Ndërlidhjet

Mungesa e programeve ekonomike nga autoritetet kompetente ka ndikuar që situata ekonomike në Kosovë të jetë në gjendje të rëndë. Kështu vlerësojnë njohës të çështjeve ekonomike, sipas të cilëve, Qeveria e Kosovës, po mundohet që ekonominë ta rimëkëmbë në mënyrë sektoriale.


Megjithëse kanë kaluar dhjetë vjet që prej përfundimit të luftës në Kosovë, gjendja ekonomike në vend vazhdon të jetë në fazën e recesionit, apo në krizë të thellë.

Kështu vlerëson Musa Limani, drejtor i Institutit Ekonomik në Prishtinë, duke shtuar se kjo situatë po vazhdon për shkak të mungesës se një programi zhvillimor ekonomik nga të gjitha qeveritë që deri më tani kanë qenë në pushtet, duke mos përjashtuar, siç thotë ai, as atë aktuale.

Institucionet kompetente, thotë Limani, kanë lënë anash zhvillimin ekonomik, për shkak se prioritet në agjendat e tyre kanë vënë çështjet politike.

“Udhëheqësit tanë, sidomos Qeveria , sikur e kanë harruar fjalën zhvillim, merren me probleme politike, ndërkaq zhvillimin e kanë lënë anash. Për fat të keq, kemi rezultate vetëm në sektorin privat. Mirëpo, industrinë e kemi shkatërruar tërësisht”.

“Ky është rrjedhim i mosekzistencës, i qasjes reale të politikave zhvillimore. Qeveritë e Kosovës , të gjitha deri më tani, edhe kjo aktuale, nuk kanë program të zhvillimit ekonomik, nuk kanë strategji”,
vlerëson Limani.

Mungesa e programeve zhvillimore për një periudhë të gjatë, ka ndikuar që institucionet kompetente të mundohen që gjendjen ekonomike ta rimëkëmbin në mënyrë sektoriale, mënyrë kjo që, sipas tij, nuk është funksionale.

Ai thotë se ekonomia e Kosovës mund të ringjallet vetëm nëse institucionet kompetente hartojnë programin e zhvillimit ekonomik, apo Strategjinë dhe Planin Zhvillimor të Kosovës, dokument ky që, siç thotë ai, disa herë është tentuar të përgatitet, por vazhdimisht ka dështuar.

“Për fat të keq, edhe pse trendët negativë janë prezent në ekonominë e Kosovës, do të thotë papunësia e madhe, deficiti shumë i madh, varfëria, problemet sociale, asnjëherë deri më tani, as Qeveria dhe as Kuvendi i Kosovës, nuk e kanë paraparë në agjendën e tyre ta shqyrtojnë një problem kaq me rëndësi”.

“Nuk mund të ketë stabilitet politik, pa zhvillim ekonomik. E gjithë perspektiva dhe ardhmëria e Kosovës, mbështetet në zhvillimin ekonomik, jo në fraza, jo në deklarata të kota, por në zhvillimin ekonomik”,
thekson Limani.

Eksperti tjetër i ekonomisë, Adem Zogiani, pohon se institucionet qeveritare kanë disa programe ekonomike, por edhe ato, sipas tij, nuk po zbatohen.

“Mendoi se jemi shtet i ri, jemi shtet duke dalë nga tranzicioni dhe mendoj se Qeveria ka synim të bëjë diçka të ngjashme dhe ka bërë një program, nuk mund të themi se nuk ka bërë. Mirëpo, se sa do të jetë ai i zbatueshëm, është më vështirë të llogaritet”,
thotë Zogiani.

Mirëpo, Musa Limani thotë se autoritetet kompetente duhet të gjejnë mënyra për rimëkëmbjen ekonomike, në mënyrë që të ulet shkalla e papunësisë dhe varfërisë në vend.

“Prandaj, Qeveria e Kosovës dhe të tjerat që do të vijnë, duhet të marrin masa për rigjallërimin ose rimëkëmbjen e ekonomisë së Kosovës. Dhe, kjo mund të bëhet vetëm përmes politikave zhvillimore, makroekonomike, objektive, të cilat janë në funksion të zhvillimit ekonomik. E, këto bëhen përmes nënsistemeve ose instrumenteve të politikës fiskale, politikës monetare kreditore dhe politikës së tregtisë së jashtme”,
shprehet Musa Limani.

Ndryshe, në programin e përgjithshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës për periudhën 2008-2011, thuhet se prioritet i Qeverisë mbetet rritja ekonomike, pavarësisht faktit se ende nuk është hartuar Strategjia dhe Plani Zhvillimor i Kosovës.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG