Ndërlidhjet

logo-print

Komisionet teknike për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës e Maqedonisë janë duke bërë punët e fundit teknike të pronave, për të vërtetuar çështjet kontestuese mes dy vendeve për kufirin, thonë anëtarët e Komisionit teknik të Prishtinës.


Demarkacioni i kufirit Kosovë-Maqedoni, në pjesën e quajtur Debëllde, vazhdon të jetë një prej çështjeve që po diskutohet mes dy komisioneve të Kosovës dhe Maqedonisë.

Anëtarët e Komisionit teknik nga pala kosovare thonë se 98 për qind e punëve tashmë kanë përfunduar. Zëvendëskryetari i Komisionit për demarkacion të kufirit, Murat Meha, thotë:

“Deri më tani është bërë një punë e madhe, sepse 98 % e kufirit është përfunduar, ndërsa edhe një-dy për qind kanë mbetur pa u përfunduar. Në kuadër të kësaj mund ta fusim edhe rilevimin aero-fotogrametrik të zonës kufitare”.

“Pra, rilevimi duhet të bëhet në tri kilometra në të dyja anët e vijës kufitare të të dy shteteve. Me përfundimin e rilevimit aero-fotogrametrik, ne do ta kemi bazën për ta krijuar tërë dokumentacionin origjinal dhe të vijmë deri te finalja e këtij projekti”,
thotë Meha.

Janë edhe rreth dy kilometra tokë në fshatin Debëllde, për të cilat janë duke vazhduar bisedimet mes delegacioneve, shton ai.

“Është diku ndoshta një kilometër e gjysmë, dy kilometra në përgjithësi, ku duhet të vendosen edhe pikat e fundit të demarkacionit. Aty ka pak ndryshime në mes të vijës kufitare që insistohet të vendoset dhe vijës, të cilën e pretendojnë edhe banorët lokalë, edhe kosovarët”.

“Së bashku me maqedonasit, ne jemi duke biseduar për këtë dhe sigurisht që do të gjendet një zgjidhje”,
shprehet Meha.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e banorëve të fshatit Debëllde, që janë anëtarë të Komisionit teknik për demarkacion, kanë bërë të ditur se pala maqedonase ka kërkuar që 17 hektarë tokë të kalojnë në pjesën e tyre.

Fshati Debëllde
Zymri Ilazi, kryetar i fshatit Debëllde, thotë se banorët janë të vendosur që toka e tyre të mos lejohet të kalojë në pjesën e kufirit të shtetit të Maqedonisë.

“Ne, banorët e Debëlldeut, jemi të betuar që nuk do të heqim dorë pa u kthyer milimetri i fundit i tokës në brendësi të Kosovës. Unë këtë qëndrim e kam dhënë qysh në fillim dhe do ta mbroj deri në përfundim”, thotë Ilazi.

Komisionet e përbashkëta të të dyja vendeve thonë se pronat e banorëve të fshatit Debëllde, si brenda territorit të Kosovës, ashtu edhe ato prona që shtrihen në pjesën e Maqedonisë, nuk do të humbin pronarin e tyre.

Anëtari tjetër i Komisionit teknik, Behar Selimi, i cili është edhe drejtor i Policisë Kufitare të Kosovës, thotë se nëse toka ngel në anën maqedonase, ajo do të mbetet pronë e atij që ka qenë.

“Tashti kemi ardhur në disa dhjetëra hektarë. Nëse ngelen në territorin e Maqedonisë tokat e kujtdo qoftë, ato do të jenë në pronësi të banorëve, të cilët kanë qenë edhe më parë. Ata do ta kenë të drejtën e shfrytëzimit të tokës së tyre, punimin e tokës së tyre. Asnjë gjë nuk humb banori. Ne jemi akoma duke biseduar se si t’i kënaqim të drejtat e banorëve”,
thekson Behar Selimi.

Ndryshe, shënimi i vijës kufitare, për muaj të tërë, ka mbetur pa u përcaktuar, për shkak të problemeve që janë paraqitur në fshatin Debëllde, thonë përfaqësuesit e këtij fshati. Kurse, anëtaret e Komisionit teknik për demarkacion nga pala kosovare zotohen se kjo çështje do të përfundojë brenda këtij viti.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG