Ndërlidhjet


Bashkëpunimi ekonomik i Kosovës me disa nga vendet e rajonit ende mbetet në nivele modeste, thonë ekspertë të ekonomisë nga Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi. Sipas tyre, ky bashkëpunim do të kontribuonte në stabilitetin politik dhe social të këtyre vendeve.

Muhamet Sadiku, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se bashkëpunimi tregtar i Kosovës me Shqipërinë dhe Malin e Zi bëhet kryesisht në sektorin e turizmit, ndërkaq këmbimet tregtare, shton ai, janë shumë të ulëta.

Sadiku thotë se Kosova edhe më tej vazhdon të jetë e varur nga importi i produkteve që vijnë nga Serbia.

“Importet nga Bashkimi Evropian kanë pjesëmarrje afër 30 për qind, ndërsa importi nga Serbia është tejet problematikë, sepse një pjesë e importeve nga Serbia realizohet edhe në mënyrë jolegale; janë importe, përmes të cilave anashkalohen obligimet fiskale”.

“Importet e regjistruara janë 200 deri në 250 milionë euro në vit, çka do të thotë se për Serbinë, Kosova mbetet një partner shumë i rëndësishëm tregtar”, vlerëson Sadiku.

Se shkëmbimet tregtare në mes Kosovës dhe Shqipërisë janë të kufizuara, e pohon edhe Zenel Shalari, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Tiranës.

Por, megjithatë, ai konsideron se ndërtimi i autostradës së Shqipërisë, Durrës-Kukës-Morinë, ka hapur mundësi për një bashkëpunim më të mirëfilltë si në sektorin e turizmit, ashtu edhe në atë tregtar.

“Ky është fillimi dhe tashmë agjentët ekonomikë me siguri se do të gjejnë mundësi dhe oportunitete të reja për të forcuar bashkëpunimin, sepse kanë avantazh krahasues, kanë shpenzime të vogla të transportit”.

“Mbi të gjitha, kanë një gatishmëri të konsumatorëve për të konsumuar produkte kosovare apo shqiptare, përkatësisht në njërin apo tjetrin vend”,
thotë Shalari.

Projekt tjetër që ndikon në rritjen e këmbimeve tregtare me vende të ndryshme të Evropës dhe të botës është edhe përdorimi i Portit të Shëngjinit, thotë Shalari, duke shtuar se përfundimi i këtij projekti për komunitetin e biznesit kosovar do të jetë shumë fitimprurës.

Në anën tjetër, me shtetin e Malit të Zi, një bashkëpunim më i mirë ekziston në fushën e turizmit, pohon Mersel Mujeviq, nga Qeveria malazeze. Sa u përket këmbimeve tregtare, ai thotë se tashmë kanë filluar hapat e parë.

“Tashmë jemi në një gjendje ku jemi, duke bërë hapat e parë sa u përket marrëdhënieve ekonomike në mes këtyre dy shteteve. Mirëpo, këta hapa janë për t’u lakmuar, sepse ka filluar një lëvizje pozitive e dyanshme në këtë aspekt”, thotë Mujeviq.

Megjithatë, Muhamet Sadiku e vlerëson të domosdoshëm bashkëpunimin rajonal në aspektin ekonomik, pasi që, siç thotë ai, ky kriter duhet të përmbushet nga të gjitha vendet, të cilat synojnë të jenë anëtare të Bashkimit Evropian.

“Të gjitha vendet e rajonit janë nën presionin e ambicieve të mëdha për të rrugëtuar drejt Bashkimit Evropian”.

“Të gjitha i kanë agjendat e tyre qeveritare për përmbushjen e kritereve, andaj edhe në Bashkimin Evropian ngrihen shqetësimet se vendet e rajonit së pari duhet të përmirësojnë bashkëpunimin në mes vete, para se të hyjnë në BE. Mu për këtë, është krijuar një instrument i tregtisë së lirë, është rregulluar projekti CEFTA”,
shprehet Sadiku.

Sidoqoftë, sipas ekspertëve, në këtë segment, Kosova nuk mund të presë ndryshime në një periudhë afatshkurtër, pasi, siç thonë ata, Kosova edhe më tej varet nga importi.

Në vitin 2008, sipas tyre, importet kanë arritur në 2 miliardë euro, ndërkohë që eksportet në 200 milionë euro. Produktet nga Serbia dhe Maqedonia vazhdojnë të jenë më të pranishmet në tregun e Kosovës.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG