Ndërlidhjet

Riker: Kosova dhe Maqedonia të intensifikojnë komunikimin


Filip Riker
Filip Riker

”Shpresoj që shpejt do të vendosen marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Maqedonisë e Kosovës. Ato janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën në shumë dimensione”, i tha Radios Evropa e Lirë, ambasadori amerikan në Shkup, Filip Riker.


Sugjeroj që Maqedonia dhe Kosova të intensifikojnë edhe më tej komunikimin për zhvillimin e raporteve të mira ndërfqinjësore, ka deklaruar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shkup, Filip Riker. Ai ka shtuar se shpreson që shpejt do të vendosen marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy vendeve.

Maqedonia dhe Kosova janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën në shumë dimensione, ka thënë ambasadori Riker.

Në këtë kontekst, ai ka apostrofuar afërsinë e rrugës nga Shkupi, lidhjet e ngushta familjare dhe këmbimin tregtar që shënon rritje të dukshme.

Ambasadori Riker gjithashtu ka thënë se Qeveria e Maqedonisë ka reaguar në kohë sa i përket shtensionimit të raporteve ndëretnike pas botimit të Enciklopedisë.

“Diversitetet (dallimet) në këtë shtet paraqesin forcën më të rëndësishme. Takimi kokë më kokë ndërmjet Gruevskit dhe Ahmetit, si dy liderë të forcave kryesore politike, dëshmoi kapacitetin e tyre si udhëheqës, duke i hapur rrugë procesit nga ec vendi”.

“Ata, këtë veprim e bënë në formën më të mirë të mundshme për të ardhmen e Maqedonisë dhe unë i përshëndes për këtë”,
ka thënë ambasadori Riker.

Ambasadori amerikan, Filip Riker, ka vënë në pah se mënyra më e mirë për çuarjen përpara të proceseve, është integrimi i plotë i Maqedonisë në strukturat euroatlantike.

Duke folur për kontestin Shkup-Athinë rreth emrit, ambasadori Riker ka thënë se beson që arritja e një kompromisi është e mundur.

“Vlerësojmë se pas zgjedhjeve në Greqi dhe paraprakisht në Maqedoni, është koha e duhur që dy vendet të zgjidhin këtë çështje”, ka thënë ambasadori amerikan në Maqedoni, Filip Riker.
XS
SM
MD
LG