Ndërlidhjet

Hillari Klinton në Moskë


Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Moskë, 13 tetor 2009.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Moskë, 13 tetor 2009.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, qëndron në Moskë, ku zhvillon takime me autoritetet më të larta të Rusisë. Tema të bisedimeve janë reduktimi i arsenalit bërthamor, Irani, Afganistani, mbrojtja raketore dhe Koreja Veriore.




Shtetet e Bashkuara dhe Rusia do të punojnë bashkë për të siguruar se programi bërthamor i Iranit ka qëllime paqësore.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton tha se Rusia ka qenë “ekstremisht kooperative” në bashkëpunimin me fuqitë botërore, për ta zgjidhur krizën rreth programit bërthamor iranian, për të cilin SHBA-të dhe aleatët e tyre druajnë se ka për qëllim të prodhojë armë bërthamore.

Klinton i bëri këto komente në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov pas bisedimeve të sotme në Moskë.

Programi bërthamor i Iranit mbetet një çështje e shqetësimit serioz, dhe ne po punojmë ngushtë me Rusinë përmes procesit 5+1 (anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit plus Gjermania). Ne kishim një takim konstruktiv në Gjenë në 1 tetor. Po punojmë që të sigurohemi se Irani do të ecë me ne në këtë angazhim dhe të demonstrojë se po synon vetëm energji bërthamore paqësore”, tha Klinton.

Ajo tha se Rusia është dakord me Shtetet e Bashkuara se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore, dhe shtoi se ende nuk ka ardhur koha për sanksione kundër Iranit.

Lavrov tha se kërcënimet me sanksione dhe presioni ndaj Iranit janë “kundërproduktivë”.

Ministri i Jashtëm rus gjithashtu tha se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë progres “thelbësor” në bisedimet mbi traktatin e ri për reduktimin e armatimit bërthamor.

Marrëveshja START e vitit 1991, e cila e kufizon arsenalin bërthamor të dy shteteve skadon në dhjetor.

Negociatorët amerikanë dhe rusë tash përpiqen të arrijnë një marrëveshje të re para datës së skadimit.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Klinton tha se megjithëse mospajtimet kanë mbetur, raportet e dy vendeve po bazohen në respektin e ndërsjellë.
Klinton gjithashtu tha se me homologun Lavrov ka diskutuar edhe për çështjen e Afganistanit.

Ne e kemi zgjëruar fushën e bashkëpunimit për sa i përket Afganistanit. E vlerësojmë marrëveshjen për kalimin tranzitor, e cila tysh është në fuqi. Besojmë se kemi interesa të përbashkëta për t’i reduktuar kërcënimet nga ekstremizmi, terrorizmi, dhe trafikimi i narkotikëve. Ky është një bashkëpunim praktik për dobinë e të dy palëve”, tha Sekretarja e Shtetit.

Klinton sot do të takohet edhe me presidentin Dimitri Medvedev.

Gjatë qëndrimit në Rusi, Sekretarja amerikane e Shtetit do ta vizitojë edhe qytetin Kazan, që kryesisht është i banuar me popullatë myslimane.
XS
SM
MD
LG