Ndërlidhjet

logo-print

NYT: “Gazpromi blen politikanë evropianë”


Ish-kancelari gjerman, Shrëder, u bë drejtues i projektit. Urning, shef ekzekutiv i projektit, ishte pjesë e Stasit, policisë sekrete të ish-Gjermanisë Lindore. Ish-kryeministri i Finlandës, Liponen, mori pagesë të majme për të siguruar lejen e kalimit të gazsjellësit.


“New York Times”

Me një projekt të ri ambicioz në rrugë e sipër, siç është ndërtimi i gazsjellësit në shtratin e Detit Baltik, gjiganti rus, Gazprom, po krijon ndarje të reja mes Evropës Perëndimore dhe Lindore.

Derisa gazsjellësi ruso-gjerman ofron përfitime të qarta energjetike për Evropën Perëndimore, vendet e Evropës Lindore e Qendrore i druhen rikthimit të një periudhe të dominimit rus mbi ish-bllokun sovjetik.

Me pasuritë e gazit dhe lidhjet personale, Rusia po krijon përçarje mes vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Aktualisht, gazi rus duhet të kalojë përmes vendeve të lindjes që të arrijë në pjesën perëndimore të kontinentit evropian. Nëse Rusia bllokon furnizimin me gaz për vendet e lindjes, pasojat do të ndihen dhe në perëndim.

Linja e re transportuese e gazit do ta ndryshojë situatën aktuale. Linja që kalon nën det, anashkalon vendet ish-satelite dhe e lidh Rusinë drejtpërdrejt me Perëndimin.

Për pasojë, ekspertët e sigurisë dhe zyrtarët e Evropës Lindore thonë se Rusia, pas gazsjellësit të dytë, do të luajë të ashtuquajturën politikë të pingpongut të gazit me fqinjët.

“Dje me tanke, sot me naftë e gaz”, thotë Zhbignjev Siemsiatkovski, ish-kreu i agjencisë polake të sigurisë.

Gazpromi, që furnizon Evropën me 28% të nevojave për gaz, thotë se projekti i ri është tregtar e jo strategjik.

Matias Uarning, shefi ekzekutiv i projektit të ri mes Rusisë e Gjermanisë, me origjinë nga ish-Gjermania Lindore, thotë se frika e vendeve të lindjes është e pabazë.

Zyrtarët evropianë e cilësojnë projektin si ndihmë në bashkimin e Evropës dhe forcon sigurinë kolektive energjetike të rajonit.

Por, zyrtarët nga Evropa Qendrore e Lindore druhen se derisa përfitimet nga projekti i gazsjellësit të ri do të shkojnë për kompanitë ruse, gjermane e holandeze të përfshira, vendet, që dikur ishin nën ombrellën sovjetike, do të jenë më të pambrojtura përballë shantazheve energjetike.

Taktika të tilla nuk janë të panjohura. Një studim suedez identifikon 55 ndërprerje të furnizimit me gaz, të motivuara politikisht në furnizimin e Evropës Lindore, që nga shpërbërja e ish-Bashkimit Sovjetik.

Deri tani, përdorimi i burimeve energjetike, si mjet në politikën e jashtme ruse, ka qenë i kufizuar në bllokada afatshkurtra.

Ndërprerja e furnizimit të Ukrainës me gaz në janar shkaktoi zemërim në vendet e Evropës Perëndimore. Por, gazsjellësit e rinj, si ky që kalon në shtratin e Detit Baltik, apo tjetri i njohur si “Rryma e Jugut”, e lejojnë Rusinë t’i furnizojë vendet perëndimore pa kosto politike.

Kjo do t’i bënte më të lehta e më të mundshme ndërprerjet e shpeshta të furnizimit me gaz të Evropës Lindore.

Për evropiano-lindorët, çështjet që lidhen me gazsjellësin e ri sjellin në sipërfaqe kujtime të një periudhe të errët pushtimi, duke vënë në qendër të debatit se cilat janë synimet e Rusisë ndaj vendeve që dikur i kishte nën kontroll.

Përmes një letre të hapur drejtuar presidentit Barak Obama, 23 ish-kryetarë shtetesh e qeverish nga Evropa Qendrore e Lindore shkruanin se Rusia u është kthyer politikave si “fuqi revizioniste me agjendë të shekullit të 19-të, por me taktika të shekullit 21”.

Radek Sikorski, ish-ministri i Jashtëm polak, e ka krahasuar gazsjellësin ruso-gjerman me paktin e vitit 1939, Molotov-Ribentrop.

Pakti e ndau Evropën Qendrore nën sferat e interesit gjerman dhe sovjetik. Këmbanat e alarmit në Lindje nuk janë dëgjuar në Perëndim, ku Rusia po ndjek politikën ‘përçaj e sundo’.

Rusia është një nga çështjet që ndan më së tepërmi Bashkimin Evropian, thotë Angela Stent, drejtore e Qendrës për Euroazinë, Rusinë dhe Evropën Lindore në Universitetin Xhorxhtaun në Uashington.

Një rrjet njerëzish me ndikim në perëndim janë përfshirë në planet ruse të gazit. Fillimisht, Qeveria gjermane e ish-kancelarit Shrëder mundësoi marrëveshjen për gazsjellësin me Rusinë.

Pak javë më vonë, ai u bë drejtues i projektit. Urning, shef ekzekutiv i projektit të gazsjellësit që kalon nën Detin Baltik, ka qenë pjesë e Stasit, policisë sekrete të ish-Gjermanisë Lindore.

Ai ka shërbyer tek Stasi në të njëjtën kohë kur Vladimir Putini shërbente në Dresden si agjent i KGB-së ruse.

Ka dhe lidhje të tjera. Kështu, ish-kryeministri i Finlandës, Liponen, mori pagesë të majme për të siguruar lejen e kalimit të gazsjellësit në territorin finlandez.

Në 2008-ën, Gazpromi i ofroi një post kyç ish-kryeministrit italian, Romano Prodi, ofertë e refuzuar nga Prodi.

Tani që gazsjellësi duket i paevitueshëm, edhe francezët janë hedhur në këtë projekt. Kjo ka shtuar rivalitetet franko-gjermane.

Në këtë kuadër, kur interesat e korporatave apo vendeve të caktuara janë në lojë, droja që vjen nga Evropa Lindore për unitet të Evropës, merret pak parasysh.

I.B.
XS
SM
MD
LG