Ndërlidhjet

12 44 - e pakufizuar?


Ndërtesat ku ishte vendosur UNMIK-u
Ndërtesat ku ishte vendosur UNMIK-u

Derisa vazhdon të jetë në fuqi Rezoluta 12 44 në Kosovë, nuk mund të parashihet një përfundim i saktë i UNMIK-ut në vend, thonë analistët politikë, kurse e ardhmja e tij do të ndryshohet kur Kosova dhe Serbia të nisin procedurat për integrim në BE.


Kohëzgjatja e pranisë së administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë është relative dhe nuk mund të parashihet një periudhë e saktë, kur UNMIK-u do të mbyllte zyrën e fundit, për t’u larguar përfundimisht nga Kosova, thonë analistët politikë në Kosovë.

Kjo hapësirë e padefinuar kohore për veprimin e UNMIK-ut, ndonëse me një rol të zbehur që nga rikonfigurimi i tij, sipas tyre, mundësohet nga ekzistimi i rezolutës 12 44, jetëgjatësia e së cilës do të vazhdojë deri në miratimin e një rezolutë tjetër të OKB-së.

Analistja e Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Verena Knaus, mendon se mandati i UNMIK-ut duhet të shqyrtohet sërish, duke marrë parasysh përcaktimin e Kosovës për t’iu drejtuar integrimit në Bashkimin Evropian.

Kjo është një çështje që duhet të ngritet dhe të diskutohet sërish në të ardhmen, veçanërisht kur Kosova po u afrohet integrimeve evropiane, gjë që shpresoj se do të ndodhë në pesë deri në tetë vjetët e ardhshme”.

“Atëherë do të shtrohet pyetja se a mund të ekzistojë prania e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, a mund të ketë përgjegjësi legale të administratës së OKB-së për një shtet, i cili synon t’i bashkohet Bashkimit Evropian”,
thotë Knaus.

Roli, formati dhe korniza e veprimit të UNMIK-ut në Kosovë kishin qenë temë boshte e debateve të shumta politike brenda dhe jashtë Kosovës.

Me operacionalizimin e misioneve evropiane në Kosovë, roli i OKB-së në vend është vlerësuar i parëndësishëm nga Prishtina zyrtare.

Ndërkaq, Qeveria e Serbisë kishte këmbëngulur që ky mision të vazhdojë prezencën e tij nëpër zona të caktuara në Kosovë.

Knaus mendon se edhe qëndrimi i shtetit serb në lidhje me këtë temë do të ndryshojë.

“Në fushat, të cilat ndikojnë në jetën e përditshme qytetare, Kombet e Bashkuara po luajnë një rol ndërmjetësues, me të cilin mendoj se Kombet e Bashkuara pretendojnë të tregojnë se janë përgjegjëse. Në këtë mënyrë, Serbisë dhe serbëve të Kosovës u mundësohet të mos kenë të bëjnë me institucionet kosovare duke i zhvilluar kontaktet përmes Kombeve të Bashkuara”.

“Supozoj se me kalimin e vjetëve kjo do të bëhet më pak e rëndësishme, meqë shpresojmë që edhe Serbia t’i kthehet më tepër Evropës. Atëherë, edhe çështja e Kosovës do të humbë rëndësinë e saj në debatin e brendshëm në Serbi”,
shprehet Knaus.

Analisti Driton Lajçi mendon se një vlerësim pozitiv i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës do të mbështeste tezën se UNMIK-u nuk është i nevojshëm në Kosovë.

Në të kundërtën, pohon ai, do të vihej në pikëpyetje e ardhmja edhe në aspektin e njohjes, por edhe në mandatin e administratës së OKB-së në vend.

“Do të forcohet mandati i Kombeve të Bashkuara në Kosovë po qe se ka ndonjë mendim tjetër; mendim tjetër prej pritjeve që kanë qytetarët e Kosovës. Kjo do të ishte një befasi e madhe me pasoja të paparashikueshme, e cila do ta kthente orën mbrapshtë”.

“Unë nuk shoh ndonjë arsye, as juridike e as politike, që gjyqtarët e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të marrin një vendim, i cili bie ndesh me realitetin e ri të krijuar në Kosovë”,
thekson Lajçi.

Aktualisht, UNMIK-u vepron me një staf prej rreth 500 vetash në Kosovë me rol monitorues, raportues dhe facilitues në marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve të ndryshme në Kosovë.

Veprimet e këtij misioni pritet të diskutohen në mbledhjen e radhës për Kosovën të Këshillit të Sigurimit, më 15 tetor.
XS
SM
MD
LG