Ndërlidhjet

Akademikë dhe veprimtarë të njohur në Prishtinë e vlerësojnë lart ndarjen e çmimit Nobel për Paqe, për presidentin Barak Obama. Sipas tyre, Obama po krijon një frymë të re progresive dhe të qëndrueshme në gjithë botën.


Shpalljen e presidentit amerikan, Barak Obama, fitues të çmimit Nobel për Paqe për vitin 2009, e mirëpritën edhe akademikë dhe aktivistë të njohur në Kosovë.

Akademiku Pajazit Nushi, njëherësh edhe kryetar i KMDLNJ-së, thotë se një çmim paqeje për presidentin Obama është i qëlluar.
Akademik Pajazit Nushi



“Unë mendoj se fitimi i këtij çmimi gjithsesi që është i merituar dhe se këtë ai do ta dëshmojë edhe në aktivitetin e tij si president i Shteteve të Bashkuar të Amerikës”, vlerëson akademik Nushi.



Ndërkaq, veprimtari i njohur, Adem Demaçi, i cili para pak ditësh ka fituar çmimin për paqen që e jep Shoqata e Gazetarëve të Evropës juglindore, në Turqi, thotë se presidenti Obama është meritor për çmimin që ia ka ndarë Komiteti për çmimin Nobel në Norvegji.

“Unë mendoj se nëse duhet që kjo mirënjohje t’iu jepet burrave të të shteteve të ndryshme, besoj që edhe Obama e ka merituar dhe e gëzoftë”
, thotë Demaçi.

Zoti Demaçi konsideron se presidenti Obama, që kur është emëruar president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po mundohet të krijojë një frymë të re progresive dhe të qëndrueshme në diplomacinë ndërkombëtare.

“Obama ka bërë disa ndryshime në drejtimin e zgjidhjeve paqësore që kishin nisur administratat tjera para tij, sidomos për Afganistanin, Irakun etj. Është duke u munduar që edhe me Iranin të paraqitet i durueshëm si dhe me Korenë e Veriut”.
...ai ka sjellë një frymë të re të rregullimit të marrëdhënieve botërore ...


“Me fjalë të tjera, ai ka sjellë një frymë të re të rregullimit të marrëdhënieve botërore. Ka pranuar të organizojë grupin e G20-ës, nuk është ndalur aty sa për të monopolizuar kontrollimin e rrjedhave ekonomike financiare botërore, por ka rritur numrin e atyre, të cilët bëjnë pjesë në këtë ekonomi. Pra, ai i ka dhënë disa të mira, frymëzime, të cilat, ata që e kanë propozuar, i kanë marrë parasysh”,
thekson Demaçi.

Ndërkaq, akademik Nushi konsideron se çmimi që ka fituar Obama do të jetë i mirëpritur nga të gjithë, sepse, siç thotë ai, presidenti amerikan gjatë punës së tij të deritashme me njerëz të të gjithë botës, nuk ka bërë kurrfarë dallimesh në mes tyre.

“Çmimi për Obamën do të pritet mirë, duke marrë parasysh angazhimin e tij dhe personalitetin i vendosur për të punuar në të mirë të të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga ngjyra, pavarësisht nga përkatësia fetare, përkatësia gjinore e kombëtare e tyre”,
tha Nushi.

Nga ana tjetër, lajmi për dhënien e çmimit Nobel për Paqe, i cili i është dhënë presidentit Obama, ka qenë befasues edhe për ambasadorin e SHBA-së, në Kosovë, Kristofer Dell.
Mendoj se ishte e papritur, por jo e pamerituar...


Siç shprehet ai, një lajmi i tillë ka qenë befasues, por jo i pamerituar.

“Lajm befasues i këtij mëngjesi është se Komiteti i Nobelit i ka dhënë Obamës çmimin Nobel për Paqe, që sigurisht se është ngjarje e madhe. Mendoj se ishte e papritur, por jo e pamerituar”,
thotë ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG