Ndërlidhjet

Shkaqet e vdekjes në Kosovë


Në Kosovë, për herë të parë, është publikuar raporti mbi shkaqet e vdekjeve në vend, për periudhën 2006-2007. Sipas këtij raporti të publikuar nga Enti i Statistikave të Kosovës, shkaqe të vdekjeve janë sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut dhe tumoret.


Publikimin e shkaqeve të vdekjeve në Kosovë për vitin 2006-2007, autoritetet kosovare e vlerësojnë si një hap të rëndësishëm, ndonëse theksojnë nevojën për angazhime të mëtutjeshme në këtë drejtim.

Ministri i Administratës Publike, Arsim Bajrami, tha se ky raport është një pasqyrë e mirë për të analizuar shkaqet e vdekjeve në Kosovë.

“E para, në projekt konstatohet se afër 25 për qind e rasteve të vdekjes nuk konstatojnë shkakun e vdekjes, që është një dështim edhe i institucioneve shëndetësore, edhe i familjeve, të cilat nuk krijojnë një kulturë të mirë për të konstatuar shkakun e vdekjes, për të ndërtuar politika preventive”.

“Tjetra është se në 40 për qind të rasteve nuk diagnostikohen vdekjet”,
tha Bajrami, për të shtuar se ekziston një diskrepancë e madhe mes standardeve në Kosovë dhe atyre në BE.

“Në nivel të Bashkimit Evropian, mbi 90 për qind e rasteve të vdekjeve diagnostikohen”, theksoi ai.

Kryetari i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, tha se në raport është paraqitur vetëm gjysma e shkaqeve të vdekjeve.

“Pa marrë parasysh se këto shkaqe të vdekjeve që janë paraqitur në raport, nuk janë kompletuar nga institucionet shëndetësore apo individët që kanë çlajmëruar shkaqet e vdekjes në zyrat civile, ky raport flet shumë për Institutin Kombëtar, i cili qysh në vitin 2000 ka ndërmarrë masat e duhura. Duke u bazuar në këtë raport, ne shohim dy shkaqe kryesore të vdekjeve: sëmundjet kardiovaskulare dhe kancerin”, u shpreh Ramadani.

Raporti mbi Shkaqet e Vdekjeve në Kosovë është përkrahur nga Organizata Ndërkombëtare për Fondacionin e Popullsisë. Doina Bologa, nga kjo organizatë, thotë se ky është një raport bazë, i cili do të mund të shfrytëzohej nga institucione të ndryshme në Kosovë.

“Shpresojmë se shakatarët e vdekjeve, së bashku me të dhënat tjera statistikore, do të raportohen rregullisht, në pajtim me standardet tjera ndërkombëtare nga kjo lëmi. Gjithashtu, shpresojmë se i kemi kontribuar fushës së statistikave në Kosovë, që është komponent i rëndësishëm i një shteti të ardhshëm evropian”, u shpreh Bologa.

Rezultatet e shkaqeve të vdekjes, sipas zyrtarëve, janë bërë në mënyrë analitike dhe me standarde të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Eurostat-i.

Një sfidë e madhe për Entin e Statistikave të Kosovës, ndërkohë, mbetet regjistrimi i popullsisë. Ministri Bajrami bëri të ditur se, këto ditë, Kuvendi i Kosovës do ta caktojë datën e regjistrimit të popullsisë, të parin në Kosovë, pas 30 vjetësh.

“Ky regjistrim do të jetë bazik jo vetëm për të konstatuar numrin e saktë të banorëve, por edhe për të ndërtuar politika afatgjate strategjike të zhvillimit ekonomik. Këtë regjistrim do ta bëjmë në mënyrë elektronike, do të jetë i krahasueshëm me standarde të Eurostat-it,
do të jetë bazë edhe për regjistrime tjera periodike”,
theksoi Bajrami.
XS
SM
MD
LG