Ndërlidhjet

Prishtina: Raporti i KE-së, real


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Komisioni Evropian ka pasqyruar realisht gjendjen në Kosovë, vlerëson ekzekutivi kosovar. Deputetë të partive politike thonë se është shqetësuese shkalla e lartë e korrupsionit që pasqyrohet në raport.



Raporti më i ri i progresit, i hartuar nga Komisioni Evropian, pasqyron gjendjen reale në Kosovë, thonë përfaqësuesit politikë në Prishtinë.

Ndonëse ende nuk është bërë publik edhe zyrtarisht, përmbajtja e këtij raporti tashmë është plasuar në mediet vendore.

Konstatimi se Serbia po luan rol destruktiv, duke mbajtur struktura paralele në Kosovë, përshëndetet nga politikanët në Prishtinë, ndërkaq shihet si shumë shqetësues fakti që nxjerr raporti për shkallën e lartë të korrupsionit.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se ende nuk e ka lexuar raportin final, por pavarësisht përmbajtjes, ai u zotua se Qeveria e Kosovës do t’i përmbushë të gjitha obligimet që dalin si sfida nga përmbajtja e këtij raporti.

Hajredin Kuçi
“Raporti gjithsesi do të jetë më pozitiv, sesa vitet e kaluara. Do të shihet qartë se cilat kanë qenë të arriturat edhe në fushën legjislative, politike, ekonomike dhe atë të standardeve evropiane, por do të shihen edhe sfidat që kanë mbetur”.

“Duhet ta kemi të qartë se raporti duhet të matet me të arriturat tona për integrime evropiane. Secili shtet që nuk ka hyrë në BE, i ka sfidat e veta dhe duhet ta krahasojmë edhe me Kosovën dhe brendapërbrenda Kosovës dhe me vendet e rajonit, dhe jo vetëm me vendet që tashmë janë në Unionin Evropian”,
tha Kuçi.

Ndërkohë, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, tha se institucionet e Kosovës duhet t’i marrin me shqetësim vërejtjet që Komisioni Evropian i publikon në raport, në lidhje me shkallën e lartë të korrupsionit.

“Sigurisht që është brengosëse kjo, sepse ai vend, i cili pretendon të hyjë në zhvillimet integruese në të ardhmen, me një bagazh të tillë të korrupsionit, do ta ketë shumë vështirë”.

“Prandaj, ky është një mesazh shumë i keq, sepse nuk e di se si pastaj qytetarët mund t’i shikojnë me sy të mirë institucionet, kushtimisht thënë, nëse gishti adresohet apo zgjatet në drejtim të institucioneve ose individëve”,
u shpreh Beqiri.

Deputeti Beqiri përshëndeti konstatimin e Brukselit për rolin destruktiv që Serbia ka në raport me Kosovën, sidomos me mbajtjen në jetë të strukturave paralele.

Kurse, deputeti i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashi, tha se konstatimi i një shkalle të lartë të korrupsionit, mungesa e lirisë së plotë të shprehjes dhe medieve si dhe dukuritë tjera negative mund të kenë si pasojë zvarritjet për Kosovën në proceset integruese, sidomos në atë të liberalizimit të vizave.

Këto vlerësime negative, sipas tij, pritet të përcjellin edhe studimin e fizibilitetit.

Ibrahim Gashi
“Raporti i progresit i KE-së paralajmëron se edhe në studimin e fizibilitetit do ta kemi këtë defekt dhe këtë mangësi. Do të thotë, Kosova del se në fushën e luftimit të krimit të organizuar dhe sidomos të korrupsionit, nuk ka progres”.

“Dhe, kjo është ajo pjesa që më së shumti, drejtpërdrejt, do ta ndiejnë qytetarët e Kosovës, sepse ka rrezik që Kosova të ngecet prapa në proceset përafruese me Bashkimin Evropian, konkretisht në procesin e liberalizimit të vizave”,
theksoi Gashi.

Ndërsa Komisioni Evropian kritikon Serbinë për strukturat e saj paralele në Kosovë, përfaqësuesit e komunitetit serb thonë se këto struktura janë të domosdoshme për ekzistencën e tyre në Kosovë.

Rangjel Nojkiq, kryetar i Lëvizjes së Rezistencës Serbe, tha se përmes decentralizimit, megjithatë do të mund të definoheshin edhe kompetencat e institucioneve, siç i quan ai, serbe në Kosovë.

“Problem i të gjitha problemeve është decentralizimi dhe mendoj se tash po shfrytëzohet ky rast, pasi që procesi nuk është definuar si duhet, kështu që tash shtrohet çështja e këtyre strukturave paralele”, tha Nojkiq.

Sipas tij, arsimi, shëndetësia e shumë fusha të tjera në nivelin lokal nuk mund të funksionojnë për serbët pa ndihmën e Beogradit.

Sidoqoftë, raporti i progresit i Komisionit Evropian, për herë të parë, konstaton se Serbia po mban institucione paralele në Kosovë dhe se Qeveria e Kosovës nuk e kontrollon tërë territorin e vendit.

Po ashtu, aty thuhet se bashkëpunimi i Prishtinës zyrtare me EULEX-in nuk është në përputhje me përkushtimin politik, andaj kërkohet thellimi i këtij bashkëpunimi. Ndërkaq, kritikohen veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje kundër këtij misioni.

Mes tjerash, raporti inkurajon edhe serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG