Ndërlidhjet

Ndërhyrjet politike në sistemin gjyqësor në Kosovë, kushtet e vështira në punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe mungesa e mjeteve financiare, sipas përfaqësuesve të EULEX-it, janë ndër pengesat më të mëdha për garantimin e pavarësisë së këtij sistemi. Ekspertët thonë se mungon vullneti politik i autoriteteve vendore për të përmirësuar gjendjen në sistemin gjyqësor.


Kosova nuk bën përjashtim nga shtetet ku ndërhyrjet në sistemin gjyqësor, qoftë politike apo të grupeve të ndryshme të interesit, janë evidente, thonë përfaqësues të misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.

Sistemi gjyqësor i pavarur, efektiv dhe kredibil, sipas tyre, nuk është opsion por nevojë esenciale për Kosovën.

Shefi i komponentës së drejtësisë në EULEX, Alberto Perduka, thotë se autoritetet kosovare duhet të bashkëpunojnë me misionarët evropianë në disa nivele për të mundësuar krijimin e një sistemi të tillë.

“Së pari, duhet të sigurohet mbrojtja ndaj kërcënimeve fizike për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët. Së dyti, duhet të krijohen kushtet që Këshilli Gjyqësor i Kosovës të jetë në gjendje të reagojë shpejt ndaj çfarëdo ndërhyrjeje te gjyqtarët dhe prokurorët”.

“Së treti, mendoj se është e rëndësishme që të gjitha institucionet e Kosovës të jenë të kujdesshme në komentimin e hetimeve, gjykimeve apo verdikteve që janë në zhvillim - intervenimet mund të duken si një akt i ndikimit”, thotë Perduka.

Një komentim të tillë e kishte bërë gjatë një procesi gjyqësor, ditë më parë, gjyqtari Rrahman Retkoceri.

Komisioni Gjyqësor Disiplinor i Këshillit Gjyqësor të Kosovës shqyrtoi deklaratën publike të Retkocerit, gjyqtar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë dhe vlerësoi se ai ka bërë, siç thuhet, shkelje të rëndë të Kodit të Etikës dhe sjelljes profesionale për gjyqtar.

Në bazë të këtij vendimi, Retkoceri duke u nisur nga 8 tetori deri në marrjen e një vendimi tjetër, suspendohet nga funksioni me të drejtë në pagë.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, sipas Perdukës, ka detyrën kryesore në garantimin e pavarësisë të Gjyqësorit kosovar.

“Kemi një organ të rëndësishëm institucional - Këshillin Gjyqësor të Kosovës. EULEX-i ka dy anëtarë në këtë trupë dhe ne duhet të punojmë për t’ia mundësuar kushtet për kryerjen e punës së drejtë të këtij institucioni dhe përmbushjen e mandatit për mbrojtjen e pavarësisë së gjyqësorit”, thekson Perduka.

Kryetarja e këtij këshilli, Lirije Osmani, thotë se masat disiplinore ndaj gjyqtarëve që, siç thuhet, shkelin Kodin e Etikës janë një nga mënyrat për garantimin e një sistemi të paanshëm gjyqësor.

Sidoqoftë, ajo thekson se, si institucioni pavarur që është, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ende përballet me mungesën e mjeteve financiare, nga të cilat përcaktohet edhe krijimi i kushteve më të mira për punën e gjyqtarëve, të prokurorëve dhe të sistemit të drejtësisë, në përgjithësi.

“Buxheti për Gjyqësorin e Kosovës është shumë i limituar. Buxheti i Kosovës nuk ka pasur mundësi, deri më tash, të sigurojë mjete materiale për t’u ofruar gjyqtarëve kushte, në të cilat ishte dashur të punonte Gjyqësori i Kosovës“, thotë kryetarja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Lirije Osmani.

Ndërkohë, institucioni që ajo drejton, sipas ekspertëve për çështje ligjore në vend, paraqet një problem më vete, sa i përket pavarësisë së Gjyqësorit kosovar.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës përbëhet nga 11 anëtarë, prej të cilëve 7 janë gjyqtarë ose prokurorë dhe 4 janë jogjyqtarë.

Eksperti, Kujtim Kërveshi, mendon se kjo përbërje, me përfaqësues të dërguar nga Kuvendi dhe Qeveria, dobëson rolin e këtij institucioni. Kërveshi shpreh bindjen se mungon vullneti politik në Kosovë për të krijuar një sistem të pavarur gjyqësor - pa ndërhyrje të çfarëdoshme nga jashtë.

“Të gjitha infrastrukturat legjislative nuk miratohen nga Këshilli Gjyqësor. Ato duhet të kalojnë nga Qeveria ose nga Kuvendi, si vetiniciativë e Kuvendit”.

Të gjitha këto ligje që i mungojnë Kosovës, në veçanti me fenomenet që lidhen me ndikimin në Gjyqësor dhe krijimin e një pavarësie të gjykatave e të autonomisë për prokurorinë, duhet të kalojnë përmes këtyre institucioneve. Këto institucione, së paku deri sot, nuk kanë pasur vullnetin që këto procese t’i shtyjnë tutje”, shpjegon Kërveshi.

Depolitizimi dhe krijimi i një Gjyqësori të pavarur kosovar vlerësohet të jetë një ndër sfidat më të mëdha të gjyqtarëve evropianë.

Përafrimi i legjislacionit kosovar me atë të Bashkimit Evropian thuhet se është proces i pashmangshëm dhe i domosdoshëm për përmirësimin e këtij sistemi.
XS
SM
MD
LG