Ndërlidhjet

Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit po vlerësohen si historike për Kosovën dhe si provë nëse institucionet janë të gatshme të ndërtojnë vetë demokracinë. Diplomatë ndërkombëtarë tërheqin vërejtjen se nga zhvillimi i tyre varet edhe kahja e historisë së Kosovës. Analistët politikë pohojnë se kosovarët nuk duhet t’i dështojnë zgjedhjet e para, të organizuara pa ndihmën ndërkombëtare.


Zgjedhjeve të 15 nëntorit, megjithëse lokale, u është dhënë një rëndësi e madhe, duke u cilësuar si test për demokracinë në Kosovë. Diplomatë ndërkombëtarë kanë thënë se zgjedhjet janë jetike dhe do të shënojnë kahen historike për vendin.

Analisti për çështje politike, Shkëlzen Maliqi, vlerëson se me zgjedhjet, Kosova mund të kalojë apo bie në provën e parë të një procesi demokratik.

“Ato edhe e kanë peshën, sepse për herë të parë mbahen në Kosovën e pavarur dhe duhet të mbahen me forcat tona”.

“Kurse, këto vlerësime, si ai i ambasadorit amerikan, Dell, mendoj se janë një lloj inkurajimi apo tërheqjeje e vërejtjes së lidershipit në garë, që të kenë kujdes e të mos e prishin këtë paraqitjen e parë, apo provën e parë me institucionin më të rëndësishëm të demokracisë moderne; të mos ndodhin incidente dhe të mos ketë kontestime”,
thotë Maliqi.

Ish-kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Mazllum Baraliu, nuk mendon se këto zgjedhje do të duhej vlerësuar si historike. Ai këtë rëndësi, që po u jepet zgjedhjeve, e lidh më shumë me pjesëmarrjen ose jo të pakicës serbe.

Kjo pjesëmarrje përcakton edhe krijimin e komunave të reja, të parapara me planin për decentralizim.

“Është e rëndësishme nga aspekti i ndërkombëtarëve, për shkak të pjesëmarrjes ose jo të komunitetit serb, sidomos për projektin e decentralizimit”, vlerëson Baraliu.

Këtë vit, mbi Komisionin Qendror Zgjedhor bie barra e plotë e organizimit të zgjedhjeve, ndryshe nga ato të mëparshmet, kur kjo përgjegjësi ndahej me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian.

Shkëlzen Maliqi nuk përjashton mundësinë e parregullsive, aq më tepër kur një paralajmërim, siç thotë ai, është bërë edhe nga kreu i shtetit.

“Kemi pasur vërejtje nga vetë kryetari i shtetit, i cili u është drejtuar komisionarëve ‘që të mos shiten për një byrek ose për asgjë’. Në zgjedhjet e fundit që nuk janë kontestuar, ka pasur vërejtje për sjelljet, për mashtrimet në disa rajone, katunde, ku struktura e dobët e kontrollit nga partitë e vogla ka mundësuar manipulim me votën e qytetarit, e që nuk do të duhej të ndodhte”.

“Tash do të shohim se sa do të mund të kontrollojnë partitë njëra-tjetrën, në mënyrë që të mos ndodhin manipulimet”,
thotë Maliqi.

Megjithatë, Baraliu, i cili ishte në krye të procesit në zgjedhjet parlamentare dhe lokale të 2007-ës, shpreh bindjen se kosovarët do të kalojnë provën e këtij procesi demokratik, ashtu si kanë bërë në të kaluarën.

“Sa i përket organizimit të tyre në mënyrë të suksesshme ose jo, unë mendoj se Kosova tashmë ka treguar që nga viti 2000 se mund dhe di të organizojë dhe ia arrin me sukses të organizojë zgjedhje të lira, ani që me ndihmën e ndërkombëtarëve përpara. Por, edhe më parë, faktori vendor ka qenë më i rëndësishmi”, shprehet Baraliu.

Ndryshe nga herët e kaluara, në këto zgjedhje nuk do të ketë numër të madh të vëzhguesve ndërkombëtarë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se deri më tani janë regjistruar dhjetëra vëzhgues vendës.

Ky komision, kohë më parë, ka hedhur poshtë propozimin e partive opozitare, që për të evituar manipulimet apo parregullsitë tjera, në qendrat e votimit dhe numërimit të vendosen kamera.
XS
SM
MD
LG