Ndërlidhjet

logo-print

Mes dilemave për zgjedhje dhe presioneve nga Beogradi


Beogradi vazhdon t'u dërgojë mesazhe politike serbëve të Kosovës se nuk ka kushte për të dalë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Por, formimi i komunave të reja, nga disa politikanë serbë shihet si arsye e mjaftueshme për pjesëmarrje.


Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit në Kosovë kanë zgjuar një interesim më të madh tek komuniteti serb. Kjo të paktën vërehet te numri i subjekteve politike të këtij komuniteti që është paraqitur tek Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për të marrë pjesë në procesin zgjedhor.

Decentralizimi dhe formimi i komunave me shumicë serbe shihen si mundësi të reja për këtë komunitet, që të shtrijë një vetëqeverisje më të gjerë lokale.

Sllobodan Petroviq, kryetar i Partisë së Pavarur Liberale, veçon sidomos decentralizimin dhe komunat e reja - si arsye të mjaftueshme për pjesëmarrje në zgjedhje.

“Po mundësohet formimi i gjashtë komunave të reja me shumicë serbe dhe ky është faktori kryesor që motivon serbët e Kosovës që të dalin në zgjedhje”, thotë Petroviq.

Partia, të cilën ai drejton, ka marrë pjesë edhe në procesin e kaluar zgjedhor dhe është pjesë e Qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës.

Ndërsa një numër i konsiderueshëm i subjekteve serbe ka konfirmuar pjesëmarrjen, një pjesë tjetër e spektrit politik serb përkrah në një formë zgjedhjet, por heziton të përcaktohet.

Rangjell Nojkiq, kryetar i Lëvizjes së Rezistencës Serbe për Kosovën, mban rezerva në lidhje me definimin e përgjegjësive të komunave të reja, ku serbët përbëjnë shumicën.

“Është shumë e rëndësishme që në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar të formohen vetëm komuna formale, kurse në praktikë ato të mos kenë kuptim dhe të mos u ofrojnë asgjë serbëve për mbrojtjen e interesave të tyre”, thotë Nojkiq.

Përderisa te komuniteti serb vazhdojnë dilemat rreth pjesëmarrjes apo bojkotit të zgjedhjeve të ardhshme lokale, Qeveria e Serbisë vazhdon me presionet mbi serbët për bojkotimin e zgjedhjeve.

Këtë javë, ministri në Qeverinë e Serbisë për Kosovën, Goran Bogdanoviq, gjatë qëndrimit në Leposaviq, ua ka tërhequr vërejtjen serbëve se nëse marrin pjesë në zgjedhjet e Kosovës dhe fitojnë funksione në kuadër të institucioneve, do t’i humbin funksionet që ushtrojnë në kuadër të strukturave paralele, që Serbia ka ngritur në Kosovë.

“Nuk mund të lejojmë që njerëzit të kenë dy punëdhënës dhe të marrin nga dy paga dhe mendoj se kjo është shumë e qartë”, ka thënë Bogdanoviq, sipas të cilit, për serbët e Kosovës duhet të jetë e qartë se Beogradi vlerëson se nuk ka kushte që ata të marrin pjesë në zgjedhjet lokale në Kosovë.

Sidoqoftë, janë 21 subjekte politike serbe që janë paraqitur për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale. Interesim për zgjedhje është vërejtur edhe në komunat e reja, si Graçanicë, Ranilluk e Kllokot.

Ndërkaq, një interesim krejtësisht i vogël i serbëve për zgjedhje vërehet në pjesën veriore të Kosovës, ku ka një përqendrim më të fuqishëm të strukturave paralele të Serbisë, të cilat nuk i njohin institucionet e Republikës së Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG