjesëmarrjen në zgjedhje, ndërsa Beogradi zyrtar ka sugjeruar bojkotimin.

Ndërkohë, teksa po fliste për forcimin e shtetit të Kosovës, Dell hodhi poshtë pohimet se nënshkrimi i protokollit mes EULEX-it dhe Serbisë cenon sovranitetin e vendit.

“EULEX është këtu vetëm si rezultat i vendimit sovran të Qeverisë suaj. Është presidenti juaj ai që e ftoi BE-në ta themelojë këtë mision. Prandaj, prania e tyre rrjedh nga ky akt sovran, nga ftesa e presidenti tuaj, si dhe nga vendimi që del nga Deklarata e Pavarësisë dhe Kushtetuta”.

“Këto janë akte sovrane të një vendi, që fton dikë të vijë këtu dhe të performojë funksione të caktuara. Ky sovranitet është mishëruar në vetë ftesën dhe besoj se çka do që bën EULEX-i, është në përputhshmëri të plotë me këto vendime sovrane të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës”, u shpreh Dell.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG